Bashkëqeverisje PD-PS? Berisha hedh akuza: Basha po josh demokratët me poste drejtorësh dhe zëvendësministrash

Ish-kryeministri Sali Berisha, hodhi akuza në drejtim të kreut aktual të PD-së Lulzim Basha, se po josh delegatët e Kuvendit Kombëtar duke u premtuar poste drejtorësh dhe zëvendësministrash në qeverinë e Ramës.  Palët kundërshtare në betejën e shifrave për të tërhequr delegatët pranë tyre. Basha: Deklaratat e Berishës janë trillim.

Ish-kreu i PD-së dh eish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza të forta drejt kreut aktual Lulzim Basha, duke dyshuar se prej ditësh ka nisur “joshjen” për të mbledhur firmat për Kuvendin Kombëtar të datës 18 duke u premtuar poste drejtorësh dhe zëvendësministrash në qeverinë Rama. “Detyra jonë është që këtë narkoshtet ta përmbysim njësoj si përmbytëm diktaturën komuniste. Për të realizuar këtë mision ne duhet të shndërrohemi në opozitë të vërtetë. Sepse në 8 vite peng kryetari në çoi nga dështimi në dështim. Me qëndrimet e tij defaktorizoi PD.

Dy ditët e fundit peng kryetari me një grusht vasalësh po përpiqet të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorash dhe zëvendësministrash në kabinetin e Edi Ramës. Le ti themi futuni në qeveri si tradhtarë, por do ju përmbysim në një kohë të shkurtër”, tha Berisha. Akuzat kanë ardhur vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga vetë Berisha, ndërsa kryetari aktual Basha ka thirrur kuvendin një javë më pas më 18 dhjetor. Beteja mes të dyve duket se tashmë po bëhet për numra, pasi nevojitet që vendimet e Kuvendit Kombëtar që të kenë vlerë duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarësisë, prej 7600 delegatësh. Nga ana tjetër Basha pretendon se vetëm një Kuvend Kombëtar njihet dhe ai është i datës 18 dhjetor i thirrur prej tij dhe përkrahësve në strukturat drejtuese të PD-së. Beteja mes Berishës dhe Bashës nisi pas 9 shtatorit të këtij viti, kur Lulzim Basha vendosi të përjashtojë Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së, me kërkesë të SHBA-ve të cilët e shpallën ish-kryeministrin “non grata” në maj të këtij viti.

Basha: Trillim nga Berisha

Pas akuzave të Sali Berishës sot nga Bajram Curri se Lulzim Basha po mblidhte firma duke premtuar poste në drejtori dhe në kabinetin qeveritar Rama, vjen një reagim nga kryetari i PD-së. Përmes një mesazhi në Tëitter, Basha thekson se Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme. “Sali Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme, duke dashur t’i poshtërojë ata. Demokratët do të vijnë në Kuvend më 18 Dhjetor sepse duan bashkimin jo përçarjen, duan fitoren, jo izolimin e PD. Asnjë trillim dhe mashtrim nuk i’a zgjidh hallin Sali Berishës, sepse beteja e tij është për interesa personale, jo për demokratët”, shkruan Basha.

Lexo edhe :  PD paditi “Diellën”, hidhet shorti për relator në Gjykatën Kushtetuese

Berisha: Jemi në prag rithemelimi

Ish-kryeministri, Sali Berisha në takimin e zhvilluar me demokratët në Bajram Curr, deklaroi se detyrë e Partisë Demokratike është të përmbysë narkoshtetin njësoj sikurse rrëzoi diktaturën komuniste. Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se për të realizuar këtë mision, atëherë PD duhet të shndërrohet në një opozitë të vërtetë, ndërsa shtoi se kreu i PD, Lulzim Basha në këto 8 vite e defaktorizoi Partinë Demokratike. Ndërsa hodhi akuza ndaj kryedemokratit Basha, Berisha u shpreh se Basha po përpiqet të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorësh apo zëvendësministrash në kabinetin e kryeministrit Edi Rama. “Ne jemi në prag të një ngjarje historike, të rithemelimit të PD sepse udhëheqja është marrë peng. Pa parti Demokratike dhe pa opozitë të fortë nuk ka pluralizëm në Shqipëri. Më lejoni zoti kryetar i dashur deputet të falënderoj të gjithë delegatët e rrethit të Malësisë së Gjakovës për firmat e tyre historike. Përse Berisha u angazhua tani dhe jo më parë? Kam kërkuar të falur që kur i kërkova peng kryetarit të japë dorëheqjen…dhe më tha jo, unë duhet të hiqja dorë nga vendimi im i largimit pa kthim, por nuk e bëra. A ka lidhje kjo siç duan ta paraqesin me masë që ka marrë Departamenti i Shtetit, ju them që jo. Blinken njoftoi në ‘Tëitter’ se më kishte shpallur non-grata dhe unë i thashë që kjo është vepër e lobimit korruptiv i Xhorxh Soros dhe Edi Ramës”, tha më tej Berisha.