Pekini është kundërpërgjigjur pasi Uashingtoni shpalli një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore të ardhshme, duke thënë se liderët amerikanë nuk ishin ftuar në këtë event, dhe duke e cilësuar këtë lëvizje si “manipulim politik”.
I pyetur në lidhje me bojkotin e shpallur nga administrata Biden të hënën, një zëdhënës i ambasadës kineze në SHBA, Liu Pengyu, tha për Reuters se vendimi binte në kundërshtim me “frymën” e Lojërave Olimpike, por nuk do të kishte asnjë efekt negativ në lojërat, të vendosura për Kinën në shkurt.
“Një akt i tillë është vetëm një manipulim politik dhe një shtrembërim i rëndë i frymës së ‘Kartës Olimpike’. Në fakt, askujt nuk do t’i interesonte nëse këta njerëz do të vijnë apo jo dhe kjo nuk ka asnjë ndikim që Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 të mbahen me sukses” , tha ai.
Asnjë ftesë nuk u është bërë politikanëve amerikanë, ndaj ky ‘bojkot diplomatik’ vjen thjesht nga hiçi.
Liu shkoi edhe më tej në një postim vijues në Twitter, duke shpërndarë një grafik me tekst që denonconte “Gjendjen e Demokracisë në Shtetet e Bashkuara”. Ai vazhdoi të thoshte se sistemi amerikan bazohej në “një lojë parash në politikë”, e sunduar nga një “elitë pakicë” dhe kishte një “krizë besimi”.
Ndërsa administrata e Biden vuri në dukje se atletët amerikanë do të lejohen ende të garojnë në Lojërat Olimpike, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se zyrtarët amerikanë nuk do të merrnin pjesë, duke përmendur pretendimet për “krime kundër njerëzimit” kundër pakicave etnike dhe fetare në provincën Xinjiang të Kinës dhe ” shkelje të tjera të të drejtave të njeriut”.
Ministria e Jashtme kineze e denoncoi këtë akt menjëherë pasi u njoftua, me zëdhënësin Zhao Lijian duke paralajmëruar “kundërmasa”. Ambasada e Pekinit në Republikën Çeke gjithashtu ka biseduar me homologun e saj amerikan në internet, duke i thënë Uashingtonit “të ndalojë së përkëdheluri me veten” dhe duke thënë që në radhë të parë zyrtarët amerikanë nuk ishin ftuar në lojëra.