Deputetët e PD-së që deri para zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit ishin në krah të Lulzim Bashës i kanë kërkuar atij dorëheqjen. Deputetët janë dakordësuar për dorëheqje, por ndahen për ultimatume. Megjithatë duket se Basha po përdor çdo formë për të fituar kohë apo mbledhur kryetarët e disa degëve të cilët i ka ende si mbështetje.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është vënë nën presion nga demokratët pas zgjedhjeve të 6 Marsit. Rezultati katasrofik dhe rënia e Partisë Demokratike në 30 vjet si forca e tretë, ka bërë që shumica e deputetëve ti kërkojnë dorëheqjen. Bashës i është vendosur një ultimatum brenda ditës së sotme të jap dorëhqejen, por si në qëndrimet e mëparshme ashtu edhe të ditëve të fundit ai nuk e ka parë asnjëherë dorëheqjen si opsion. Kur iu këkrua në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, ai i ftoi të ndreqen gabimet që u bënë më 6 mars, duke fajësuar Sali Berishën, marrë pak përgjegjësi për veten dhe shpërndarë në të gjithë grupin. Ish-nënkryetarja e PD-së, Grida Duma, tha se deputetët e Partisë Demokratike i kanë lënë kohë deri të enjten Lulzim Bashës, për të dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit. “Kemi kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës për vetëm një arsye, PD-ja nuk mund të zvogëlohet më. Demokratët nuk pranojnë më të jenë humbës, duhet të dalin fitues. Duhet secili të qartësohet se, nëse i bën dëm PD, duhet të bëjë hapa pas. Deputetët i kanë lënë kohë deri ditën e nesërme, siç edhe ai e kërkoi në mbledhjen e grupit parlamentar”, tha Duma nga Elbasani. “Basha tha që e ka marrë vendimin, tha “do të tërhiqem, vetëm më jepni pak kohë që të qartësohem, për të bërë të ditur vendimin tim”. Nuk ka rrugë tjetër përveç se të tërhiqet. Aksionet e demokratëve nuk mund të keqpërdoren nga një aksioner i vetëm”, shtoi Duma. Ndërsa deputeti Dashnor Sula është dakord për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, por kundër ultimatumeve dhe afateve. “Nuk është një ultimatum i tillë dhe nuk do ta doja një ultimatum të tillë, këtu unë ndahem për ultimatume me orë apo dy ditë unë i qëndroj vendimit tim personal që dorëheqja e Bashës duhet të ndodhë. Kjo ka të bëjë me karakterin dhe unë nuk bëj pjesë në ato politikanë që në momentin më të vështirë që ai ka në këtë moment nuk mund t’i vëmë shkelmin, por Basha duhet të tërhiqet t’i hapë rrugë bashkimit të PD-së”. Sula, i cili në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së të shtunën e 12 marsit dha edhe propozimet konkrete për daljen nga kriza të partisë, tha se i qëndron vendimit të tij personal për të gjetur të gjitha mundësitë e bashkimit të kësaj force politike dhe për të mos patur më rezultatin e zgjedhjeve të 6 marsit. Ai tha se prej kësaj date nuk ka më komunikim me Bashën. Anëtarja e Kryesisë dhe sekretarja në PD Jonila Godole ende nuk pranon të pozicionohet publikisht në konfliktin e brendshëm të demokratëve. Godole vendos theksin tek analiza që duhet bërë për humbjen e zgjedhjeve të 6 marsit, ndryshe nga kolegët e saj, që kanë kërkuar kokën e kryetarit. “Një analizë të shkurtër në kohë, pasi ishin vetëm 6 bashki, kush ishin faktorët e jashtëm e të brendshëm dhe vetë kjo analizë do të nxjerrë përgjegjësit sipas posteve”, tha Godole. Sekretarja për të përndjekurit politikë mendon se iu takon demokratëve të vendosin cila do të ishte zgjidhja e duhur që do të nxirrte partinë nga situata e krijuar. “Ju e patë që as deputetët, as kandidatët e as kryetarët e degëve nuk janë në një mendim. Është një kakofoni e madhe. Nëse pastaj për bashkim apo jo të demokratëve, ata e dinë vetë nëse zgjedhin të mbështesin dikë për interesat e njërit apo tjetrit le ta bëjnë”, shtoi Godole. Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të bashkonte grupimet brenda demokratëve, prej ditësh zhvillohen negociata mes mbështetësve të Berishës dhe pjesës zyrtare të PD-së.