Rudiard Kipling, ca fjalë “të varfra” për një poemë madhështore

Nga Leonard Veizi

Nëse do duhet një material letrar ku të bëhen bashkë të gjitha: arsyeja, morali, prakticiteti dhe vetë filozofia, mjafton të lexosh 33 vargjet e poemës “If”, e cila mund të përkthehet “Nëse”, apo siç ka ardhur në shqip: “Në mundsh”.

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Këto janë vargjet e poetit britanik Rudiard Kipling. Poezia e tij ishte më tepër se e famshme. Sot shumë më tepër se sa në kohën kur u shkrua. Një poemë që më ka mahnitur gjithmonë, kur e lexoja vetë nën zë, a kur e dëgjoja të interpretuar nga të tjetër. Dhe në shqip ajo ka ardhur prej mjeshtrave të mëdhenj të përkthimit: Fan Nolit dhe Robert Shvarcit.

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Janë dy përkthime që në mënyra të ndryshme dhe po aq të njëjta i kanë dhënë aq jetë një poezie që vlen sa për baballarët aq dhe për bijtë e tyre. Dhe ndërsa Noli do ta shqipëronte në një variant tosk të shqipes “Në munç”, përkthimi i Shvarcit do të ishte më afër gjuhës së njehsuar “Në mundsh”.

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatërrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhënjim e shpartallim burim mashtrimesh…

Rudiard Kipling e shkroi këtë poezi në vitin 1895 kur ishte në të 30-tat e tij. Por magjia e kësaj poezie u përhap shumë shpejt. Dhe do merrte domethënien e vet nga kushdo që e lexonte dhe ishte brenda saj.

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopukët që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Për shumëkënd, poezia është një platformë a një reflektim marramendës, ku në pak në vargje të sintetizuara i jep leksionin e çmuar çdo fëmije, se cilat janë parimet në jetë për të qenë një burrë me “rr” të fortë.

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Lexo edhe :  Si e fshehu Claudia Cardinale për vite me radhë të birin

Rudiard Kipling ishte një gazetar, shkrimtar, tregimtar me tregime të shkurtra, poet dhe novelist. U lind në Bombein e dikurshëm të Indisë, e që sot quhet Mumbai, një vend që frymëzoi shumë nga veprat e tij. Por ai udhëtoi në të gjithë botën, duke shkruar vazhdimisht shënime udhëtimi.

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thotë…

Por Kipling njihet po aq për të tjera vepra të jashtëzakonshme të shkruar prej tij, e cila na ka bërë të ëndërrojmë aventura të çuditshme e të paharrueshme si në rastin e: “Libri i xhunglës” apo “Kapitenë guximtarë”. Proza e tij na tregon një pasqyrë të jashtëzakonshme të jetës indiane, të botës së ushtarëve britanikë, e posaçërisht të botës së fëmijëve dhe të kafshëve, sidomos pas një qëndrimi disavjeçar në Afrikë.

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkënd e çmon, por veç sa meriton…

Rudiard Kipling mori çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1907. Ku çmim iu dha për veprën letrare “The Jungle Book” apo “Libri i xhunglës” siç vjen në shqip. Rudiard Kipling mbetet laureati më i ri, i cili e rrëmbeu çmimin e madh në moshën 41-vjeçare.

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe BURRË do të jesh, o biri im!

“Më tregoni për gjashtë vitet e para të jetës së një fëmije dhe unë do t’ju tregoj pjesën tjetër,” ka shkruar Kipling në një libër autobiografik. Ai e shkroi “If”, si një etikë dhe një filozofi personale por në formën e këshillës atërore. E megjithatë shkrimtari duroi stoikisht vdekjen e djalit të tij 18-vjeçar Xhon, në Luftën e Parë Botërore, gjatë një aksioni ushtarak. Më parë se kaq ai kishte duruar edhe vdekjen e vajzës së tij Jozefina në moshën 7-vjeçare.
Rudiard Kipling vdiq në Londër më 18 janar të vitit 1936, pasi kishte jetuar 70 vjet nga jeta e tij.
Në sondazhin mbarëkombëtar të BBC-së në vitin 1996, “If-” u votua si poema e preferuar e Mbretërisë së Bashkuar, duke fituar dy herë më shumë vota se poezia e vendit të dytë.