Me 62 vota pro, miratohet qeveria e re në Maqedoninë e Veriut, Dimitar Kovaçevski kryeministër

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Me 62 vota pro dhe 46 kundër, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi Qeverinë e re që do të drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Votimit i parapriu një debat dyditor që përfundoi të dielën para mesnate.

Qeveria e re numëron 21 anëtarë; 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate ka 12 anëtarë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa. Njëmbëdhjetë anëtarë të Qeverisë janë maqedonas, ndërsa dhjetë shqiptarë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka një plan të detajuar që të përballet me sukses me të gjitha sfidat që ndodhet para saj, ka deklaruar kryeministri i ri, Dimitar Kovaçevski.

Prioritetet kryesore të ekzekutivit të ri të Maqedonisë së Veriut do të jenë përballja me krizën energjetike, zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja, tha shpreh Kovaçevski, i cili në Qeverinë e deritanishme ishte zëvendësministër i Financave.

“Nuk kemi dilema se duhet të jemi më efikas në punën tonë që të kemi rezultate më të mira në punë. Programi jonë i Qeverisë bazohet në disa shtylla, por prioritet mbetet përballja me krizën energjetike, ngritja e standardit jetësor si dhe investimet e huaja… Ne kemi edhe prioritete tjera shumë të rëndësishme, si luftimi i krimit dhe korrupsionit, rritja e efikasitetit të punës së administratës, modernizimi i sistemit shëndetësor dhe arsimor si dhe parandalimi i largimit të të rinjtë nga vendi”, ka deklaruar Kovaçevski duke u ndalur më pas në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Negociatat me Bullgarinë do të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh, pasi jemi shtete fqinje dhe duhet të bashkëpunojmë në të gjitha sferat, si mundësi e vetme për të mirën e dy popujve dhe shteteve tona”, ka theksuar Kovaçevski.

Në postin e kryeministrit, Kovaçevski zëvendëson Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqje për shkak të disfatës së LSDM-së në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 31 tetor të vitit 2021.

Pjesë e Qeverisë së re janë edhe tri parti shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare.

Arbër Ademi, deputet nga BDI-ja, tha se Qeveria e re do të zbatojë në tërësi programin e saj, ndërsa u shpreh i bindur se në tre muajt e fundit të mandatit të saj, Qeverinë do ta drejtojë një kuadër shqiptar, pasi për këtë, sipas Ademit, janë pajtuar si LSDM-ja ashtu edhe VMRO-DPMEN-ja.

“Kjo arritje do të bëhet realitet dhe padyshim se do të jetë tregues i pjekurisë demokratike të vendit dhe promotori më i mirë i vlerave pro-evropiane të bashkëjetesës dhe përparimit. Të gjitha projektet e përmendura duhet të jenë shtysë dhe motiv për të vazhduar me punë të mirë. Ne jemi pjesë e NATO-s dhe tani drejt sfidës së integrimit evropian le t’i përvishemi punës së bashku për ta integruar vendin aty ku e ka vendin, në familjen e madhe evropiane”, tha Ademi.

Lexo edhe :  Aktivitetet sizmike boshatisin rrugët e destinacioneve turistike në Greqi

Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare thanë se “Qeveria e Dimitar Kovaçevskit nuk është gjë tjetër, pos vazhdimësi e Qeverisë së korruptuar dhe të dështuar të Zoran Zaevit”.

Aleksandër Nikollovski, deputet i partisë opozitare, VMRO-DPMNE, tha se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja e vetme për nxjerrjen e vendit nga, siç u shpreh ai, kriza e rëndë ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike.

“Sot ne kemi një Qeveri pa legjitimitet të plotë, kemi Qeveri të fytyrave të vjetra. Kemi një Qeveri që është vazhdimësi e asaj të kaluarës, të korruptuar dhe të dështuar. Kjo Qeveri nuk ofron asgjë për të mirë e vendit dhe të qytetarëve të saj. Maqedonia nuk do të mund të dalë nga kriza ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike me këtë Qeveri. Zgjidhja e vetme për të konsoliduar dhe zhvilluar vendin tonë janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë që të jetë e mundur”, u shpreh Nikollovski.

Halil Snopçe, deputet i partisë shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët, tha se programi i Qeverisë në sferën e ekonomisë nuk do të realizohet, për shkak të, siç tha, krimit dhe korrupsionit të lartë në vend.

“Ju thoni që prioritet kryesor keni energjetikën, por si do e bëjmë tranzicionin energjetik me po të njëjtit njerëz. Ministri i Ekonomisë thoshte se nuk ka krizë energjetike, por ja doli se ka krizë energjetike. Flisni për investime, por investitorët e jashtëm nuk investojnë këtu për shkak se nuk kanë besim për shkak të korrupsionit të lartë, mosfunksionimit të gjykatave dhe ekonomisë joformale. Këtë nuk e them unë, por ‘Të bërit biznes’. Pra, së pari duhet të luftohet korrupsioni e pastaj të kërkojmë investitorë të jashtëm”, tha deputeti Halil Snopçe.

Qeveria e re ka mandat deri në vitin 2024, pasi paraqet vazhdimësi të Qeverisë së ish-kryeministrit, Zoran Zaev, që ishte zgjedhur në vitin 2020./ REL

Të fundit

Ushtarët e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit stërvitje të përbashkët me FA-të në Zall Herr

Ambasada e SHBA në Shqipëri ka njoftuar në rrjetet sociale se sot fusha e futbollit në Zall Herr u...

Ironizon juristi/ Mijëra të sapo diplomuar duan të katapultohen deputetë për 24 orë

Juristi Kreshnik Spahiu flet për kandidaturat për deputetë në PS, nisur edhe nga deklarata e Ramës se shumica e grupit parlamentar do të garojë në listë...

U vodh nga muzeu rreth 50 vjet më parë, gruaja refuzon të dorëzojë pikturën

Piktura ‘Madonna and Child’ (Maddona dhe Fëmija) e shekullit të 16-të u zhduk pa lënë gjurmë pasi u vodh nga një muze në Italinë...

Berishës s’i del inati: Votuat në 5 minuta arrestimin tim, karma ju vjen prapa

Opozita dhe maxhoranca e përdorën foltoren e kuvendit për të bërë fushatë elektorale. Sali Berisha renditi ata që i quan ‘zezat’ e kësaj qeverie...

GJKKO dënon me burg të përjetshëm Fran Marashin,akuzohet për “Masakrën e Urës Vajgurore”

Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë, Fran Marashin, i akuzuar për masakrën e Urës Vajgurore ku u vranë 5 policë, ngjarje e...

Lajme të tjera

Web TV