Këshilli Europian ka miratuar përfundimet e raportit mbi stabilizimin dhe anëtarësimin në BE të Shqipërisë. KE vlerëson se hapja sa më shpejt e tryezës së parë ndërqeveritare mbetet prioritet, sapo të miratohet kuadri negociator, edhe pse nuk ka ende një datë të përcaktuar.
Këshilli Europian ka dhënë dritë jeshile për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Dje, Këshilli Europian ka miratuar konkluzionet për procesin e zgjermit për Shqipërinë. Këshilli ka mirëpritur vendosmërinë e vazhdueshme të Shqipërisë për të çuar përpara axhendën e reformës së BE-së, që i hapi rrugën vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Mes të tjerash vlerësohen reformat e ndërmarra, ndërsa nënvizohet fakti se ende shqetësues ngelet korrupsioni. Në raport thuhet se pritet që shumë shpejt të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare, pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli. Si hapa pozitiv konsiderohen zgjedhjet e 25 prillit dhe rikthimi i opozitës në Parlament, arrestimet nga SPAK, për vettingun e prokurorëve dhe të gjyqtarëve. Ndërsa pritet më shumë për median dhe shoqërinë civile si dhe për administratën publike.
Zgjedhjet e 25 prillit
Në raport thuhet se zgjdhjet e mbajtura në 25 prill 2021 janë vlerësuar si të mirëorganizuara në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërsa ka vlerësuar edhe rikthimin e opozitën në Kuvend. “Këshilli gjithashtu inkurajon zbatimin e mëtejshëm të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Këshilli nënvizon se dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vendi mbetet vendimtar dhe në këtë kontekst, Këshilli mirëpret rikthimin e opozitës në parlament”, thuhet në raport.
SPAK
Në raportin e Këshillit Europian është shkruar edhe për reformën në drejtësi si dhe për arrestimet nga SPAK. Atzy thuhet se ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Strukturat e specializuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPAK) kanë treguar tashmë rezultate e para pozitive. Përpjekjet për krijimin e një historie solide duhet të vazhdojnë, duke përfshirë korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar nëpërmjet hetimeve proaktive dhe vendimet përfundimtare, dhe përmes zbatimit të mëtejshëm të planit të veprimit për të adresuar Rekomandimet e Task Forcës së Veprimit Financiar, siç duhet bashkëpunimi i mirë me autorietet përkatëse të vendeve anëtare të BE-së”, thuhet në raport.
Vettingu dhe gjykatat
Këshilli i Europës thotë se procesi i vettingut ka ecur me rritme të kënaqshme për ndërkombëtarët, ndërsa ka inkurajuar autoritetet shqiptare që të vazhdojnë finalzimin e këtij procesi me sukses. “Këshilli mirëpret që procesi i vetingut ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme dhe ka sjellë rezultate të prekshme, dhe inkurajon autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të gjitha përpjekjet për të lejuar që procesi të finalizohet me sukses”, thuhet në rasportin e KiE. Po ashtu një tjetër pikë që Shqipëria ka marrë notë pozitive është edhe rifillimi i punës së Gjykatës së Lartë. “Këshilli mirëpret rifillimin e funksionimit të Gjykatës së Lartë pasi ka rifituar një kuorum të mjaftueshëm për të ecur përpara në gjykimin e çështjeve, ndërsa më tej emërimet duhet të vazhdojnë, në mënyrë që të plotësohen të gjitha vendet e lira. Këshilli gjithashtu mirëpret që Gjykata Kushtetuese rifitoi funksionalitetin e plotë përmes emërimeve shtesë”, shkruhet në raport.
Media dhe administrata
Këshilli Europian i bën thirrje Shqipërisë të rifillojë përpjekjet për të bërë përparim të prekshëm sa i përket lirisë së shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve. “Këshilli rithekson rëndësinë e sigurimit që amendamentet në ligjin për median të jenë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare, nëse ligji do të shqyrtohet më tej nga parlamenti”, shkruhet në raport. Këshilli vlerëson reformën e administratës publike dhe inkurajon Shqipërinë të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet e saj lidhur me këtë. “Koordinimi brenda administratës publike ka nevojë për përmirësim, veçanërisht për integrimin e proceseve të planifikimit të politikave dhe buxhetimit, si dhe për çështjet e integrimit në BE”, thuhet në raportin e publikuar në faqen zyrtare të KiE. Po ashtu Këshilli kërkon krijimin e agjencive të reja të organizatave të shoqërisë civile për të bërë kontrolle në qeveri. ”Krijimi i agjencive të reja duhet të jetë një progres gjithëpërfshirës me përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile dhe duhet të jetë i favorshëm për kontrolle e balancime dhe për efikasitet. Sa i përket emigrimit, numri i përgjithshëm i kërkesave të pabazuara për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në BE është ulur ndjeshëm, por duhet të monitorohet nga afër dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme nga autoritetet shqiptare”, thuhet aty. Këshilli mirëpret gjithashtu që Shqipëria vijojë dialogun për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësore, të cilat mbeten thelbësore. Këshilli vlerëson bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë dhe përafrimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe faktin që kjo histori ka qenë e qëndrueshme me kalimin e kohës. Ai shtyn Shqipërinë të ketë pjesëmarrjen e vazhdueshme aktive të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e BE-së në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes.