Kryeministri Edi Rama është vënë në lëvizje për të marrë masa kundër rritjes dhe abuzimit me çmimet për ushqimet. Në një takim me sektorin privat, Rama tha se do të ketë masa për të gjithë tregtarët që do të abuzojnë, deri në sekuestrimin e mallit. Nesër është paralajmëruar protestë nga qytetarët para kryyeministrisë.
Kryeministri Edi Rama, dy ditë para protestës ka marrë masa që të mos lejohet abuzimi me çmimet e ushqimeve. Edhe pse protestuesve ju është drejtuar me një gjuhë të ashpër, kreu i qeverisë po ndërhyn në këtë sisitem duke bërë bërë transparente çmimet dhe shmangur rritjen abuzive të tyre. Gjatë një takimi me përfaqësues të furnizuesve të ushqimeve bazë, kreu i qeverisë thotë se qeveria do të ndërhyjë menjëherë për transparencën e çmimeve të ushqimeve bazë dhe ngrirjen e marzheve të fitimit. “Me përfaqësues të furnizuesve të ushqimeve bazë me shumicë dhe shitjes me pakicë për adresimin e pasojave të luftës mbi çmimet në tregun shqiptar. Qeveria do të ndërhyjë menjëherë për transparencën e çmimeve të ushqimeve bazë dhe ngrirjen e marzheve të fitimit”, shkruan Rama. Sipas Ramës do të ketë një bord si ai i ngritur për çmimin e naftës që do të monitorojë edhe ushqimet, duke paralajmëruar bizneset se kush do të luajë me tarifat abuzivedo t’i konfiskohet prodhimi. “Ajo që më ka shqetësuar që shumica ia hedh fajin pakicës pakica shumicës në diskutimet për çmimet dhe për të mos pasur hedhje faji do futemi edhe ne për të krijuar bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve të shportës dhe ky bord i përbashkët do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe tuajt nga shumica e pakica dhe çmimet e ushqimeve bazë do të vendosen aty dhe askush nuk mund të vendosë çmime të ndryshme. Kush do t’i vendosë do t’i konfiskohet prodhimi me ligj dhe zakon dhe jo arbitraritet, nëse dikush do të luaj. Marzhi i fitimit do të ngrijë. Mbi vuajtjet e njerëzve askush nuk mund të fitojë dhe askush nuk ka të drejtë që ju të humbisni”. Kryeministri Edi Rama theksoi se çmimet do të vazhdojnë të rriten, por detyrimi i qeverisë është të mbështesë familjarët dhe pensionistët. Sipas tij, konsumi nuk ka rënë po pavarësisht kësaj, nuk mund të bëhet asnjë eksperiment fitimprurës. “Nuk mund të bëhet asnjë eksperiment fitimprurës këtu me idenë që këta vazhdojnë të blejnë, konsumi nuk ka rënë që tregon diçka tjetër nga propaganda e shfrenuar e mjerimit ekstrem. Por kjo nuk do të thotë aspak që situata është e tillë që ju mund të vazhdoni me këto çmime. Çmimet mund të rriten në vijim përsëri”, tha kryeministri Rama. Ai shtoi se sot të gjithë kemi detyrën e përbashkët që të bëjmë secili të vetën. “Nuk mund t’ia kërkojmë këtë një pensionisti që ka nevojë për ushqimet bazë, apo që nuk ka kursime për të përballuar çmimet e tregut. Atë pensionist do ta mbështesim ne, qeveria me një shumë që është barabartë me rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë, por edhe ju me çmimet që do vendosni atje”, tha Rama. Ai u kërkoi eksportuesve që ta përballojnë këtë situatë me patriotizëm, ndërsa biznesmenëve u përmendi rrathët e ferrit në jetën e përtejmë nëse fitojnë në kohë lufte. Ai tha se këtë po e bën për qytetarët dhe jo për protestuesit kundër çmimeve, për të cilët u shpreh se do ta rriste dyfish. “Duhet ta përballojnë këtë situatë me patriotizëm. Këtë fjalë e përdorim me kënaqësi të madhe kur nuk kërcënohemi me asgjë apo kur shajmë të tjerët nëpër stadiume, sot është patriotizmi në radhë të parë dhe për ju si biznesmenë është shans të lani ca mëkate dhe kur të mbarojë lufta të dilni të pastruar nga mëkatet”, u shpreh kryeministri Rama.