Partia Demokratike në ankthin e dy Kuvendeve Kombëtare të thirrur nga rivalët Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Çfarë pritet të ndodhë në kampin opozitar dhe si mund të ndryshojnë konjukturat politike me rikthimin e Berishës në PD dhe Metës në drejtimin e LSI-së. Mbi zhvillimet në partitë opozitare dhe ndikimit të SHBA-së, komentojnë për gazetën “Fjala” analistët Plator Nesturi, Lorenc Vangjeli dhe Leonard Karaj.
Nga Fernada Cenko
Në selinë e PD-së, kushdo që shkel shihet nga koka tek këmbët, me pyetjen mu në majë të gjuhës: me kë është, me Berishën apo Bashën? Pak ditë i ndajnë demokratët nga dy kuvendet e thirrur nga dy “B-të”, Berisha dhe Basha, të cilët deri më tani kanë luajtur ku-vëndshe me anëtarësinë dhe votuesit e kësaj force politike. Në betejën e dukshme për të mbajtur vulën dhe logon e partisë, si Basha ashtu edhe Berisha vetëm për parime dhe “hapje” nuk po mendojnë, pasi për ta është jetike personale se kush do të triumfojë. Më 11 dhjetor Berisha thërret Kuvendin Kombëtar. Më 18 dhjetor Basha thërret kuvendin e tij, por do ketë vlerë vetëm nëse dështon ai i Berishës, që me gjasa duket se nuk do ketë fundin që shpreson kryetari me vulë Lulzim Basha. Të dy nuk po bëjnë betejë mbi parime. Është një luftë personale që ka qëllimin kryesor dhe ndoshta të vetëm marrjen e zyrës dhe vulës për ta ngjeshur pas xhepit si hajmali që zgjidh problemet personale të tyre. Duket se të dy kanë harruar që PD- nuk është vetëm e drejtuesve, por mbi të gjitha e anëtarësisë dhe akoma më shumë e votuesve të saj. Shumë prej demokratëve shpresuan të merrnin pushtetin më 25 prill, por në vend të haresë së fitores morën mërzinë e dështimit dhe zhgënjimin. Plaga ishte e madhe, por ashtu sikurse “bishat e lënduara” bëjnë kurën e vetëlëpirjes, edhe PD provoi këtë formë, duke e konfirmuar Bashën si kryetar, pasi kishte edhe mbështetjen e Berishës. Armiqësia e miqve 16 vjeçar u prish vetëm brenda një ore, kur Lulzim Basha njoftoi vendimin personal për të larguar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi ishte kërkesë e SHBA-ve që e shpallën “non grata” në maj të këtij viti. Nga ajo që po ndodh në PD e dukshme është përçarja, por deri ku do arrijë kjo mbetet për tu parë. Kush do të triumfojë në partinë më të madhe opozitare dhe roli i SHBA-ve? Çfarë e pret forcën politike që lindi si shpresë në përmbysjen e sistemit komunist, por 31 vite më vonë themeluesi i i saj dhe kanakari i tij për 16 vite, janë gati ta rrënojnë për të fituar një “copë zyre” dhe një vulë? Mbi zhvillimet politike në PD komentojnë për gazetën “Fjala” analistët Plator Nesturi, Lorenc Vangjeli dhe Leonard Karaj.