Luftime të ashpra, dhjetëra qytete të shkatërruara humbje jetësh nga të dyja palët janë bilancet e ditës së nëntë të luftimeve Rusi-Ukrainë. Ndërsa konflikti duket larg, Putin sipas agjencisë së lajmeve ruse Tass, ka përmendur Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë si vendet që kanë dërguar mercenarë, madje edhe terroristë në mbështetje të ushtrisë së Ukrainës. Bota në alarm nga marrëzia e Putinit, sulmohet centrali bërthamor që për pak mund të shkaktonte tragjedinë më të madhe botërore.
Edhe pse Shqipëria nuk ka kapacitete ushtarake që t’i vijë në ndihmë Ukrainës, sërish është vënë në “shënjestrën” e Rusisë zyrtare, fillimisht nga Ministri i Jashtëm Lavrov dhe dje edhe nga vetë Putin. “Presidenti rus Vladimir Putin në një telefonatë me kancelarin gjerman Olaf Scholz tha se Rusia është e hapur për dialog me palën ukrainase, si dhe me të gjithë ata që duan paqen në Ukrainë, por me kusht që të plotësohen të gjitha kërkesat e Rusisë. Ai ka shtuar se në Ukrainë, po shohin gjithnjë e më shumë mercenarë nga vendet e treta, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, mercenarë nga Kosova dhe madje edhe xhihadistë me përvojë të operacioneve ushtarake në Siri. Presidenti rus Vladimir Putin shprehu besimin se Kievi ‘do jetë i arsyeshëm’ në raundin e tretë të negociatave”. Ky ishte publikimi i agjencisë ruse të lajmeve Tass. Pas këtij lajmi, reagoi edhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka e cila shprehet se nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë, duke e cilësuar si gënjeshtër nga Moska. Xhaçka thekson se Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët. “Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës”shkruan ajo. Përmendja e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor nga Rusia nuk duket rastësi, pasi si Kosova, Kroacia, por edhe Shqipëria cilësohen nga Serbia si vende jo miqësore, ku edhe ka shkaktuar luftë dhe genocid si në Kosovë, ashtu edhe në Kroaci. Përfshirja pa asnjë bazë e tre shteteve është paralajmërimi që prej disa javësh ka ardhur nga agjencitë e inteligjencës në Perëndim që qëllim i Putinit është që të zgjerojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, duke përdorur pikërisht agresionin serb, që në vitet e fundit është fuqizuar me armatime ruse.
Ukraina ende mbahet
I gjithë territori i Ukrainës është në sulmet e vazhdueshme të ushtrisë ruse e cila ndonëse ka pësuar humbje të konsiderueshme po sulmon nga të gjithë anët. Pavarësisht luftimeve të ashpra dhe bombardimeve të vazhdueshme Ukraina po bën rezistencë të fortë, çka ka detyruar Kremilinin zyrtar dhe forcat ushtarake që të mendojnë një strategji tjetër për pushtimin e shpejtë të Ukrainës. Ndërsa luftimet vijojnë, ka ende pak shpresë se palët mund të arrijnë një dakordësi në raundin e tretë të bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës që do të mbahen në këtë fundjavë. Megjithatë, pala ukrainase konfirmon se nuk po kursehet as popullsia civile, ku ka pasur humbje jetësh në shumë zona të vendit, mes tyre edhe fëmijë. Gjithashtu në orët e para të së premtes “çmenduria ruse” shkoi deri në bombardimin e centralit bërthamor në Zaporizhzhia. Fatmirësisht konfirmohet se ky sulm nuk ka shkaktuar derdhje radioaktive, që do të ishin shqetësim serioz me pasoja të rënda jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën. Sulmi mendohet se ka qenë tërësisht i qëllimshëm, si një paralajmërim se Rusia është gati që të përdorë çdo formë për të vendosur në alarm perëndimin. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është mbledhur në Nju Jork pasi Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera kërkuan një takim urgjent pas bombardimeve ruse të një centrali bërthamor në Ukrainë që tani është nën kontrollin e saj. Ndërtesat në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë, më i madhi në Evropë, janë dëmtuar dhe Kievi zyrtar thotë se ka të vdekur dhe të plagosur. Përfaqësuesja e SHBA, Linda Thomas-Greenfield, tha në takim se veprimet e Rusisë ishin “të pamatur” dhe “të rrezikshme”. “Me hirin e Zotit, bota shmangu për pak një katastrofë bërthamore mbrëmë. Ne të gjithë prisnim të nxirrnim frymën ndërsa shikonim situatën e tmerrshme të shpalosej në kohë reale,” thotë ajo. Ajo shprehet se forcat ruse janë 20 milje (32 km) larg nga një tjetër objekt bërthamor dhe se “rreziku” vazhdon.