Ndonëse Evropa ka dhënë alarmin për “Omicron”, variantin e ri të Covid-19, dyshohet se edhe në vendin tonë mund të jetë futur virusi i ri. ISHP ka dërguar për analiza më të specializuara disa kampionë të pacientëve dhe pritet përgjigjet. Ministria e Shëndetësisë bën thirrje për vaksinim masiv.
Ndërsa Evropa është vënë në alarm për variantin e ri të Covid-19-ës, edhe Shqipëria nuk ka bërë përjashtime. Dyshohet se pas rasteve të para në Itali, edhe në vendin tonë mund të ketë hyrë variant i ri “Omicron” i cili ndryshe njihet edhe si variant afrikan. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron në disa vende, teksa bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19. Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.
“Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën”, tha Manastirliu.sipas saj, është duke u bërë një vlerësim të imtësishëm të gjitha masave aktuale që kemi në luftën kundër Covid19 duke filluar nga masat ekzistuese të qarkullimit, të distancimit dhe të vendosjes së maskave në ambientet e brendshme.
“Janë elemente shumë të rëndësishëm të cilët duhet të vazhdojnë që të zbatohen nga të gjithë qytetarët, pasi kjo është një betejë e cila fitohet vetëm nëse qytetarët dhe autoritetet janë së bashku në zbatimin e këtyre masave të thjeshta. Sigurisht duke vijuar me rritjen e mbulesës vaksinale dhe me vaksinimin qoftë me dozat e para, qoftë me duke u vaksinuar plotësisht për të mos vonuar vaksinën apo dozën e dytë dhe qoftë për të bërë vaksinën përforcuese apo dozën e tretë, tha Manastirliu. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha: “Omicron nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë. Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj. Për sa i përket formave të rënda, natyrisht shtimi i rasteve mund të pasohet edhe me format e rënda. Ajo çka ka rëndësi është që të vlerësohet ai evitimi i imunitetit qoftë natyror qoftë edhe nga vaksina. Megjithatë kemi të dhëna, jo të gjitha të dhënat e mundshme, por që vaksina ka një efektivitet prandaj është shumë e rëndësishme të vaksinohemi”, tha Bino.
Bilance të rënda në spitale
Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan pesë humbje jete nga të prekurit me Covid-19, ndërsa u evidentuan gjithshtu edhe 228 raste të reja. Aktualisht në të gjithë vendin janë 6694 pacientë aktivë me COVID-19. Në spitale janë të shtruar 148 pacientë nga të cilët 14 janë në gjendje më të rënduar. Janë shëruar 594 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 190,378 që nga fillimi i epidemisë. “Gjatë 24 orëve të fundit u kryen 1513 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 228 qytetarë, në këto bashki: 110 në Tiranë, 10 në Fier, nga 9 qytetarë në Vlorë, Sarandë, Berat, nga 8 qytetarë në Mallakastër, Lushnje, Durrës, nga 6 qytetarë në Shkodër, Kavajë, Tepelenë, nga 5 qytetarë në Elbasan, Gjirokastër, 4 në Skrapar, nga 3 qytetarë në Përmet, Divjakë, nga 2 qytetarë në Vau i Dejës, Lezhë, Kamëz, Korçë, Dimal, Gramsh, nga 1 qytetar në Kuçovë, Dibër, Krujë, Kurbin, Kukës, Has, Malësi e Madhe. Janë 6694 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin”0thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 148 pacientë, nga të cilët 14 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit ka 5 humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv: një qytetar nga Fieri 38 vjeç, një qytetare nga Pogradeci 70 vjeçe, një qytetar nga Korça 70 vjeç, një qytetar nga Berati 85 vjeç, një qytetar nga Vlora 90 vjeç.