Mesdita e sotme do të jetë vendimtare për dy palët që përplasen, Berisha dhe Basha. Ish-lideri i demokratëve Sali Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje masive të protestuesve për të marrë zyrat e PD-së. Nga ana tjetër, Lulzim Basha tha se demokratët nuk duhet të mashtrohen nga Berisha dhe se kushdo që ushtron akte dhune do të përballet me forcën e ligjit. Çfarë pritet të ndodhë sot dhe angazhimi i policisë në raste të incidenteve të rënda.
Ish-lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha afatin e dytë për tu larguar Lulzim Basha nga karrigia e kryetarit të PD e ka sot, më 8 janar. Në orën 12.00 Berisha do të jetë me mbështetësit e tij demokrat për të hyrë e për të marrë selinë e Partisë Demokratike. Lufta brenda llojit është më e vështirë se ajo mes kundërshtarëve, sepse demokratët sot janë më të papërfaqësuar se asnjëherë në këto 30 vjet. Të dyja palët flasin për akte dhunë duke i drejtuar gishin kundërshtarëve. Ka të dhëna që palët mund të përfshihen në përplasje të forta, ku nuk përjashtohet edhe ndërhyrja e policisë e cila do të qëndrojë në distancë dhe vetëm nëse agrovohet gjendja është e detyruar që të ndërhyjë. Sali Berisha duket se ka shprehur vendosmërinë për të marrë ditën e sotme zyrat, por nga ana tjetër edhe Basha paralajmëroi se do të qëndrojë dhe ti përgjigjet çdo skenari të mundshëm. Përplasja politike brenda llojit, nisi me vendimin e Bashës për të përjashtuar Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së, për shkak të shpalljes “non grata” nga SHBA. Berisha i shpalli luftë të hapur Bashës dhe thirri Kuvendin Kombëtar më 11 dhjetor, ku u mor vendimi për shkarkimin e Bashës si kryetar, bashkë me strukturat e tjera drejtuese që e mbështesnin. Ky vendim nuk u njoh nga PD-ja zyrtare, e cila mbajti edhe ajo Kuvendin Kombëtar një javë më pas. Të dyja vendimet e Kuvendeve të PD-së janë në gjykatë për shqyrtim, por tashmë çështja nuk po pritet të përfundojë në mënyrë ligjore, por me marrjen e godinës.
Berisha në PD
Sali Berisha mbërriti dje në selinë e Partisë Demokratike, i shoqëruar nga mbështetës dhe anëtarë të komisionit të rithemelimit. Edhe pse nuk u përpoq të futej brenda selisë, Berisha tha se Basha po e trajton shtëpinë e demokratëve si pronë personale. “Këto janë skenat e një njeriu, i cili kalon nga skandali në skandal, në akte të turpshme, të një njeriu që dëshmon se nuk i ka mbetur qoftë edhe një grimcë më e vogël e integritetit moral dhe politik, integritetit qytetar”, tha Berisha. “Midis nesh nuk ka dhe nuk mund të ketë njerëz të armatosur. Ne nuk mund të hyjmë për të dhunuar asnjë njeri, përveç se mercenarët të cilët i paralajmëroj të dalin nga ndërtesa. Bashën do ta nxjerrim me pekule”, tha ish- lideri i demokratëve. Berisha shtroi pyetjen se si mundet që karriera e një politikani mund të mbyllet duke e shndërruar partinë në bunker. “A mundet kush të imagjinonte se një ish-lider i ri do të mbyllte karrierën politike, në vend të nënshtrimit të verdiktit të 44 mijë anëtarëve të partisë së tij, me shndërrimin në bunker të selisë së PD-së, bllokimin e hyrjeve në këtë seli për deputetët e PD-së, mbushjen e selisë me kriminelë. Qëndrimi ynë nuk ka të bëjë me një zyrë, dhomë apo karrige, por ka të bëjë me zbatimin e parimit më themelor mbi të cilin ndërtohen organizatat e lira, ndërtohen shoqëritë e lira, vendet e lira”, është shprehur ish kryeministri Sali Berisha. Në fund ai ka ftuar të gjithë qytetarët të marron pjesë tek protesta që do të mbahet sot për të marrë në dorëzim shtëpinë. “Ftoj të gjithë anëtarët e PD-së, 44 mijë dhe të tjerët që nuk morën dot pjesë në referendum. Të gjithë ata që firmosën në liri shkarkimin e ish-kryetarit të tyre, të bashkohen për të marrë në dorëzim shtëpinë e tyre. Garantoj të gjithë punonjësit e kësaj ndërtese se protestuesit nuk kanë asnjë hatërmbetjen më të vogël ndaj tyre. Problemi i vetëm që kanë është hapja e dyerve të kësaj shtëpie dhe natyrisht çlirimi i saj nga pengu i Edi Ramës. Nesër ftoj të gjithë deputetët e PD-së të bashkohen këtu dhe të mos qëndrojnë më asnjë minutë me një njeri i cili partinë që ata i besuan, e ktheu në parti blindash, burgu, bunkeri dhe bravash”, tha Berisha.