Ulet sërish çmimi i naftës në Shqipëri, Bordi i Administrimit: 203 lekë për litër deri në datë 21 mars. Lajmin e ka bërë me dije Kryeministri Rama në Facebook. Çmimi i naftës është ulur me 8 lekë për 5 ditët e ardhshme nga një vendim i Bordit të Administrimit të Karburantit. Ditën e djeshme çmimi ka qenë 211 Lekë për litër.
Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e hënë, datë 21.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Kujtojmë se Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.
Çdo operator i shitjes në treg është i detyruar të respektojë këtë vendim, ndërkohë që organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ.
Vendimi i Bordit të Transparencës datë 16.3.2022
Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, sot në datë 16 mars 2022, në mbledhjen e tij të rradhës, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, ky Bord vendosi:
1. Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 199 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë për periudhën 16 Mars-21 Mars 2022, të jetë 193 lekë/litër
2. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022, të jetë 203 lekë/litri.
3. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022, të jetë 206 lekë/litri.
4. Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 16 Mars-21 mars 2022, të jetë I pandryshueshëm 93 lekë/litri.