Në spektaklin e së martës në “Big Brother Vip”, Einxhel fitoi një projekt shumë ambicioz në “Top Channel” sipas formulës që kishte dëshiruar, ku në qendër do të jenë vajzat që nuk kanë mundësi për t’u shkolluar.
Por mëngjesin e së nesërmes, Rudina Dembacaj shpërndau një video të para dy viteve ku u bënte thirrje vajzave të zonës së Malësisë që të bëhen pjesë e formatit të saj, që thelbin e ka të njëjtë me atë të Einxhel.
“Jam zgjuar me idenë origjinale!”, kishte shkruar Rudina, për të treguar se idenë e kishte pasur ajo e para. Kjo përballje në distancë bëri shumë zhurmë në media dhe të gjitha lajmet u përqendruan te ky “konflikt”, që duket se dhe aq i ri nuk është.
Lind pyetja, Rudina e pati idenë e para dhe ia “vodhi” Einxhel, apo Einxhel s’mund të ketë dëgjuar kurrë për projektin e Rudinës dhe projekti në fjalë i ka shkrepur edhe asaj në kokë.
Pra, kemi të bëjmë me një xing idesh apo me një “vjedhje” ideje? Nuk është çudi që vajzat të kenë pasur të njëjtën ide, pavarësisht njëra-tjetrës, për t’u ardhur në ndihmë vajzave të tjera që nuk kanë mundësi si prezantueset televizive për të arritur ëndrrat e tyre ose për t’u shkolluar.
Po si e përshkroi Einxhel idenë e saj: “Kam dashur që më përpara që të hap një fondacion për shkollimin e vajzave, për ato që nuk kanë mundësi, që i fejon familja me zor… të kenë një derë ku të trokasin. Qoftë për një një vit shkolle nëse nuk kanë mundësinë, qoftë për një kurs për thonjtë, qoftë për një kurs parukerie, çfarëdo që të jetë shuma që u duhet për një kurs për t’u dhënë zanat për një jetë ndryshe”.
Më pas stafi i fondacionit “Dritan Hoxha” u shpreh se është i hapur që së bashku me Einxhel të dëgjojë historitë e vajzave shqiptare kudo ku ato janë si edhe dëshirat e tyre për të kryer studimet në fushat: ekonomi, juridik, gazetari, shkenca dhe arte.
Ideja do të strukturohet në formën e një talk show-reality, që do të moderohet nga Einxhel dhe do të ketë si qëllim të promovojë dhe të ndërhyjë në mënyrë gjithëpërfshirëse për jetën e vajzave në pamundësi ekonomike.
Kurse Rudina Dembacaj bashkë me akuzën ndaj Einxhelit se i ka vjedhur idenë e projektit në videon e postuar në vitin 2020, shprehej: “Projekti ‘Malsoret e mia’ po afron. Nëse je vetë, nëse ke motrën, kushërirën apo një të njohur që dëshiron të vazhdojë studimet e larta, të kryejë kurse profesionale, por nuk ka mundësi, ofrohet totalisht falas nga ky projekt. Do të vij në të gjitha trevat e Veriut shqiptar dhe do të jem aty për të ndjekur vetë rastet me ekipet e xhirimit.”
Ndërsa në një postim të mëvonshëm, aktorja shkruante: “Që të kuptohemi…Jam shumë e lumtur për çdo iniciativë për vepra të mira. Zot u shtofshin! Mbrojtja e ideve është gjithashtu vepër e mirë, në respekt të kujtdo!”.
Por në pjesën më të madhe të komenteve, ndjekësit shkruajnë se bëhet fjalë për një problem shumë aktual dhe që u tërheq vëmendjen të gjithëve dhe kështu që nuk është çudi që “çdokujt mund t’i shkojë në mend”.
“Rudina, kjo është dhe ëndrra ime prej shumë vitesh, por nuk do të thotë që ta kam marr ty!”, “Ti je e fokusuar vetëm te vajzat në veri, ndërsa kjo e Einxhel do jetë pa dallim krahine! S’ka pse të jeni kaq thumbues kur në fund është e gjitha për bamirësi”, shkruanin disa ndjekës.
Ndërkohë, nga kërkimet që kemi bërë, nuk është gjendur ndonjë moment afrimiteti, miqësie apo konflikti midis dy moderatoreve, aq sa vihet në dyshim nëse mund të ketë patur ndonjë njohje mes tyre, edhe pse kanë qarkulluar pothuaj në të njëjtat televizione.
Rudina Dembacaj pas “Portokalli” dhe “Al Pazar” bëri programin e saj “Mos i shoferit”, e më pas iu rikthye “Klanifornias”, duke u bërë pjesë e një show humori.
Ndërsa Einxhel ka pasur disa eksperienca të njëpasnjëshme të hidhura me bashkëpunëtorët apo eprorët, përvojë që e bëri të zhgënjehej nga bota e televizionit dhe të linte Shqipërinë për të nisur jetë të re në Afrikë. Einxhel u largua nga rubrika “Beauty” në “E diell” vetëm një javë pas fillimit të sezonit.
Më pas u largua dhe nga formati “Binjakët show” dhe nga një emision sportiv në një tjetër televizion. Kujtojmë që në “Top Channel”, Einxhel nisi punë pas largimeve të bujshme nga televizioni “In” dhe “Dance with me”.
Moderatorja u largua për disa kohë nga bota e ekranit, për t’u rikthyer sërish me “E diell”, më pas për t’u vendosur në Afrikë e për t’u rikthyer sërish në ekran si pjesë e “Big Brother VIP”. Të shohim si do t’i shkojë loja, ndërkohë që në atë shtëpi njohu të dashurin Dj Dagz, theu krahun, por edhe fitoi një projekt televiziv, për të cilin e akuzoi Rudina se ia kishte vjedhur asaj.
Einxhel ditë më parë tërhoqi vëmendjen drejt vetes me debatin e fortë që bëri me Donald Veshajn, të cilin e akuzoi publikisht se jo vetëm e kishte pushuar nga puna pas një aksidenti që kishte pësuar, por dhe nuk e kishte paguar.