Ambasada Ruse ka reaguar ndaj deklaratës së Sali Berishës një ditë më parë, i cili tha se ka refuzuar pagesë që kompania e gazit rus t’i jepte për të lejuar tregtimin e saj në Shqipëri. Ambasada i është përgjigjur me ironi ku e pyet se sa kërkoi Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato “shuma përrallore”.
“U habitëm nga fjalët e Sali Berishës se 10 vjet më parë ai refuzoi ryshfetin gjoja të propozuar nga Gazprom për zhvillimin e projekteve energjetike në Shqipëri. Na lind natyrshëm pyetja: sa kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi t’i mbledhë dot ato “shuma përrallore”?”, shkruan ambasada ruse.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar një ditë më parë se ka refuzuar një ofertë ‘marramendës’e nga kompania ruse e gazit Gazprom në kohën që ka qenë kryeministër. Në një deklaratë jashtë Kuvendit, Berisha u shpreh se e kishte bërë një gjë të tillë në ‘interes të vendit, teksa shtoi se kishte preferuar të nënshkruante marrëveshjen me TAP-in.