Legjendat e Premier Ligës, Martin Kion dhe Xho Kol, ndoshta nuk e dinë se çfarë deklarate ka bërë trajneri Edi Reja për sjelljen e Armando Brojës, por ata nga ana tjetër i kanë thurur lavde talentit të Kombëtares shqiptare, për nisjen fantastike të sezonit me Sauthemptonin. Talenti i huazuar në “StMary’s” nga Çelsi, shënoi golin e gjashtë për “Shenjtorët” mbrëmjen e së mërkurës kundër Kristal Palasit dhe bëri një tjetër paraqitje që la gjurmë në skuadrën e Ralf Hazenhytelit, e cila këtë fundjavë nuk luajti si pasojë e shtyrjes së ndeshjes kundër Brentfordit. Brojës i mjaftoi një prekje për të lëshuar një goditje nga 21 metra dhe mposhtur Xhek Batlendin dhe përmbysur momentalisht rezultatin në mesjavë. Paraqitja e tij fiton pikë të tjera edhe prej faktit se tekniku austriak i ka besuar vetëm pesë ndeshje titullar deri tani këtë sezon, pas një nisje të ngadaltë të sezonit. Sfida e ardhshme e 20-vjeçarit është të vazhdojë të shënojë duke forcuar pozitat për një rikthim të mundshëm në “Stamford Bridge” në fund të sezonit, ku do të mund të rivalizonte me Romelu Lukakun, Kai Havercin dhe Timo Vernerin, në nivelin më të lartë të mundshëm.
VLERËSIMET
Dhe dy legjenda si Martin Kion dhe Xho Kol besojnë se Broja e ka talentin për t’u bërë një lojtar i klasit elitar në Premier Ligë. “Ai duket i denjë, apo jo, – tha ish-legjenda e Arsenalit duke komentuar për mikrofonat e televizionit “BT Sport”.
– Ai duket me vetëbesim dhe po e rrit staturën e tij. Por kjo është diçka e shkëlqyer për Çelsin, me lojtarët që ka huazuar të cilët po shkëlqejnë. Tani ata e dinë se mund të kthehen dhe hyjnë në skuadër, sepse trajneri do ta bëjë këtë për ta”. Sa i përket ish-mesfushorit të Çelsit, Xho Kol, i cili e njeh Brojën nga afër pasi ka punuar me moshat në qendrën stërvitore të bluve “Cobham”, ka ngelur i befasuar me hapat që talenti ka bërë që kur është huazuar te Sauthemptoni. “Unë kam punuar me të dhe ai është një lojtar me të vërtetë i talentuar, është një superprofesionist i vërtetë”, komentoi ish-ylli i kombëtares angleze për “BT Sport”. “I mungonte pak përvoja se si sillej brenda dhe jashtë zone, por ai ka pasur një sjellje të shkëlqyer, ka punuar fort çdo ditë dhe tani po korr frytet e punës së tij. Ai është një tjetër futbollist që e prodhon akademia e Çelsit, e cila vazhdon të nxjerrë talente”, përfundoi ish-futbollisti i Çelsit Xho Kol.
-Broja me të drejtë po merr vlerësime nga ish-futbollistë elitë dhe trajnerë me dhjetëra trofe në karrierë, por kjo nuk vlen për trajnerin tonë të ekipit kombëtar Eldorado Reja. Pikërisht në kulmin e shkelqimit të 20-vjeçarit Broja, që për kombëtaren tonë është më shumë se një luks për ta pasur në ekip, Reja ka shfrenuar gjuhen, duke e akuzuar se Broja nuk është i pjekur dhe se nuk ka lidhjen e duhur me punën në grup. Madje paraljmëroi se “nuk ka vend në kombëtare dikush që nuk shkrihet me grupin”. Një deklaratë vertë e paprecedent, duke konmfirmuar se trajneri e ka kaluar më shumë se personale dhe aspak sportive.