U lind më 15 mars 1875, në Konicë dhe u nda nga jeta 15 dhjetor 1942 në Uashington
146 vjet më parë lindi një prej mendjeve më të mprehta shqiptare, Faik Konica. Ai ishte propagandues i çështjes kombëtare, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.
Lindi në Konicë më 15 mars 1875. Në një familje të vjetër feudale, mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më pas hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Studimet e plota i kreu në Francë dhe SHBA. Ai mësoi gjithnjë dhe thoshte vetë se ishte një student i përjetshëm.
I dituri e i kulturuari
Faik Konica mbahet si një nga njerëzit më të ditur në kulturën shqiptare të shekullit XX, ku dhe kishte fituar disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonshme. Konica përmendet në historinë e vërtetë të kulturës sonë kombëtare, si krijues i prozës moderne, shkrimtar i talentuar e poet me ndjesi të veçanta, eseist i rrallë, themelues i kritikës letrare shqiptare, publicist, përkthyes, mjeshtër i gjuhës shqipe dhe studiues i gjuhëve të tjera. Në rrethet intelektuale të Parisit, ai njihej si një nga shqiptarët më të kulturuar, zotërues i disa gjuhëve, i papërmbajtshëm në polemikë, kur bëhej fjalë për mbrojtjen e dinjitetit të kombit shqiptar, i gatshëm t’u përgjigjej në çdo gjuhë, atyre që fyenin atdheun, ashtu siç dinte ai vetë.
Atdhetar e diplomat
Ku dhe Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare.
Faik Konica zhvillon veprimtari të gjerë kulturore, por ai shquhet edhe me veprimtarinë e dendur diplomatike. Ndërsa në fushën e publicistikës që nga viti 1896 angazhohet me tërë qenien e vet për botimin e organeve të ndryshme publicistike, ai paraqitet si një nga themeluesit dhe mjeshtrit e publicistikës shqiptare. Publicistika e Konicës shquhet jo vetëm për problematikën e pasur, por edhe për nivelin e lartë mjeshtëror. Ajo karakterizohet nga patosi atdhetar dhe nga shqetësimi qytetar, siç dallohet edhe për forcën e argumentimit dhe aftësitë e shquara shprehëse. Tipari kryesor i saj është fryma satirike, fryma stigmatizuese dhe mohuese ndaj prapambetjes, injorancës, së keqes.
Kontributi i tij si poet i shquar shihet edhe në faqet e revistës Albania, ku botoi vjershat “Gjuha jonë” , “Flamuri”, “Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve”. Të njohura janë edhe vjershat satirike “Anadollaku” dhe lirike “Helena e Trojës”. Ndërsa disa nga prozat artistike që kanë tematikë të kufizuar, por që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të intelektualit atdhetar si dhe mallin për vendlindjen janë: “Një liqen”, “Anës liqenit”, “Bora”, “Malli i mëmëdheut” etj. Sado që me tematikë të kufizuar ato pasqyrojnë tërthorazi gjendjen shpirtërore të një intelektuali atdhetar dhe mallin për vendlindjen. Të shkruara me një gjuhë të bukur e ndjenjë të hollë, me mbresa e detaje të goditura, këto proza mbeten shembuj, në llojin e tyre në letërsinë tone, ku prekin tema të ndjeshme.
Poet e prozator
Kontributi i tij si poet, prozator, kritik letrar, pamfletist dhe si përkthyes është shumë i madh. Ku dhe vërehet qartë në shkrimet e tij, ku njëzet poezitë dhe prozat e tij poetike, sajojnë një vëllim poetik, në të cilin trajton motive dhe tema të larmishme. Portretet letrare dhe prozat e shkurtra, të shpërndara në shtypin dhe në periodikun e kohës, si edhe poezia, bëjnë një vepër të veçantë letrare. Në kuadër të krijimtarisë së këtij krijuesi të famshëm shquhet sidomos proza e gjatë dhe eseistike, ku bëjnë pjesë: “Katër përralla nga Zullulandi”, “Shqipëria si m`u duk”, “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore dhe shkrime të tjera”, “Çmimi i Revistës “The Jugde” etj.
Gjuhëtar e përkthyesi
Qëndrimi i Faik Konicës ndaj gjuhës letrare kombëtare ishte sa largpamës aq edhe i drejtë, mendim ky që edhe pas nëntë dekadave, pothuaj afro një shekull, është aktual dhe plotëson kërkesat imperative të epokës së gjuhës së njësuar letrare: “Një nga çështjet më të rënda të gjuhës shqipe është pa fjalë, çështja e themelimit të një gjuhe letrare. Kemi nëntë vjet që shënuam nevojën e atij themelimi , kemi nëntë vjet që duke trajtuar “Albanien” si një urë të vërtetë për të bashkuar gegët e toskët, gati më udhën e atij themelimi aq të nevojshëm, sa pa të nuk do të quhet kurrë komb i vërtetë populli ynë”.
Faik Konica është njëri ndër përkthyesit më të shquar. Shqipëroi veprat e disa shkrimtarëve të letërsisë botërore, siç janë: Kalidasa, Pjer de Ronsar, La Bryer, Viktor Hygo, Hajne, Sheli, Shiler etj. Në revistën “Albania” përktheu dhe botoi fragmente të “Iliadës” dhe të “Odisesë” të Homerit, fragmente të veprës së Hesiodit.
Në fund
Faik Konica vdiq në Uashington më 14 dhjetor 1942. Eshtrat iu rikthyen në atdhe në vitin 1995.