Zgjedhjet e 6 marsit/ KRIIK: Ushtroni të drejtën themelore të votës, procesi i nesërm një test i rëndësishëm!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryefjala e së dielës do të jenë zgjedhjet e pjesshme lokale në që mbahen në 6 bashki të vendit.

Këto zgjedhje do të mbahen respektivisht në Shkodër, Durrës, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë, ku kandidatët e PS, PD dhe koalicionit “Shtëpia e lirisë” kërkojnë besimin e qytetarëve.

Në lidhje me këtë proces zgjedhor ka reaguar edhe Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara, me një deklaratë ku apelon qytetarët për një pjesëmarrje masive në votim teksa garanton se do të vëzhgojë procesin nëpërmjet 13 vëzhguesve të alokuar në secilën prej KZAZ dhe 26 vëzhguesve të lëvizshëm nëpër qendrat e votimit

Deklarata e plotë:

“Zgjedhjet e Pjesshme Vendore të nesërme mjaft të rëndësishme për prevalimin e vlerave dhe parimeve demokratike në të ardhmen e vendit.

Pas dekretimit prej Presidentit të Republikës më datë 20 janar 2022, ditën e nesërme më datën 6 mars 2022 do të zhvillohen Zgjedhjet e Pjesshme për Kryetarin e Bashkisë në Bashkitë e Dibrës, Durrësit, Lushnjës, Rrogozhinës, Shkodrës dhe Vorës. 

Ky proces zgjedhor administrohet nga 13 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), si dhe 941 Komisione të Qendrave të Votimit (KQV).

Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 654.538 zgjedhës të regjistruar në listat e zgjedhësve si banorë të këtyre bashkive.

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) në bashkëpunim me 12 organizata partnere lokale do të vëzhgojë procesin nëpërmjet 13 vëzhguesve të alokuar në secilën prej KZAZ dhe 26 vëzhguesve të lëvizshëm nëpër qendrat e votimit. Ndërkohë, deri më tani është ndjekur në vazhdimësi tërë procesi dhe përgatitja e tij prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kur na ndajnë vetëm pak orë nga nisja e procesit të votimit, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) iu bën thirrje dhe nxit të gjithë zgjedhësit banorë të këtyre 6 Bashkive, që t’i drejtohen nesër masivisht qendrave të votimit për të ushtruar të drejtën themelore të votës, për zgjedhjen e Qytetarit të parë të Bashkive të tyre.

Pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime duke shprehur vullnetin e tyre tërësisht të lirë e të pacënuar, është një moment madhor i ushtrimit të sovranitetit dhe një mësim i madh demokracie për klasën politike, në raport me kontekstin politik të sotëm, të ardhmen e demokracisë në vend dhe projeksionin e politikës mbi pushtetin vendor. 

Në gjykimin e KRIIK, zgjedhjet e nesërme lokale, megjithë politizimin e skajshëm të tyre, përbëjnë në vetvete një test të rëndësishëm për zgjedhjet e përgjithshme vendore pas një viti.  Ndaj vetëm një votim masiv i qytetarëve, i pandikuar dhe i orientuar drejt kandidatëve me integritet të lartë, që mishërojne vlerat më të mira të qytetarisë, të përgjegjshëm dhe me kapacitet e duhura për t’i përfaqësuar denjësisht qytetarët e punuar vetëm në shërbim dhe interes të tyre, do të mund të japë një mesazh të fortë dhe shumëdomethënës për politikën, në raportin e saj me qytetarin, zgjedhjet, pushtetin dhe do të sigurojë prevalimin e vlerave dhe parimeve demokratike në të ardhmen.

Partitë politike, duhet të respektojnë heshtjen zgjedhore ditën e sotme dhe të nesërme, sidomos në aktivitetin e tyre në terren, në mediat lokale dhe veçanërisht në portalet e internetit dhe në tërë platformat e mediave sociale.

Partitë politike, funksionarët, mbështetësit dhe militantët e tyre, përpos ligjit, duhet të tregojnë se respektojnë qytetarin votues dhe i japin atij mundësinë të reflektojë dhe votojë në mënyrë të pandikuar.

KRIIK, iu bën thirrje Drejtueseve të Partive Politike që të ushtrojnë autoritetin e tyre për të mbajtur në kontroll anëtarët dhe mbështetësit e tyre duke evituar çdo formë të grumbullimit jashtë ambienteve të Qendrave të Votimit, si dhe grumbullimet e çdo lloj natyre deri në përfundim të tërë procesit.

Gjithashtu, ato duhet të shmangin çdo ndikim tek komisionerët zgjedhorë, të propozuar prej tyre, si dhe t’i nxisin ata të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë korrekte, të qetë dhe në zbatim maksimal të ligjit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vazhdimësi të administrimit të gjithë procesit parazgjedhor, duhet të angazhohet maksimalisht për garantimin e të gjithë infrastrukturës së nevojshme, mbarëvajtjen e procesit të votimit dhe numërimit, si dhe të ndjekë dhe adresojë në mënyrë efikase çdo shkelje të vërejtur, denoncim të bërë apo mospërmbushje të duhur të detyrave prej administratës zgjedhore.

Policia e Shtetit duhet të angazhohet maksimalisht dhe në mënyrë profesionale për të garantuar rendin dhe qetësinë maksimale për qytetarët dhe votuesit gjatë ditës së votimit.

Në mënyrë të veçantë, Policia e Shtetit duhet të ketë në konsideratë parandalimin dhe shpërndarjen e çdo grumbullimi personash në një zonë të gjerë përreth Qendrave të Votimit.

Në mjediset jashtë qendrës së votimit, në oborrin e ndërtesës, në hyrje të saj dhe në korridoret e brendshme të ndërtesës nuk duhet të ketë asnjë prezencë tjetër përveç zgjedhësve që presin në radhë për të votuar, vëzhguesve dhe përfaqësuesve të medias së autorizuar.

Gjithashtu, është e nevojshme që Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK të tregojë që është prezent e në gatishmëri, si dhe të ndjekë me përparësi çdo denoncim dhe indicie për krime zgjedhore.

Tiranë, më 5 Mars 2022!”

 

Të fundit

“Kam ardhur për qejf”, kryetari i Frymës së Re Demokratike paraqitet në SPAK

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion. Ende nuk...

Përplas për vdekje të moshuarin, arrestohet 63-vjeçari

Policia e Dibrës ka arrestuar një 63-vjeçar, pasi dyshohet se ka shkaktuar një aksident me vdekje. 63-vjeçari mësohet se ka përplasur për vdekje një 75-vjeçar...

Izrael, raketa Houthi e rrëzuar nga mbrojtja ajrore përplaset në një shtëpi

Një nga raketat e lëshuara gjatë 24 orëve të fundit nga rebelët jemenas Houthi kundër Izraelit teksa rrëzohet nga sistemi i mbrojtjes ajrore i...

6 arsye pse vezët janë një domosdoshmëri e përditshme

Nëse një mollë në ditë e mban doktorin larg, atëherë vezët janë gjithashtu jo shumë larg në koeficientin e tyre shëndetësor, pasi ato jo...

Shtimi i Virozave/ Ylli Merja zbulon ilacin ‘magjik’: Ja si të kuroni gripin pa ilaçe

Gjatë ditëve të fundit në vendin tonë vërejmë shtim të komplikacioneve shëndetësore si tek fëmijët ashtu dhe tek të rriturit, në vend po qarkullojnë...

Lajme të tjera

Web TV