Drejtuesi politik i PS-së i qarkut Fier Taulant Balla dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilluan sot një takim me banorët e qytetit të Lushnjes në kuadër të zgjedhjeve rë pjesshme të 6 marsit.
Gjatë fjalës së tij kreu i Grupit Parlamentar të PS-së nuk i kursye akuzat për PD-në dhe për ish-kryeministrin Sali Berisha, duke i kujtuar këtij të fundit masakrat që kanë ndodhur gjatë 97-ës në Lushnjë.
“Faleminderit Lushnjës, si bashkia e 7 më e madhe në Shqipëri dhe mirënjohje për mbështetjen e përhershme. Në Bashkinë e Lushnjes unë i pari nuk jam shumë i kënaqur me atë që kemi arritur deri tani, do të duhet të kishim bërë më shumë por Shqipëria u përballë me dy sfida të mëdha si ajo e tërmetit dhe pandemisë ku kryeministri Rama meriton një falënderim kombëtar për mënyrën se si arriti që të menaxhonte këto dy sfida.
Lushnja është një qytet strategjik pasi çdo rrugë kalon përmes Lushnjës dhe këto ditë kam dëgjuar ata të krahut tjetër të cilët janë bërë si zogjtë që s’dinë nga shkojnë sepse ankohen se ARRSH po vendos rregulla striktike për hyrjet dhe daljet në autostrada. Por, a ka gjë më të rëndësishme se jeta e njerëzve? Sa jetë janë humbur në autostradën që lidh Lushnjen dhe Fierin? Ndaj ne do e bëjmë, do e shërojmë plagën që la Saliu dhe Luli. Ne do ti bëjmë rrugët të cilët ata i lanë përgjysëm apo si nisën fare.
Investimet në Lushnje kanë nisur dhe do ti japin një faqe tjetër qytetit, ku shumë të tjera do të nisin së shpejti në infrastrukturë, fusha sportive, brenda shesheve të pallateve, pra do të jemi në një vijë me planin kombëtar të kryeministrit.
Tek cilët kandidate të ndalem, te ai i Ilirit dhe i Berishës apo i Lulit? Kriter që të zgjidhesh nga Luli, duhet të jesh gjumash, por populli i Lushnjës nuk ka kohë të flejë dhe nuk mund të përdoret. Kush mendon se ka një votë për t’ia kundërvënë SHBA-ve? Nuk ka në Lushnjë votë për t’ia dhënë Saliut që ta përdori kundër SHBA. Berisha nuk ka asnjë të drejtë që të keqpërdorë qoftë dhe një votë.
Tani që është bërë bashkë me Metën, e ka shtuar arsyen që asnjë lushnjar mos t’ia jap votën. Lushnja e ka parë Saliun, nga 97 e deri tani dhe ai vjen këtu në Lushnjë dhe kërkon votë, por lushnjarët nuk harrojnë, nuk i harrojnë masakrat e Saliut i dënojnë ato me votë. Ky është standardi i tyre. Vota nuk duhet të shkojë dëm për ta, vota duhe të jetë plebishitare për Eriseldën”, shprehu në fjalën e tij Balla.