Tensionet në PD sa vijnë edhe shtohen, teksa po afron edhe 11 dhjetori, dita kur Sali Berisha ka deklaruar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD. Ndërkohë bëhet me dije se vetëm 2 ditë para kësaj dite, më 9 dhjetor do të vijë në Tiranë i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ky i fundit vjen në Tiranë në ditën ndërkombëtare antikorrupsin, ndërsa nuk bëhen ende me dije të tjera detaje për vizitën.
Ndërkohë sipas “Reuters” Departamenti i Thesarit të SHBA do të vendosë një sërë sanksionesh javë e ardhshme për të shënuar Samitin e SHBA për Demokracinë.
Do të synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, korrupsion dhe që minojnë demokracinë, akuza këto dy të fundit mbi bazën e të cilave u shpall ‘non grata’ edhe Berisha. Nuk jepen ende detaje për personat që do të përballen me sanksione.
SHBA ka shfaqur hapur distancimin nga Berisha, teksa vetë ambasadorja Yuri Kim ka deklaruar se nëse Berisha merr drejtimin e PD, nuk do të bashkëpunojnë më me këtë forcë politike.