Çmimet e taksat rriten, por Shqipëria nuk çohet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Emili Bibolli

Vendin tonë prej kohësh e ka kapluar vala e rritjes së çmimeve dhe zmadhimit të problemeve ekonomike. Rritjet kanë prekur fillimisht produktet ushqimore, duke vazhduar më pas me naftën, benzinën, gazin, materialet e ndërtimit dhe lëndën drusore. E mirëkuptoj rritjen e produkteve të importit sepse çmimet përcaktohen nga tregjet ndërkombëtare. Çfarë nuk mirëkuptoj dhe nuk më duket aspak e drejtë janë rritjet e çmimeve të produkteve bazë, përmendim këtu bukën nga 70 në 90 lek, mielli nga 100 në 120 lek, sheqeri nga 75 në 90 lek, qumështi nga 140 në 160 lek, vezët nga 18 në 23 lek për kokërr e shumë të tjera. Një pjesë e kësaj rritjeje është realisht abuzive. A duhet të mbajë dikush përgjegjësi?

Në shtatorin e vitit 2021, Banka e Shqipërisë deklaroi se rritja e çmimeve është kalimtare dhe se në vitin 2022 pritet që të stabilizohet situata. Mirëpo në Shqipëri deklarata në fjalë nuk po vërtetohet ende sepse rritja e çmimeve ndër vite, asnjëherë nuk ka qenë kalimtare dhe çmimet janë rritur gjithnjë e më shumë.

Ndërkohë populli shqiptar fatkeqësisht duket se nuk shfaq interes, apo reagim ndaj spekulimeve dhe gjendjeve të tilla. Kurrë nuk e kam parë popullin e vendit tim të protestojë për rritjen e çmimeve, apo edhe raste të tjera ku preket interesi dhe ekonomia respektive familjare. Në një vend normal populli do t’ia kishte prishur rehatin qeverisë dhe do të kishte reaguar nëpërmjet protestave, dhe gjithë mekanizmave të tjerë të mundshëm, të njohur dhe të pranuar.

Por jo këtu. Shqipëria nuk është një vend normal. Një pjesë e mirë e jona del me qejf në protestë sapo vjen thirrja nga partia së cilës i bën tifo.
Ne duket se nuk duam t’ia dimë për rritjet e çmimeve, taksat që vetëm shtohen, për problemet që lidhen me ekonominë, rendin, shëndetësinë, arsimin, kulturën dhe së fundmi edhe me drejtësinë shqiptare.

Lexo edhe :  Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral

Qeveria nga ana tjetër vazhdon e qetë dhe e lumtur të veprojë sipas qejfit dhe të justifikojë e shesë gjithë kohës sapunin për djathë sepse e njeh mirë tashmë këtë popull. Qeveria e di mirë se modelet e atyre vendeve të cilat kërkojnë të drejta, reagojnë, protestojnë. Qeveria e di mirë se ky popull vdes ta vrasë kohën duke u marrë me llogjet politike dhe duke mbyllur përherë njërin sy (ose të dy në fakt) përpara problemeve reale. Qeveria e di mirë se ky popull reagon fort për ngjarje banale por kurrë kur shkelen të drejtat e tij dhe thika i shkon deri në kockë. Dhe në fund ndonëse i pakënaqur apo i revoltuar, pasi ka harruar gjithçka, i njëjti popull vrapon për tu dhënë përsëri të drejtën qeverive që të bëjnë çtë duan, sigurisht nëpërmjet votës. Po përse ndodh kjo? Ndodh sepse ne harrojmë shpejt. Çudia më e madhe në Shqipëri 3 ditë zgjat dhe më pas kthehemi përsëri aty ku ishim, pa u menduar e reflektuar sadopak.

Me keqardhje mund të themi se sot populli ynë sillet dhe vepron si një entitet i nënshtruar dhe mbi të gjitha nuk përpiqet të ndryshojë, apo ta ndryshojë fatin e vet. Ky popull midis të qënit i fortë dhe i dobët ka zgjedhur këtë të dytën. Mbase sepse kjo nuk kërkon përpjekje.

Sovrani është fuqia më e madhe e një vendi, por me sa duket ende nuk e ka kuptuar se sa i fuqishëm është. Të paktën shumë më i fuqishëm se ata pak veta që ka mbi kokë e që sillen si padronët tanë, të vendit tonë apo edhe të ajrit që thithim.

Posaçërisht për Fjala.al

Të fundit

Një vit që ikën dhe një tjetër që vjen

Ilir Yzeiri Nesër është dita e fundit e vitit 2024. Zakonisht ndërrimi i viteve shoqërohet me ritualin e zakonshëm të...

Vendimi i Qeverisë/ Çdo punonjës i Policisë së Shtetit 10 mijë lekë shpërblim për fundvit

Çdo punonjës i Policisë së Shtetit i rolit zbatues do të përfitojë një shpërblim prej 10 mijë lekësh. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit...

Tragjedia me 179 viktima, flasin ekspertët: Gabimi që iu mori jetën

Ekspertët kanë folur për tragjedinë ajrore në Korenë e Jugut ku humbën jetën 179 persona, ndërsa vetëm dy shpëtuan pasi avioni humbi kontrollin dhe...

‘Skifterët’ në PD, ‘babi i Zenit’ dhe tundja e belit në K’cimin e ‘Berishës’

Jakin Marena Nëse kërkohet të bëhet një bilanc për opozitarizmin në Shqipëri, mjafton të shohësh ‘parabolën’ e zhvillimeve politike brenda PD, në harkun kohor të...

Fluks lëvizjesh në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, rradhë kilometrike automjetesh

Mbrëmjen e sotme në pikën e Kalimit Kuftiar të Qafë Thanës është rritur përsëri fluksi i lëvizjes së automjeteve. Dhjetra shtetas shqiptarë dhe të huaj...

Lajme të tjera

Web TV