Vrasja e Ardit Spahiut në nëntor të vitit 2020 në Bruksel, ka vënë sërish në lëvizje autoritetet belge, që kanë një person të dyshuar.
Kështu policia belge është vënë menjëherë në lëvizje dhe ka kërkuar marrjen e tij në pyetje, si dhe kontrollin e të gjitha banesave në pronësi të personave të identifikuar me inicialet F.M. dhe O.V.
Të dy të dyshuarit që pritet të merren në pyetje, jetojnë në Tiranë. Për këtë proces pritet që në vendin tonë të vijnë dy hetues dhe një gjyqtar belg që do të marrin në pyetje edhe dy persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve për ngjarjen e rëndë regjistruar në Belgjikë.
Ardit (Arjan) Spahiu, 38 vjeç dhe banues në Elbasan u ekzekutua me tetë plumba në një nga lagjet më të njohura në Bruksel, në bulevardin ‘Edmond Machtens’, pranë lagjes së njohur Molenbeek.
Viktima ka qenë i akuzuar 11 vjet më parë si organizator i vrasjes se Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit, në afërsi të Urës së Zaranikës. Alikaj dyshohet se ka vrarë 14 vite më parë një të afërm të Arjan Spahiut, ç’ka ka bërë që hetuesit belg të dyshojnë se krimi ka ardhur si pasojë e hakmarrjes.