Duket se zbardhja e vrasjes së ish-deputetit dhe ish-kryekomunarit të Velipojës, Pashko Ujka, mbrëmjen e së hënës në qytetin e Shkodrës, do të mbetet pa autor. Nga mënyra se si është kryer krimi, ka bërë që hetuesit e Prokurorisë së Shkodrës të dyshojnë se atentati të jetë kryer nga vrasës me pagesë.
Ajo që dihet deri më tani është se në krim ka marrë pjesë vetëm një person, i cili e ka qëlluar me një plumb të vetëm 64-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen rreth një orë e gjysmë më vonë në Spitalin e Shkodrës. Pas krimit, atentatori është larguar nëpër lagjet e qytetit, duke humbur gjurmët. Madje, as bashkëshortja e të ndjerit, e cila ishte me të në momentin kur u qëllua, nuk ka arritur as ta pikasë e aq më pak ta njohë.
SHOQËRIMET
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona në lidhje me ekzekutimin e Pashko Ujkës. Të shoqëruarit janë banorë të zonës, të cilët mund të kenë parë autorin e ngjarjes, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë dëshmi domethënëse për hetuesit që mund të çojë në identifikimin e ekzekutorit.
Gjithashtu, Policia ka shoqëruar edhe familjarë të 64-vjeçarit të ndjerë, të cilët siç kanë deklaruar edhe nëpërmjet medias, kanë mohuar të kenë konflikte me persona të tjerë apo para borxh. Këto janë disa nga pistat që hetuesit kanë ngritur për vrasjen. Policia Vendore e Shkodrës ka sekuestruar disa prej kamerave të sigurisë pranë lulishtes ku ndodhi atentati ndaj 64-vjeçarit, i cili përveçse deputet në vitet 2005-2009, ishte edhe kryetar i Komunës Velipojë në vitet 2011-2015 nën logon e Partisë Socialiste.
Nga kamerat e sigurisë, autori i dyshuar shihet duke u larguar me vrap në një prej rrugicave dytësore që të çojnë në pedonalen “Kolë Idromeno” në qendër të qytetit. Autori nuk dallohet qartë dhe shfaqet si siluetë në kamera, kjo për shkak të errësirës që ka qenë në momentin e vrasjes.
Policia nuk ka arritur që të identifikojë as fytyrën e autorit, por as se çfarë mbante veshur apo detaje të tjera rreth tij. Ndërkohë, edhe një ditë pas vrasjes efektivët janë rikthyer në vendin e ngjarjes duke bërë këqyrjen për të gjetur gëzhojën e plumbit me të cilin u qëllua 64-vjeçari Ujka, i cili fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe pas afro një ore e gjysmë humbi jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Ish-kryekomunari mori vetëm një plumb në mes të shpatullave në shtyllën kurrizore.