(Përshtypje dhe mbresa nga gazetari dhe diplomati Javer Malo)
Një ditë maji të vitit 1946, më thirrën në Komitetin Qendror dhe shoku Gogo Nushi më komunikoi se isha emëruar atashe shtypi në përfaqësinë tonë të re, që do hapej së shpejti në Paris. Sapo kisha mbushur një vit që kisha filluar punën në gazetën “Bashkimi“, i vetmi organ i përditshëm i shtypit tonë.
Franca ishte e vetmja nga tre fuqitë e mëdha perëndimore që e njohu pa asnjë kusht qeverinë Demokratike Popullore të Shqipërisë dhe vendosi shpejt marrëdhënie diplomatike me të . Në atë kohë unë isha 26 vjeç dhe nuk kisha as idenë se ç’ishte puna e një atasheu shtypi.
Ekipi ynë, prej gjashtë vetësh, u nis më 21 qershor të vitit 1946 nga Tirana për në krye të detyrës për të hapur përfaqësinë tonë diplomatike në Paris. Shefi i misionit ishte Kahreman Ylli, sekretari i parë ishte Llambi Dishnica, unë isha atashe shtypi dhe tre teknikë. Pas shumë peripecish të mungesës së mjeteve të transportit ajror dhe hekurudhor, më 6 korrik në orën 23.00 arrita në Paris, në hotelin “Lankaster“, pranë Shans-Elizesë.
Sapo përfaqësia filloi punën e saj përkohësisht në hotelin “Claridge“, një hotel i madh në Shans Elize, që tani nuk ekziston më si i tillë, ajo u ndesh shpejt me probleme të ndërlikuara.Ambasadori Kahreman Ylli, që porsa ishte kthyer nga Tirana, më tha se e kishte porositur shoku Enver Hoxha që të gjente një avokat francez për Gjyqin e Hagës. Ti njeh shokë në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste dhe në gazetën “Humanite“, shko tako ndonjerin prej tyre dhe thuaj në se partia mund të na rekomandojë një avokat. Pasdite shkova në takim te shoku që drejtonte Seksionin e Jashtëm në Komitetin Qendror dhe i spjegova se ç’kërkoja prej tij. Të nesërmen Manjeni, kështu quhej shefi i Seksionit të Jashtëm, erdhi në ambasadë. Ai më komunikoi se udhëheqja e Partisë rekomandonte si avokat Pjer Kotin. Por tha se as Moris Torez dhe as Zhak Dyklo, nuk e dinë në se Pjer Koti do të pranojë. Ata e rekomandojnë si avokatin më të mirë e më të shquar në Francë, por Ju duhet të bini vetë në kontakt me të. Pastaj Manjeni më tha: Pjer Koti nuk është komunist, por është njeri i ndershëm, patriot dhe përparimtar.
Pjer Koti nuk ndodhej në Paris. Ai ishte larguar për të pushuar në fshatin e tij në Alpet e Savojës, diku afër Shamberisë. Kahremani u nis për në Alpe që të takohej me avokatin e pë rmendur, i cili ishte dhe deputet i asaj zone në Asamblenë Kombëtare. Kahremani u kthye prej andej i kënaqur. Pjer Koti kishte pranuar të ishte avokati ynë në Gjyqin e Hagës. Ai nuk kishte pranuar as para, asgjë , veç kishte vënë një kusht: Donte të kishte me vete një specialist të çështjeve detare. Po të ishte dakord Qeveria Shqiptare, ai mund të na rekomandonte admiralin Mulek, i cili ishte një specialist i shquar. Kahreman Ylli iu vu punës për të pregatitur dosjet për avokatin, i ndihmuar nga personeli i vogël e pa përvojë i përfaqësisë.
U ktheva në Paris nga Gjeneva ditët e para të dhjetorit 1948, ku mora pjesë në konferencën për “Lirinë e informacionit”. Në Holandë gjatë gjithë kësaj kohe kishte vazhduar Gjyqi i Hagës për incidentin në kanalin e Korfuzit.
Ambasadori Kahreman Ylli do nisej edhe një herë për në Hagë, ai më propozoi të më merrte në Hagë për seancat e fundit. Ndonjë punë apo ndonjë ndihmë nuk kisha ç’t’i jepja. Por ky gjyq ishte, sidoqoftë , një ngjarje që do të mbetej në analet e marrëdhënieve të Shqipërisë me një nga fuqitë më të mëdha të kohës. Dhe pastaj “ku ta dish – më tha Kahremani – një ditë mund të të duhet kjo përvojë”.
Udhëtimin për në Hagë e bëmë me veturë. Po shkoja drejt një vendi të panjohur, do merrja pjesë në një proces me përpjestime të mëdha ndërkombëtare.
Pasi kaluam veriun e Francës me minierat e qymyrgurit, pasi kaluam Valoninë, zonën frankofone, që shtrihet nga kufiri francez deri në Bruksel, ku ishte zemra e industrisë belge, Kahremani i tha shoferit, ktheje djathtas, nja 15-20 kilometro para se të hynim në Bruksel, ke për të parë një gjë interesante, shtoi Kahremani, duke u kthyer nga unë . Në këtë mënyrë pata rastin të vizitoja Vaterlonë , fushën afër Brukselit, ku Napoleon Bonaparti u thye pë rfundimisht dhe u detyrua të shkonte në Shën-Helenë . Anglezët kanë dashur ta paraqesin Vaterlonë si fitoren e tyre. Ajo ishte fitore e gjithë monarkive të Evropës kundër një kapiteni gjenial. Anglia i kishte fituar gjithmonë betejat me gjakun e të tjerëve, nënvizon gazetari dhe diplomati i shquar Javer Malo në librin e tij “Përshtypje dhe mbresa”. Që nga koha e betejës së Vaterlosë Anglia i ishte kundërvënë çdo përpjekjeje sado të vogël drejt përparimit në Evropë, ajo ishte përpjekur të ndalte marshimin drejt progresit edhe në një vend të vogël si Shqipëria. Këtë kuptim kishte Gjyqi i Hagës.
Toka holandeze më la një përshtypje të jashtëzakonshme, pa asnjë kodër, pa asnjë çukë, ajo ndodhej nën nivelin e detit. Digat e mbrojnë atë nga përmbytjet. Kryeqyteti i Holandës ë shtë Amsterdami, por ministritë ,dhoma e deputetëve, senati, pallati mbretëror, ambasadat e huaja, të gjitha ndodhen në Hagë . Roterdami është porti shumë i madh i importit dhe eksportit lumor dhe detar për Holandën, gjithë Evropën e më gjerë.
Ne banonim në qendër të qytetit në një hotel të vogël si shumica e shtëpive të Hagës, të ndërtuara në një pjesë të mirë prej druri, por të qetë e komod. Në katin e parë banonim ne, dy shokët shqiptarë dhe avokatët e specialistët tanë në Gjyqin e Hagës. Në mes të katit, një sallon, ku takoheshim e bisedonim në orët e pushimit dhe poshtë gjithashtu një sallë e veçantë ku hanim drekën dhe darkën. Figura qendrore e kolektivit tonë të vogël ishte Pjer Kot. Jurist i përmendur, politikan i njohur, deputet, ish-ministër, ai ishte atëherë jo vetëm një nga oratorët më në zë të parlamentit francez, por edhe një nga personalitetet më të shquara të Francës. Pjer Kot kishte kulturë të gjerë. Njohuritë e tij mbi politikën ndërkombëtare ishin të thella. Ministër për një kohë të gjatë para luftës, ai kishte njohur personalisht shumë burra shteti të Francës e të vendeve evropiane. Profesor universiteti në moshën 26 vjeç, deputet i Savojës dhe ministër i Ajrit në moshën 33 vjeç, krijues i Air-France, kompanisë së madhe të aviacionit civil. Pjer Kot ishte antifashist, që e mori seriozisht luftën kundër fashizmit. Malësor nga Alpet, ai kishte guximin dhe qëndrueshmërinë e karakterit të njerëzve të maleve, mbi të gjitha ishte i thjeshtë e modest. Në bisedat për çështjet më të ndryshme që vinin rrotull në tavolinë Pjer Kot kishte mendimet e tij, por nuk prononcohej pa u kërkuar mendimin të tjerëve, pa iu drejtuar dhe daktilografistes që kishin sjellë me vete avokatët. Ishte një punëtor i madh, i tillë që nuk më kishte rënë rasti të kisha parë ndonjë herë. Ai punonte pesëmbëdhjetë orë në ditë, duke e ndërprerë punën në kohën e drekës, në kohë të darkës dhe herën e tretë nga mesi i natës, kur bënte pak pushim, duke lexuar një roman policor.
Gjykata Ndërkombëtare nuk është një gjykatë province. Procedura që ndiqet në të është e veçantë. Atje nuk shkon dot duke improvizuar. Vetëm puna titanike ka bërë juristë të dëgjuar. Pjer Kot e kishte marrë vonë dosjen e Hagës. Ajo ishte e vështirë dhe e ngatëruar. Anglezët kishin kohë që merreshin me të . Ata kishin caktuar si avokat juristin më të përmendur britanik, prokurorin e përgjithshëm Shoukros (Shoëcrosse) dhe si përfaqësues funksionarin e lartë të Ministrisë së Jashtme, Beket (Becket), jurist dhe ky. Këta ishin të rrethuar nga një armatë juristësh dhe nga gjithë shtatmadhoria e flotës së Mesdheut. Pjer Kotin e ndihmonin dy avokatë parizianë, një nënadmiral i flotës franceze, i nxjerrë parakohe në pension admirali Mulek dhe një komandant i një njësie bullgare, kapiteni Ormanov, i cili gjatë luftës kishte komanduar një nëndetëse sovjetike në Detin Baltik. Ndërsa Pjer Koti ishte elokuent, i këndshëm, admirali Mulek ishte i paktë nga fjalët. I veshur me një elegancë që të kujtonte origjinën aristokratike të marinës franceze, ky njeri i detit nga brigjet e Bretanjës, ish-atashe naval i Francës në disa vende. Me pushtimin e Francës, ashtu si dhe Pjer Kot, ai u hodh në Angli dhe qëndroi atje duke u bashkuar me gjeneralin Dë Gol. Me çlirimin e Francës admirali Mulek u largua nga golizmi dhe u afrua me krahun progresist.
Sapo Këshilli i Sigurimit, ditët e para të prillit 1947, adoptoi rezolutën përkatëse që çështja e incidentit të kanalit të Korfusit t’i kalohej Gjykatës Ndërkombëtare, qeveria britanike e drejtoi menjëherë në Hagë ankesën e saj kundër Republikës Popullore të Shqipërisë . Qeveria britanike veproi në mënyrë të parregullt në atë që ajo e quajti “Çminimi” i ujrave në brigjet tona të Jugut. Në mënyrë të parregullt po vepronte edhe tani duke iu drejtuar Gjykatës. Në Hagë procedura është e ndryshme nga ajo e gjykatave të juridiksionit kombëtar. Në këto të fundit, i padituri është i detyruar të dalë para gjykatës, sapo i bëhet e ditur padija. Në Gjykatën Ndërkombëtare punët janë ndryshe. Në të nuk mund të shkohet pa një marrë- veshje paraprake të palëve, të cilat duhet të pranojnë juridiksionin e saj. Qeveria angleze e dinte ndoshta më mirë se kushdo tjetër statutin e Gjykatës. Por ajo dinte më mirë edhe diçka tjetër, se statutet, kodet e procedurat mund të kapërceheshin me lehtësi. Gjyqtarët e Hagës nuk mund të vepronin në kundërshtim me qeveritë që i kishin emëruar atje.
Sapo mori ankesën britanike, Gjykata filloi të vepronte ashtu sikur ajo të ishte një gjykatë diku në Mançester apo në Liverpul, duke i dhënë vazhdimësi çështjes me njoftimin që i bëri qeverisë sonë . Qeveria jonë iu përgjigj Gjykatës me letrën e saj të datës 2 korrik 1947. Në këtë letër thuhej në thelb se qeveria britanike, kishte vepruar në kundërshtim me statutin e Gjykatës, duke iu drejtuar asaj në mënyrë të njëanshme. Por duke e ndier veten ballë hapët, Qeveria shqiptare ishte gati të dilte përpara saj.
Pasi mori këtë letër, Gjykata e hapi zyrtarisht procesin dhe caktoi afatin e paraqitjes së dokumenteve nga ana e palëve në konflikt. Qeveria angleze duhet t’i paraqeste dokumentet e saj më 1 tetor 1947 dhe Qeveria shqiptare, dy muaj më pas, më 1 dhjetor. Procedura kë- rkonte që palët të parashtronin ankesën dhe mbrojtjen e tyre me shkrim, para se të fillonin seancat orale e publike. Por në këtë fazë Qeveria jonë bëri një prapsim paraprak (exception préliminaire), duke kërkuar që Gjykata të deklaronte të papranueshme kërkesën britanike dhe pakompetencën e vet për të shqyrtuar çështjen pa marrëveshjen paraprake ndërmjet dy palë- ve në konflikt.
Gjykata, prapësimin e palës shqiptare e shqyrtoi në disa séanca publike, nga fundi i shkurtit në fillim të marsit 1948. Këto ishin seancat e para publike jo vetëm lidhur me çështjen e incidentit të kanalit të Korfuzit, por edhe me seancat e para të vetë Gjykatës. Ajo e fillonte veprimtarinë e saj me këtë çështje. Gjykata e hodhi poshtë prapësimin shqiptar dhe caktoi 15 qershorin si datë për paraqitjen e përgjigjes britanike. Megjithatë proçesi i vërtetë nuk mund të fillonte pa u arritur ai që në termin juridik quhet “kompromisi” ndërmjet palëve. Anglia e akuzonte Shqipërinë për vendosjen e minave në ujrat e kanalit. Shqipëria e akuzonte Anglinë për shkeljen e integritetit të saj. Pas shumë bisedimesh midis dy palëve u arrit në marrë- veshje që Gjykatës t’i paraqiteshin këto dy pyetje:
1) A është përgjegjëse Qeveria shqiptare për shpërthimin e minave në ujrat e kanalit të Korfuzit më 22 tetor 1946 dhe a është rasti për dëmshpërblim?
2) A ka bërë Qeveria britanike shkelje të integritetit të RP të Shqipërisë kur njësitë e flotës së saj kaluan në kanalin e Korfuzit më 22 tetor 1946 dhe më 12-13 nëntor, kur ajo dërgoi luftanijet e saj në ujrat gjatë bregdetit shqiptar për të kryer operacionin e spastrimit të minave?
Më 9 tetor 1948 filloi faza orale e procesit, që u zhvillua në disa séanca, gjer në muajin dhjetor të atij viti. Gjatë këtyre seancave u dëgjuan pikëpamjet e palëve, u dëgjuan dëshmues, oficerë të anijeve angleze, një major jugosllav i arratisur në Itali, qytetarë dhe funksionarë shqiptarë të portit të Sarandës, ekspertë të çështjeve detare të të dyja palëve. Midis seancave të para dhe të fundit një komision ekspertësh u dërgua në portin jugosllav të Shibenikut. Majori jugosllav i quajtur Kovaçiç, kishte dëshmuar para Gjykatës se më 18 tetor të vitit 1946 kishte parë në portin e Shibenikut dy anije të ngarkuara me mina gjermane që kishin filluar të vozitnin drejt jugut. Gjatë “ekspertizës“ të bërë në Maltë anglezët kishin përfunduar se minat e hequra nga ujrat tona ishin të fabrikimit gjerman. Me deklaratën e dezertorit jugosllav duhej të vërtetohej ekspertiza angleze e bërë në praninë e një oficeri francez. Por avokati ynë i bëri majorit jugosllav dy pyetje të thjeshta: Në ç’pikë të portit ndodhej ai kur pa anijet e ngarkuara me mina dhe sa ishte ora në atë çast? Ekspertët që shkuan në Shibenik konstatuan se nga ai kënd dhe në atë orë që tregoi jugosllavi jo vetëm që nuk shiheshin dot mina në anije, por nuk shiheshin dot as vetë anijet. Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra, megjithë masat e shumta që mund të marrë gënjeshtari, qoftë ky edhe një gë njeshtar i dhelpëruar si Anglia. Orën Kovaçiçit ia kishin sugjeruar anglezët, por, duke ngatëruar paralelet, atyre nuk u kishte shkuar ndër mend se atë herë në Shibenik ishte natë.
Seancat i kryesonte zëvendës kryetari, juristi francez Badevan. Në krah të majtë, përballë gjyqtarëve, përfaqësuesi i Qeverisë shqiptare, Kahreman Ylli, Pjer Koti dhe ndihmësit e tij. Prapa tyre, specialistët e çështjeve detare. Në anën e djathtë, përfaqësuesi i Qeverisë angleze Beket, avokati Shovkros e ndihmësit e tij, pas tyre një armatë admiralësh. Gjatë debateve ishte vështirë të dalloje një shenjë aprovimi ose mosaprovimi në fytyrat e 14 gjyqtarëve që dukeshin të gurta. Por diçka të veçantë , herë kënaqësi, herë ftohtësi më dukej se vija re në fytyrën e gjyqtarit Badevan. Në debatet pala angleze përdorte anglishten. Avokati ynë dhe përfaqësuesi i Qeverisë shqiptare përdorte frëngjishten. Prandaj kur flisnin këta Badevani më dukej se tregonte një fytyrë më të çelur. Gjyqtari françez ishte nga Lioni dhe Pjer Kot nga Shamberia malore, që është si një lagje e kryeqendrës së departamentit të Ronit. Zemra e Badevanit, në mos ishte me shqiptarët, ishte me avokatët e tyre. Por arsyeja, arsyeja e shtetit, i diktonte të vepronte kundër zemrës.
Debatet orale zgjatën rreth dy javë. Gjykata do të mblidhej për të dhënë vendimin e saj. Kjo mbledhje do të zgjaste rreth tre muaj! M’u duk një gjë e çuditshme dhe e pabesueshme. Por e kuptova arsyen e kësaj mbledhjeje të gjatë kur pashë vendimin. Ai ishte sa një libër i madh. Çdo gjyqtar i ka dhënë me shkrim mendimet dhe vërejtjet e tij.
Me mbarimin e seancave orale Kahreman Ylli u largua nga Parisi për në atdhe. Ai kish filluar nga puna ministër i Arsimit, kur Gjykata, më 19 prill, dha vendimin. Përpara saj palët në konflikt kishin shtruar dy pyetje. Vendimi i Gjykatës ishte në formën e përgjigjes ndaj tyre.
Për pyetjen e parë ajo u përgjigj se Qeveria e RP të Shqipërisë është përgjegjëse për shpër thimin e minave në kanalin e Korfuzit sepse… “nuk mund të mos jetë në dijeni për vendosjen e tyre”. Për këtë ajo duhej t’i paguante dëmshpërblime qeverisë britanike.
Për pyetjen e dytë Gjykata dha dy përgjigje. Me 14 vota pro dhe dy kundër, (votimi në Kë shillin e Sigurimit përsëritej në mënyrë gati identike edhe në Gjykatë) ajo u shpreh se nuk kishte pasur shkelje të sovranitetit të Shqipërisë më 22 tetor 1946 (kur ndodhi incidenti).
Por Gjykata iu përgjigj një zëri pikës së dytë të pyetjes, se më 12 e 13 tetor 1946 qeveria britanike kishte shkelur sovranitetin territorial të RP të Shqipërisë duke dërguar anijet e saj për pastrimin e minave në mënyrë të njëanshme.
Ishte kjo një fitore morale për Shqipërinë. Sado e njëanshme që u tregua Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ajo u detyrua më në fund ta dënonte Anglinë për atë që shprehte thelbin e imperializmit britanik, politikën e kanonierave.
Pas vendimit, qeveria angleze i paraqiti menjëherë Gjykatës faturën, të cilën e kishte të gatshme. Ajo kërkonte 875 000 lira stërlina dëmshpërblim. Pala shqiptare iu përgjigj Gjykatës në fund të qershorit, duke i vënë në dukje se ajo e kishte kapërcyer cakun e kompetencave të saj. Ajo kishte të drejtë të përcaktonte, sipas pyetjes që i ishte bërë, në se kishte vend apo jo për dëmshpërblim, por nuk kishte asnjë kompetencë për të caktuar shumën e dëmshpër- blimit. Gjykata nuk i mori parasysh vërejtjet e palës shqiptare dhe njoftoi se do të mblidhej në seancën publike më 17 nëntor 1949. Qeveria jonë nuk pranoi të shkonte në Hagë. Gjykata u mblodh në mungesë dhe më 10 dhjetor caktoi shumën e dëmshpërblimeve prej 843 947 lira stërlina, duke zbritur 32 053 lira stërlina nga fatura që paraqiti qeveria angleze dhe me këtë Gjykata deshi të jepte përshtypjen se nuk varej prej askujt dhe se gjyqtarët vareshin vetëm nga ndërgjegjia e tyre. Gjyqtarët vareshin vërtet nga ndërgjegjia e tyre, por kjo ndërgjegje ishte pak si tepër britanike.
Qeveria jonë e quajti vendimin krejt të paligjshëm dhe nuk e njohu atë . Por anglezët nuk e kishin caktuar më kot shifrën e tyre të dëmshpërblimit. Në Angli ndodhej një sasi ari e ish-Bankës Kombëtare Shqiptare e grabitur nga gjermanët. Duke pasur në dorë vendimin e paligjshëm të Hagës, qeveria angleze bllokoi gjithashtu në mënyrë të paligjshme arin shqiptar.
Këto shënime për Pjer Kotin, shkruan diplomati Javer Malo, i kisha mbaruar së shkruari, kur në janar të vitit 1980, një miku im më dërgonte si dhuratë për Vitin e Ri librin “Pierre Cot 1895-1977”, të botuar nga një grup miqsh të politikanit të përmendur, disa kohë pas vdekjes së tij. Në të, veç një numër të dhënash mbi këtë personalitet, gjeta dhe dy referenca për Gjyqin e Hagës. Në njerën, miku i Pjer Kotit, Mark Zhakie (Marc Jacquier), që është dhëndëri i Marsel Kashenit, shkruan: “Më 1948 i thërritur nga Qeveria shqiptare si avokat në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për çështjen e ngushticës së Korfuzit, ai më mori si ndihmës. Më bëri shok në studimin e tij të thelluar dhe të hollësishëm të dosies dhe të jurisprudencës, që nuk linte asnjë pikë të paqartë. Seancat vazhduan shumë javë. Ai dë gjonte me vëmendje të madhe deponimet e dëshmitarëve dhe u bënte pyetje gjithmonë me vend, sepse e njihte dosjen gjer në hollësitë më të vogla. Në mbrëmje pas analizës së debateve dhe shqyrtimit të argumenteve që mund t’u vinte përballë avokatëve anglezë , ai çlodhej me biseda të lira, përpara se të rifillonte përgatitjen e asaj mbrojtjeje që mbeti një model qartësie dhe demostrimi rigoroz, në stilin elegant, pa lulka të kota, që karakterizonte elokuencën e tij”.
Avokati tjetër, Zhoe Norman (Joë Nordmann) shkruan: “Ne u takuam në Gjykatën Ndë rkombëtare të Drejtësisë , ku isha edhe unë avokat për çështjen e ngushticës së Korfuzit, e ku arriti vendimin e rëndësishëm parimor që dënonte ndërhyrjen e marinës britanike në ujërat territoriale shqiptare”.
Njëzet vjet më von, shkruan zoti Javer Malo, kur shkova në Francë si ambasador i Shqipërisë, edhe Pjer Koti edhe admirali Mulek ishin tërhequr nga jeta politike. Me rastin e festave kombëtare të Shqipërisë dhe për çdo Vit të Ri më dërgonin urime.
Pjer Koti vdiq më 21 gusht 1977, admirali Mulek disa vjet më parë. I kujtoj gjithmonë me respekt këta francezë të shquar që në vitin 1948 luftonin me pasion për të mbrojtur emërin e një populli të vogël. Më tingëllojnë në vesh fjalët që Pjer Koti ia drejtonte palës angleze në sallën e Gjykatës së Hagës: “Hidhni një sy Bajronit dhe atje do të shihni ç’thotë ai për shqiptarët”.
Përgatiti për Botim: Nesip Kaçi – publicist dhe diplomat