Pas rritjes mjaft të lartë të çmimit të karburanteve dhe produkteve bazë të shportës, pati protesta për një javë rresht, ku në njërën prej tyre masiviteti qytetar ishte i dukshëm. Si i konsideroni këto protesta, vetëm për shkaqe mirëfilltas ekonomike, apo janë një frustrim për keq qeverisjen?
Protesta ishte legjitime, biles do të thosha shyqyr më në fund, nuk do e quaja që qytetarët u zgjuan por për një shkëndi që u dha. Ne karakterizohemi apo jemi mësuar të shohim vetëm protesta të organizuara nga politika apo politikanët, kjo dominohej nga qytetarët. Çmimet e larta të karburantit, energjisë, tek produktet e shportës, tek mielli për një pjesë të shoqërisë vërtet janë të papërballueshme. Niveli ekonomik, apo niveli i ulët i pagave për një pjesë dërmuese të shoqërisë, i bënë direkt të ekspozueshëm ndaj efekteve të rritjes së çmimeve. Ne kemi pafund familje që të ardhurat mujore nuk i kalojnë të 400 dollarëve amerikan. Rritja e çmimeve është shqetësim serioz për vendin. Ndoshta ka pasur dhe grupe të caktuara që protestën për krizën ekonomike e kanë parë si mundësi për të protestuar edhe për pakënaqisitë e tyre të krijuara ndër vite nga qeveria. Duhet dëgjuar, nuk mund të ketë vesh të shurdhër kur troket uria, sepse nëse neglizhohet ajo do ulërijë.
Kryeministri reagoi me një paketë sociale, ku më kryesorja ishte mbajtja nën kotroll e çmimit të naftës dhe duke nisur nga muaji në vijim shtresat në nevojë dhe pensionistët do të marrin 3 mijë lekë për përballimin e situatës. A janë këto të mjaftueshme dhe a mund ta ulin “forcën e protestës”?
Tashmë ne jemi mësuar, ne këto vite jemi përballur me situata të vështira, si tërmeti, pandemia, dhe tashmë po na trokasin dhe efektet ekonomike të luftës që po zhvillohet në Ukrainë. Paketat e qeverisë nuk është se kanë ndihmuar ekonominë, ato thjeshtë për disa shtresa mund të jenë shumë në një moment, por jo se ato zgjidhin apo ndihmojnë ekonominë. Qeveria është kokëforte në këtë aspekt, u vu re dhe dje në parlament, ku një grup deputetësh kërkuan debat për situatën dhe deputet e mazhorancës votuan kundra, duke mos pranuar as debat. Realisht po e përsëris që duhet vërtet ndërhyrje, çmimet e larta mund të vështirsojnë jetën e qytetarve, mund të ndikojnë në papunësi, prandaj duhet ndërhyrje reale. Duhet plan afatgjatë ekonomik.
Si luajti politikisht Rama pas këtij reagimi? Kujtojmë që ditët e para i cilësoi minorancë, më pas si të turpshme, të nxitura nga foltorja dhe non gratat dhe së fundmi si “protesta që as Kremilini nuk do i organizonte më mirë”.
Mendoj që kryeministri di të luajë apo të menaxhojë situata të tilla. Kryeministri mund ta fshehë apo ta kamuflojë protestën, në Tiranë apo kudo, por jo problemin. Problemi është real. Plaga ekonomike duhet kuruar jo mbuluar. Qeveria nuk duhet të tlellohet në zbulimin e “armiqëve” që zhvillojnë protesta, por të fokusohet thelbi, tek kriza. Normalisht, që edhe foltorja do flasi, edhe selia e PD-së, apo edhe opozita që fatkeqsisht është më në krizë se vet kriza ekonomike e vendit. Është situatë problematike ekonomike dhe jo politike. Të gjejnë paketa ndihmuese dhe jo organizatorët e protestës.
Protestat nuk kanë shënuar asnjë incident duke mos u prekur asnjë xham institucionesh apo dhunë ndaj policisë. A e “trembin” realisht protestat Ramën, kur deri tani kanë “revoltë qytetare” dhe jo organizime politike, të paktën zyrtarisht?
Edi Rama, e thashë dhe më lartë, i menaxhon mirë këto situata. Di të luajë me turmat, ka stilin e tij, tashmë është ekspert, e ka stërvitur opozita. Në fund do e gjej gjuhën. Nuk ka arsye për dhunë, qytetarët kanë dalë në protesta vetëm për arsyet ekonomike dhe jo për qeverinë. Rama është komod, edhe testi që i zhvillua në disa bashki tregoi që ai fiton. E duan qytetarët, apo e do opozita kjo është për tu analizuar. Por Rama fitoi. Rama tashmë që nuk ka luftë me opozitën, ka një betejë të vështirë përpara. Krizën ekonomike, këtë duhet të fitoj vërtet, për veten dhe shqiptarët. Nuk duhen masa sa për hi syve, por duhet zgjidhje. Nëse nuk ja del unë mendoj që do jenë me mijëra qytetarë në rrugët dhe sheshet e vendit. Sepse uria në fillim ndihet në rrethe dhe pastaj në Tiranë. Uroj tia dalim vërtet në këtë situat të vështirë.