Kreu i PD, Lulzim Basha i ashpërsoi qëndrimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për akuzat që ky i fundit i ka bërë për përvetësim bashkë me kryeministrin Rama të 800 mijë metër katror tokë në Portin e Durrësit.
Kreu i PD, Lulzim Basha foli mjaft ashpër ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, për akuzat që ky i fundit i ka bërë për përvetësim bashkë me kryeministrin Rama të 800 mijë metër katror tokë në Portin e Durrësit. Deklaratat e Bashës vijnë nga Durrësi ku ishte në një takim me tregtarët, i shoqëruar nga kandidati i PD-së për këtë bashki më 6 mars, Luan Hoti. Basha tha se ka sharlatanë që ecin në politikë vetëm përmes gënjeshtrave. Kreu i PD thekson se akuzat e Berishës janë një gënjeshtër e pastër dhe sipas tij PD ka kërkuar fuqimisht për transparencë në projektin e Portit të Durrësit, të cilin e konsideron një aferë korruptive. “Thonë se do investojnë 3 miliardë, ne duam të shohim 6 apo 8 të investohen, nuk jemi kundra investimeve. PD është pro zhvillimit. Kjo punë s’bëhet duke sjellë një sheik, kërkojmë transparencë për këtë aferë. Politika ka humbur fytyrën njerëzore dhe ka uzurpuar institucionet, institucione e uzurpuara nga politika nuk mund t’i shërbejnë ekonomisë. Është ngritur një gënjeshtër sikur PD dhe PS, në veçanti unë dhe i pari i qeverisë kemi pakt për Portin e Durrësit. Kjo është një gënjeshtër e pastër”, tha Basha. Kreu i PD tha se gojët e politikanëve janë të mbushura me mjaltë kur vjen fushata, por gjërat janë të vështira për t’u bërë. Ndër të tjera Basha theksoi se PD po tejkalon një pjesë të së shkuarës, duke iu referuar krisjes brenda selisë blu dhe ndarjen e demokratëve si të Bashës e Berishës. Kreu i PD deklaroi se nuk do t’i ikin përgjegjësive. “PD është në një moment ku po kapërcen vetveten, po tejkalon pjesë të së shkuarës për të cilat nuk i ikën përgjegjësive, por përpara shqiptarëve do ndërtojë një kulturë të re, dhënien e një fytyre njerëzore politikës. Durrësi iu nënshtrua interesave afatshkurtra politike”, tha Basha. Ndërsa kandidati i PD për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Durrës, Luan Hoti, deklaroi se ka në fokus të programit të tij pastrimin e qytetit, turizmin dhe infrastrukturën urbane. “Lagjia 1 ku unë banoj, si mund të përfitojmë nga turizmi me një qytet të papastër. Pa bashkëbisedim, pa dëgjuar njëri-tjetrin, pa marrë vendime. Duhet të jemi të gjithë bashkë. Në focus të programit kemi pastrimin e këtij qyteti, turizmin dhe infrastrukturën urbane”, tha Hoti. Dy ditë më parë në Durrës ishte ish-kryeministri Sali Berisha i ciliakuzoi kryeministrin Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha se po grabisin 800 mijë metër katrorë tokë në Port. Sipas Berishës, kjo po realizohet nëpërmjet një skemë të mirëfilltë mafioze, duke gjetur një kompani në Emiratet e Bashkuara dhe pas ‘zhdukjes’ së emirit, 100% e aksioneve iu shitën “kompanisë ofshorë të Rama-Basha”. Sipas Berishës, kjo po bëhet vetëm, për të fshehur paratë e drogës. Kreu i PD, Lulzim Basha, deklaroi nga qyteti i Durrësit se landfilli i këtij qyteti është mbyllur për t’i kaluar 10 milionë euro në inceneratorin e Tiranës. Basha thekson se taksat e durrsakëve i kaluan landfillit të Tiranës. “Meqë ndërkohë zhvillohet edhe Komisioni për Inceneratorët, ka një informacion, këtu ka ekzistuar një landfill, Landfilli I Durrësit. Është mbyllur dhe është kaluar një vendim që 10 milionë euro të taksave të durrësakëve të shkojnë në të ashtuquajturin Inceneratorin e Tiranës që në fakt është landfili i Tiranës, ju e keni parë që s’ka incenerator. Pra, me një llogari në më pak se një orë na dolën vetëm me dy fera me Veliajn, 7 milionë të shpenzuara, kërkokan edhe 2.5 milionë të tjera dhe 10 milionë i kanë kaluar landfillit të Tiranës dhe e kanë mbylluar landfillin e Durrësit. 20 milionë euro, janë taksa të qytetarëve durrësakë të cilët duhej t’i administronte bashkia e Durrësit për qytetarët durrësakë. Pastaj të ndahemi, s’ka rëndësi. Mund të bëjmë betejë me qytetarët, le të thonë socialistët nëse i qëndrjnë besnk programit të tyre në qoftë se këto 20 milionë euro duhet t’ua mbajnë famijeve të papuna e le të themi ne që këto 20 milionë euro do t’i përdorim për të zhvilluar ekonominë që familjet e papuna të mos ngelen të papuna, por të ketë të paktën një famijar të punësuar. Le të debatojmë por jo kështu. Të zhdukësh, të gllabërosh 20 milionë euro ti, njërën ta bëj velierë e tjetrën ta djegësh në landfillin e Veliajt dhe s’shkojnë as për të djathtët as për të majtët ato para”, tha Basha.