Ish-kryeministri Sali Berisha në turin e dytë “Foltorja” ishte dje në Vaun e Dejës, nga ku dha edhe deklarata të forta drejtuar Lulzim Bashës. Ai tha se ai bashkëpunoi me Ramën për të mos shkuar në burg për “pastrim parash”.
Edhe në Vaun e Dejës ku mbajti “Foltoren” këtë të dielë, në ditën kur po mbahen primaret për zgjedhjet e kandidatëve për kryetar bashkie më 6 mars, Sali Berisha nuk hezitoi të ngrejë akuza ndaj Lulzim Bashës. Berisha u shpreh se Basha është peng i një dosje për pastrim parash. Sipas tij, Basha pranoi të largojë Berishën nga politika për të mos shkuar në burg. “Fatkeqësisht, sot Bashën nuk e mbështet vetëm Edi Rama, por edhe përfaqësues të vendit të madh të lirisë. Kjo mbështetje është një lojë e rrezikshme për pluralizmin në Shqipëri. Kë po mbështesin ata me përkrahjen ndaj Lul Bravës? Ai peng i tyre, i marr me dosjen Muzin. Lulzim Basha është i marr peng me një dosje për larje parash në SHBA dhe Tiranë. Ai firmosi që për të mos shkuar në burg, do të largonte Sali Berishën nga politika. Kjo është e vërteta”, tha Berisha. Ish- kryeministru theksoi se Basha është i përfshirë në aferën korruptive të Portit të Durrësit. “Edi Rama arriti ta marrë peng me afera korruptive Lulzim Bashën. 800 mijë metra katror në Portin e Durrësit. Afera e shekullit, ja dhanë gjoja një arabi i cili në një aspekt është biznesmen i madh shumë, por në aspektin tjetër, po kaq i madh si mashtrues. Ai ka marrë buzën e Savës në Beograd, për të investuar 4 miliardë euro, por deri tani pas 10 vitesh ka investuar 24 mln euro. Portin e Durrësit e ka marrë Edi Rama dhe Lulzim Brava. E rezulton se përfaqësues i Emar në Shqipëri, është menaxheri i kompanisë së i Lulzim Bravës. Ju e patë se çfarë bëri me selitë. Se në çmënyrë armiqësore u soll ai me demokratët që e kanë ndjekur 8 vite. Selia e PD është parashikuar të shndërrohet në kullat e parkut të katër hajdutëve. Do ndërtohen katër kulla, gjejeni se sa ka marrë për vete Lulzim Brava”, tha Berisha.
Reagon PD
Partia Demokratike i ka cilësuar si shpifje deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili tha në foltoren e Vaut të Dejës, se Lulzim Basha është i përfshirë në Portin e Durrësit. PD, me anë të një postimi në rrjete sociale, thotë se javën tjetër Berisha mund të thotë se Basha ishte përgjegjës edhe për ’97-ën. Në deklaratë shtohet më tej se gjithë këto gënjeshtra e shpifje bëhen sepse Berisha është i shpallur non grata për korrupsion. “Shpifjet vazhdojnë. Ditë e re, gënjeshtër e re. Javën tjetër Berisha do thotë se Basha ishte përgjegjës edhe për ’97! Gjithë këto gënjeshtra dhe shpifje bëhen sepse Sali Berisha është i shpallur non-grata për korrupsion. Mos harroni! Zgjidh Ramën dhe mban Berishën! Zgjidh Berishën dhe mban Ramën!”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.
Zgjedhjet e pjesshme
Ish-kryeministri Sali Berisha tha nga Vau i Dejës se primaret që po zhvillohen në 6 bashkitë që janë pa kryetar janë një hap përpara dhe një premtim i mbajtur. Sipas Berishës, në PD shumë shpejt do të ekzistojë parimi që anëtarët kanë të drejtë të votojnë për kryetarët e partisë, degëve, kryebashkiakët dhe deputetët. “Sot në 6 bashki anëtarët dhe anëtarët e PD votojnë dhe zgjedhin me votën e tyre kandidatin apo kandidaten për qytetarë të parë për këto bashki. Mendoj se kjo është një arritje e madhe. 4 muaj më parë ne e premtuam këtë praktikë. Ne u zotuam se do të kthejmë votën e lirë. Ajo po ushtrohet nga mijëra mijëra demokratë. Primaret janë metoda më demokratike e zgjedhësve të përfaqësuesve tuaj. Ju jap fjalën që ju do të zgjidhni jo vetëm kryetarët e bashkive, por anëtarët e këshillëve, deputetët tuaj dhe do të zgjidhni në një të ardhme të afërt edhe kryeministrit tuaj. Ne besojmë se pa votën e lirë s’ka liri të vërtetë. Ju jeni dëshmitarë se si në këto vite vota e lirë u syrgjynos nga shoqëria shqiptare. PS, nga viti 2009 që më sot nuk ka bërë votim të lirë në gjirin e saj. Votuan 2009 që të mos votohej më për kryetarin”, tha ish- kryeministri Sali Berisha. Ai tha se PD degradoi fare me kryetarin Lulzim Basha. “PD e drejtuar nga Lulzim Brava degradoi në atë shkallë që tejkalon edhe imagjinatën e Franc Kafkës apo Garancia Markezit. Para kamerave, televizioneve i thotë shqiptarëve se aty ku janë, aty ku ishin 1950 e ca karrige janë ulur 5004 delegatë. Sot PD duke vendosur primaret i jep fund kësaj situate tmerrësisht të pa pranueshme korruptive dhe totalitare”, tha Berisha. Ai shtoi se sot grupet kriminale po marrin vendime në Parlament. “Sot, organizatat kriminale marrin vendime në parlament, në qeveri, vendosin në rrugë, port, e vendosin kudo. Të gjitha këto kanë bërë që Shqipëria e cila me mundim të madh ia doli të ngjitej e të kishte rrogën mesatare më të lartë në rajon e të zbresë sot me rrogën mesatare më të ulët në rajon. Kjo ndodh sepse paratë vidhen nga qeveritarët. Në 8 vite s’kemi bërë asnjë hap përpara Bashkimit Evropian. Edi Rama me një urrejtje ndaj demokracisë arriti të marrë peng Lulzim Bravën. Arriti ta marrë peng me afera korruptive”, tha Berisha.
Ademi: 6 Marsi leksion demokracie
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, tha se 6 marsi, kur do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore, do të jetë një leksion demokracie për të gjithë. Ademi, e cila u tërhoq nga gara e brendshme që po organizohet nga Komisioni i Rithemelimit të PD, tha se ky proces është i vonuar, por i mirëpritur. “PD do të duhet ta kishte bërë shumë më parë. Por mendoj që edhe në këto kushte, ky proces merr një vlerë edhe më të madhe sesa demokracia brenda partisë. PD ka pasur nevojë për demokratizim të brendshëm. Kjo bën të mundur që PD të fillojë përfaqësim përmes një sistemi meritokracie dhe votimi të brendshëm. Ky proces është ushtrim demokracie për të gjithë sistemin në vend. Fakti që bëhet edhe në Shkodër mendoj që i jep vlerë të jashtëzakonshme jo vetëm PD, por gjithë vendit. Më 6 mars nuk bëhet fjalë vetëm për Shkodrën, por për një leksion demokracie për të gjithë vendin”, tha Ademi për mediat. Ademi ishte personi që, në cilësinë e kryetares së shoqatave të bashkive, dërgoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet vendore të vitit 2019, ku PD dhe LSI nuk morën pjesë. Por Gjykata, pas këshillimit edhe me Komisionin e Venecias, vendosi të mos e marrë fare në shqyrtim çështjen. “Ishte e padrejtë që Gjykata Kushtetuese nuk e mori vendimin. Por po e nisim nga 6 bashki, për të arritur te 61. Ne do ta fitojmë Bashkinë e Shkodrës, mjafton të shihni pjesëmarrjen”, tha Ademi. Ajo shtoi se me këtë proces, në krizë është futur Basha. “Nuk e di kush është Lulzim Basha tashmë”, tha ish-deputetja. Ajo u bëri thirrje demokratëve të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. “Nuk do ta vendosë Sali Berisha kush do të jetë kryetari i Bashkisë së Shkodrës dhe as deputetët nesër. Të gjithë demokratët e kuvendit kanë bërë të mundur që t’i japin të drejtën e vendimmarrjes gjithsecilit përmes votës”, tha ajo.
Grupimi i Berishës
Përfundojnë primaret për zgjedhjet e pjesshme
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike në Vorë kanë zgjedhur emrin e kandiatit që do të garojë në zgjdhjet e pjesshme të 6 Marsit. Bëhet e ditur se ekonomisti Lulzim Vrana do të jetë kandidati i kësaj force politike në zgjedhjet e 6 marsit për kryetar të kësaj bashkie. Vrana u votua nga 277 anëtarë të PD, ndërsa kandidati tjetër në garë, Luan Beta mori vetëm 55 vota nga 332 në total. Po ashtu Ardian Mihal Muka, inxhinier urbanist do të jetë kandidat për Bashkinë Durrës. Qyteti i Lushnjës do përfaqësohet nga Komisioni i rithemelimit me Arben Ibrahim Zaimi, jurist. Ai i Rrogozhinës me Eqerem Ymer Deliu, ekonomist. Në Dibër do të jetë Premtim Kryemadhi, arsimtar.