Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk i ka takuar ndonjëherë zbatuesit fizikë të tre kontratave koncesionare për inceneratorët. Ai tha se nuk ka rëndësi se kush e takon, por se kush është ai në vendimmarrjet e tij. Rama kujtoi dhe komisionin dikurshëm hetimor, kur ai ishte kryebashkiak.
Tabaku: A i keni takuar zbatuesit e këtyre 3 kontratave në cilësinë e detyrës tuaj për zbatimin e këtyre projekteve?
Rama: Në rast se do t’i kisha takuar çfarë më pret? I kam takuar apo nuk i kam takuar çfarë lidhje ka? Këta zbatuesit e projekteve janë persona juridikë, nuk takohen. Personi juridik nuk takohet. Kurse këta tre persona fizikë për hir të së vërtetës nuk i kam takuar ndonjëherë, nuk i njoh, por edhe mund t’i kisha takuar. Por unë takoj të tjerë, nga ata që ju i akuzoni si lloj-lloj gjakpirësisht të popullit shqiptar.
Nuk ka rëndësi kush më takon mua si kryeministër. Në vendimmarrjet e mia ka rëndësi se kush jam unë që të jemi të qartë. Ndryshe nga ju që jeni më të rinj, ose nga disa që u plakën, por dorë s’hoqën siç thotë ajo kënga, unë kam marrë dijeni prej shumë kohësh që kur shkon në botën tjetër nuk të kërkojnë konto bankare, Kështu që për mua historitë e këtyre parave që ikin e dalin nuk më përkasin se pasuria për mua është emri që më kanë lënë të parët e mia dhe që dua tua lë kur të gjitha do jenë harruar dhe kur plehrat të jenë pastruar. Dhe ky komision do harrohet siç u harrua ai tjetri, si ai që kam unë, madje sot nuk mora as megafon, as fotografi. Janë harruar ato. Ato që kanë mbetur është Tirana dhe punët që janë bërë në atë kohë. Një nga pyetjet e bëra në komision ishte që një kumbull e kuqe ishte blerë me mijëra, se në gjeneratën e parë ishte me mijëra, pastaj erdhi gjenerata e re që i ka me miliarda.