Ikën Bardhyl Londo, vargjet treten në eter

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

I cilësuar nga shumëkush si “poet brilant” e ca të tjerë si “mjeshtër i poezisë”, ai  vazhdonte të shkruante plot forcë e ritëm. Por nga fundi e ndjeu veten të dobët. E shtyu pak kallamarin e bojës që mbante mbi skrivani dhe penda i ra mbi letër, e lëshoi dhe vendin në poltron për të ikur nga bota e të gjallëve, diku larg… Atje e presin të tjerë njerëz të tij të afërt, dhe të panjohur një pafundësi.

Tanimë ai do të thurë vargje të reja, për t’ua kënduar të vdekurve të përjetshëm, shpirtra që sillen në hapësirën e pamat të lirë e të çliruar nga mundet e shpirtit dhe të qenies fizike.

Ai vizatoi hartën e botës,

Mbi të

një qiell të pastër, të pastër.

Pastaj qau me lot të kaltër…

Bardhyl Londo do të mungojë mes miqve në një tavolinë kafeje me vargje të reja krijuar nga nata apo mëngjesi i vagëlluar. Por ai do të  vazhdojë të jetë poet dhe në të ardhmen e pakufishme, sepse dhe ishte i tillë dhe në të shkuarën e shkurtër.

U cilësua si një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve ‘80. Spikaste për ndjeshmërinë e vargut. Po aq njihej dhe për ndikimin jo të vogël në historinë e poezisë shqipe.

Shkroi me mijëra vargje, por një nga poezitë domethënëse të tij është ajo që poeti ia kushton poetit, e në këtë rast Bardhyl Londo shkruante për Lasgush Poradecin:

Vdekja e kish harruar. E mahnitur

kish humbur rrugën në vargun e tij

erëmirë.

Atë ditë që mbylli sytë

gjoli i Poradecit nga habia

si një lot i madh kish ngrirë…

Në jetëshkrimin e shkurtër të Bardhyl Londos, që qarkullon rëndom të faqe interneti e rrjete sociale, në fund të paragrafit thuhet se ka fituar çmimin “Migjeni”. Megjithatë vëllimi poetik “Prill i hidhur” pasi u vlerësua me çmim të parë në Panairin e Librit në Fier mori në Tiranë çmimin e parë kombëtar për poezinë.

Gjithsesi kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ajo administrative. Sepse për juritë gjithfarësh, – çuditërisht në fakt, – vlen më shumë ai që vlen më pak.

Lexo edhe :  Emmy Noether, gruaja më e urryer e Rajhut të Tretë

Bardhyl Londo, poezia e tij, vlen më shumë se çmimet që mbesin nëpër sirtarë.

Nata jeton me pasionin e agimit,

e sotmja ëndërron të nesërmen.

Vetë hapi i njeriut mbi tokën time –

trajektore e pasioneve të ndershme.

Nga pasione të bukura, njerëzore,

lindin, vdesin, rilindin miliona dashuri.

Do të vdes nga pasioni për të qenë njeri.

Bardhyl Londo njihej si poet e prozator njëkohësisht edhe pse dukshëm balanca anonte nga vargu. Por njihej gjithashtu edhe si autor i teksteve për këngë. Kishte studiuar për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas kaloi në gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane.

“Krisma dhe trëndafila” ishte librit të parë me poezi të cilin e botoi në vitin 1975. Në vitin 1981 ai boton librin “Hapa në rrugë”. Ndërsa në vitin 1984, “Emrin e ka dashuri”…

E kështu me radhë saga e botimeve do të vazhdonte… deri në fund.

-Një prej miqve të ngushtë të tij, shkrimtari dhe gazetari Ilir Kadia, për vdekjen e Bardhyl Londos do të shprehej: “…më i miri mik imi, Njeriu i butë si reja e bardhë në qiellin e Përmetit, Bardhyl Londo ynë… u shua! Lamtumirë mik!”

-Ermir Nika gjithashtu shkrimtar e mik i poetit do të shkruante në statusin e tij: “E kam të pamundur të ndjek nëpër media nekrologjinë tënde… U prehsh në paqe miku im i pazëvendësueshëm, poeti dhe shpirtërori Bardhyl Londo”.

-Ndërsa akademiku Vaso Tole do të thoshte: “Me hidhërim mësuam se zemra e mikut dhe shkrimtarit të shquar Bardhyl Londo sapo ndali. Një kaba përmetare po vajton për të!”

Nga kjo ditë shkurti, e ngrohtë dhe plot diell, Bardhyl Londo nuk do të jetë mes nesh. Ai iku vërtet, pas na librat e tij në prozë, dhe shumë vargje.

…ne do vazhdojmë t’i lexojmë…

Të fundit

Daja i Shabanit do t’i marrë mandatin, Lapaj: “Nuk kërcënohem nga askush”

Adriatik Lapaj u shpreh sot për Report TV se do vijojë misionin politik të nisur me Shqipëria Bëhet dhe...

Ulsi Manja kërkon procedim disiplinor për prokuroren Elsa Gjeli

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka dërguar në ILD prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli. Ulsi Manja ka kërkuar nisjen e procedimit disiplinor ndaj saj...

“Me Rusinë nuk kemi përparim”, amerikanët zhgënjehen me Putin

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shprehu zhgënjimin e tij, pasi Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë më shumë përparim në përfundimin e luftës në...

100 mln euro për sulmuesin e Bundesligës, Liverpool nuk ndalet në merkato

Pas gjermanit Florian Wirtz, Liverpool është gati për një tjetër transferim big. Edhe kësaj here, brenda kampionatit gjerman. Mediat angleze raportojnë se "The Reds" po...

Tre njerëz u kujtuan në të njëjtën ditë, kush po e sulmon Lapajn?

Në harkun e dy orëve, sot u publikuan tri lajme në disfavor të Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" dhe drejtuesit të saj, Adriatik Lapaj. Lajmi i parë:...

Lajme të tjera

Web TV