Nga Lorenc Vangjeli
Edhe e shtuna që lamë pas ishte një përplasje agjendash mes kryetarit të PD Lulzim Basha që mblodhi Kuvendin Kombëtar dhe ish-liderit Sali Berisha që bëri refendumin për tu njohur vendimet e Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit. Me këtë që po ndodh brenda forcës më të madhe opozitare, a kemi dy PD, një e tërhequr nga Berisha, një nga Basha?
Ajo që po ndodh me PD-në është rasti klasik i lojës së shifrave. Në këtë rast, dy janë shumë më pak se një. Pra, dy “PD” të reja, janë shumë më pak politikisht se PD e djeshme. Dhe nëse kujtohet cfarë të gjithë po duan ta shmangin, edhe ne ditët e saj më të mira, PD ka qenë minorancë në listat e KQZ-së përballë kundështarit të saj. Ky është një argument i thjeshtë që dy PD-të që po rajëvizohen janë thjesht shami për xhep kostumi të njërit apo tjetrit dhe aspak një kontribut i tyre për mundësinë që të sjellin demokratët në pushtet. Eshtë beteja egoiste e dy politikanëve egoistë, njëlloj të papërshtatshëm për të udhëhequr opozitën, por për arsye të ndryshme. Ata mund të gëzojnë për pronësinë në parti, por duke e ndarë, ata e kanë vrarë pothuaj në mënyrë të pakthyeshme atë parti. Ka vetëm një udhë që mund të shmangë dezintegrimin e PD-së dhe spiralen e shkëmoqjes se saj: largimi i të dyve nga PD. Basha duhet të bëjë atë që nuk e bëri në mesnatën e 25 prillit, Berisha atë që duhet ta kishte bërë që 25 vjet më parë. Por që atëherë, në 1996-ën, ai ka marrë peng partinë dhe më të edhe Shqipërinë, sot duke e lënë Shqipërinë peng të vullnetit të Ramës, mjaftohet vetëm me partinë.
Çështja e dy Kuvendeve duket se do të përfundojë në Gjykatë, përveç anës juridike që ka rëndësinë e saj, po aspektin politik si e komentoni?
Eshtë një partiturë që të gjithë e kanë kënduar sipas veglës vetjake. Gjykata (vendimi përfundimtar mund të zgjasë edhe me shumë muaj), selia, vula, përfaqësimi zyrtar, sigla dhe flamuri, kanë vërtet një rëndësi të posaçme, por nuk është ky rasti. Çdo vendim i gjykatës nuk zgjidh asgjë në thelb. Eshtë kurë me aspirina për një sëmundje që i ka prekur trurin PD-së, është fizioterapi për shtyllën kurrizore që është prekur nga metastazat kancerogjene të urrejtjes brenda llojit. Çdo vendim i gjykatës mund të kushtëzojë emrin e kryetarin në listë protokolli, por njëri do të ndruhet të hyjë në seli për shkak të kontestimit të militantëve, tjetri sepse do të zhgënjejë edhe militantin më të thjeshtë me “Non grata-n” për të ardhur në pushtet. Partia është shumë më shumë se kaq. Eshtë shumë më shumë se bravë dhe kyç dhe përputhje e çelësit të duhur me bravën reciproke. Partia është frymë dhe frymëzim dhe dy B-të e PD e kanë të pamundur ta bëjnë një gjë të tillë për partinë e tyre dhe aq më pak, për gjithë opozitën.
Duket se Berisha ka kapur bazën e PD-së jo vetëm në shifra pot edhe në “frymë” . A po faktorizohet ish- kryeministri Berisha, teksa ka paralajmëtuar se do të udhëheqë protestat e opozitës në vijim?
Berisha e paralajmëroi në kuvendin e stadiumit kokteilin që afron me protesta: kundër regjimit dhe me tone nacionaliste. Kundër Ramës dhe Vuçiç. Duke hequr një paralele mes tyre, ai do të synojë që protesta që dëshmon forcë, të jetë poli që tërheq të pavendosurit e PD-së. Në fakt, ky është edhe serbatori i PD-së berishiste, e cila si hap të rradhës, do te ketë nevojë për të thithur sa më shumë deputetë nga grupi parlamentar. Kjo protestë do të transferohet e njëjtë në thelb dhe fare pak e ndryshme në formë edhe në parlament. Aty ku trekëndëshi i gojëtarëve, Rama, Berisha, Basha do të japin shfaqje orale për shqiptarët. Interesante është të shihet sesi do të sillet Rama me këtë lloj beteje, që e ka klasifikuar me kohë tek fitoret e tij, sidomos me rikthimin e Berishës në parlament. Me gjasë do tu drejtohet të dyve njëherësh duke ju thënë se duhet të ndajnë dualizmin mes tyre, me gjasë Berishës do ti përmendë non stop non grata-n, kurse Bashës do ti kujtojë frikën se mos shpallet non grata edhe tek oborri i PD-së.
Nga kjo situatë përçarje brenda PD-së, a i sjell komoditet Kryeministrit Edi Rama, apo dobësimi i fortë i opozitës zyrtare i vë përballlë Ramës një opozitar qytetar në vijim?
Raporti mes pozitës dhe opozitës është një ekuilibër dinamik që ndryshon në mënyrë reciproke. Një opozitë e dobët është një parakusht për një maxhorancë arrogante dhe anasjelltas. Në të dy rastet, një shërbesë e gabuar e politikës për shoqërinë. PD-ja sot është aseti më i madh i Ramës, i cili e di më mirë se kushdo, që opozita qytetare ndaj tij është shumë herë më e madhe se vetë PD-ja, por që për fatin e tij të mirë dhe për fatin e keq të shqiptarëve, është opozitë e papërfaqësuar, e zhurmshme vetëm në rrjete sociale dhe dhunshme vetëm me vetveten.
Pavarësisht dobësimit të Bashës si kryetar i PD-së, faktori ndërkombëtar deri tani është në mbështetje të tij. Por nëse Berisha marrë zyrtarisht PD-në, çfarë qëndrimesh pritet të ketë faktori ndërkombëtar duke marrë parasysh çështjen “non grata”?
Nuk ka direkt mbështetje ndërkombëtare për Bashën, por ka rreshtim në një front me të kundër Berishës. Së paku nga amerikanët në mënyrë direkte dhe më pak, edhe me dyzimet e evropianëve. Kushdo tjetër në vend të të dyve, do të kishte më shumë mbështetje se të dy të marrë së bashku. PD-ja me Berishën në krye do të ishte oferta më e keqe që mund t’i afrohej së nesërmes politike të vendit dhe ajo nuk do të justifikohej si përfundim, edhe pse ai mund të jetë përfundimisht mjeti i keq që shërbeu për një punë të mbarë: largimin e projektit humbës të PD-së së deritanishme.