Inflacioni dhe përgjegjësia e politikës monetare të mos injorojë realitetin shqiptar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Eduart Gjokutaj

Në këtë kohë inflacioni galopant, Banka e Shqipërisë duket se do të ndikojë sadopak me frenimin e tij nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit. Me rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë së interesit, nga niveli 0.5% në nivelin 1.0%, si dhe me mbajtjen e normës së interesit të depozitës njëditore, në nivelin aktual prej 0.1%, por duke ndryshuar rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore, nga niveli 0.9% në nivelin 1.9%, Banka e Shqipërisë vijon të jetë më shumë se e matur për ndikimin e sistemit financiar në rritjen e ekonomisë, të punësimit dhe të pagave. Nga teoria dihet se inflacioni dhe normat e interesit priren të lëvizin në të njëjtin drejtim, sepse normat e interesit janë mjeti kryesor që përdoret nga çdo Bankë qendrore për të menaxhuar inflacionin. Që nga shumë e shumë vite, Banka e Shqipërisë ka synuar inflacionin vjetor nën 3% në përputhje me pjesën e çmimeve të qëndrueshme të mandatit të saj të dyfishtë. Kur Banka Qendrore ju përgjigj tashmë rreziqeve të rritura të inflacionit duke rritur normën e saj standarde, ajo në mënyrë efektive po rrit nivelin e rezervave në sistemin financiar, duke kufizuar ofertën monetare të disponueshme për blerjet e aktiveve më të rrezikshme.

Çdo të thotë kjo për individët/bizneset që marrin kredi afatgjata?

Për shembull, nëse merrni borxh 10.000 Lekë me një normë interesi 1%, ju do t’i paguani 10.100 Lekë huadhënësit nga i cili keni marrë hua. Huadhënësi do të ketë 100 lekë fitim. Por, çdo kredi ka normën e vet të interesit që do të përcaktojë shumën e vërtetë që i detyroheni. I njëjti efekt i ndodh edhe kreditimit të ekonomisë së vendit dhe natyrshëm që ky moment i politikës monetare nuk është ai që vlen për zhvillimin e investimeve dhe si rrjedhojë të ekonomisë. Duke rritur kostot e huamarrjes, rritja e normave të interesit dekurajon shpenzimet e konsumatorëve dhe të biznesit, veçanërisht për blerjet e mëdha të financuara nga bankat, si: banesat, makinat dhe pajisjet kapitale. Rritja e normave të interesit pra priret të rëndojë në çmimet e aktiveve, duke rikthyer efektin e pasurisë për individët dhe duke i bërë bankat më të kujdesshme në vendimet e kreditimit.

 

Siç tregon momenti i vendimarrjes për rritjen e normave të interesit duket se përgjigja e politikës monetare ndaj ndryshimeve të tregut në perspektivën ekonomike është me pak vonesë pasi kjo masë e nevojshme do të kërkojë kohë për të ndikuar në tendencat e inflacionit. Ndërkohë, inflacioni dhe tendenca e tij rritëse filloi të ndikonte në tregun shqiptar pas verës së vitit 2021. Edhe pse ankandet e obligacioneve kanë qenë prezente si një nga mjetet më aktive tradicionale të tregut të hapur, kjo më së shumti ka ndihmuar ngushtësisht Bankën e Shqipërisë për të rregulluar ofertën e rezervave të sistemit bankar dhe për të mbajtur normën në objektiv. Për shkak të kësaj vonese, që ka një ndikim për tu analizuar thellësisht nga analistët e sistemit financiar dhe politikave monetare, nisur nga rrisqet e shtuara në tregun financiar dhe në ekonominë globale me të cilën tregu shqiptar ndërvepron, si dhe bazuar te ndikimi frenues i reformave të pambyllura prej politikës së ditës, mbetet detyrë me përgjegjësi analiza dhe pararendja me masa për tendencat e ardhshme të inflacionit shumë më shpejt se koha kur e kupton vetë konsumatori. Për qytetarët vlen që të informohen dhe të komunikojnë me bankat lidhur me efektet kontraktuale që rezultojnë lidhur me rritjen e kostos së huamarrjes, pasi me norma më të larta interesi, pagesat e interesit për kreditë janë më të shtrenjta. Normat më të larta të interesit mund të rrisin vlerën e Lekut.

Mirëpo një Lek më i fortë i bën eksportet shqiptare më pak konkurruese duke ndikuar mbi eksportet dhe në favor të rritjes së importeve. Ky moment, kur qeveria vetë ka marrë borxh do të ketë një tjetër problem të madh lidhur me koston e pagesave të interesave të borxhit.  Buxheti i Shqipërisë aktualisht do paguajë në vitin 2022 mbi 415 milionë Euro (50.7 miliard lekë) për borxhin e saj kombëtar. Normat më të larta të interesit rrisin koston e pagesave të interesit të qeverisë. Kjo mund të çojë në nevojën e detyruar për shumë më shumë të ardhura. Në këtë moment qëllimi kryesor i politikës monetare dhe asaj fiskale duhet të jetë inkurajimi i bizneseve dhe individëve të shpenzojnë para për të lëvizur ekonominë. Ky reagim i Bankës së Shqipërisë, i konsultuar së fundmi edhe me ekspertë të huaj dhe vendas është në formatin e njohur, ku duke rritur normat bazë të interesit kjo do të ndikojë në shtrenjtimin e huave duke shpresuar që të ulet kërkesa për mallra dhe shërbime në të gjithë ekonominë. Çmimet mund të mos ulen domosdoshmërisht, por norma e tyre e inflacionit zakonisht do të ulet. Por, realisht nga gjithë ky mekanizëm nuk mundet të ndikohen të gjithë ata që realisht e kanë nevojë kreditimin me para. Rritja e normave të interesit në këtë situatë kur ekonomia ka patur nevojë për kreditim dhe do të ketë përsëri, duhet harmonizuar tashmë me një ofertë të shtuar të parasë për grupet e individëve dhe bizneseve që e kanë realisht të nevojshme këtë kreditim. Përndryshe duhet menduar një politikë e integruar monetare dhe fiskale për të ndihmuar ekonominë tonë, e cila ka të ngjarë të pësojë rënie të konsumit dhe investimeve. Mundet të ketë nevoja reale të mbështetet me ofertë monetare direkte për ato segmente që nuk janë pjesë e ndikimit nga këto politika (pensionistët, të varfërit, bujqit, prodhimet konkuruese për eksport, segmente të turizit e ndoshta edhe të tjerë).

Lexo edhe :  Një kumar politik në Gjermani rezultoi mbrapsht, afroi të djathtën ekstreme me pushtetin

 

Edhe pse Banka e shqipërisë prej vitit 2015 ka adoptuar regjimin e “inflacionit të shënjestruar” si kuadër të politikës monetare, ku ajo me këtë qasje ka hequr rritjen e ofertës monetare si tregues të presioneve inflacioniste, me gjasa politika aktuale duhet analizuar për të bërë një përshtatje më realiste me tendencat post pandemi dhe të një mish mashi të mospërputhjes së kërkesës me ofertën në ekonominë globale. Kjo politikë monetare me rritje të normave të interesit ka patur pak ndikim edhe në të kaluarën e afërt të tregut shqiptar (fillimvitet 2000), ku normat e interesit për kreditimin ishin relativisht mjaft të larta. Nëse shikon konsumin dhe ecurinë e ekonomisë vërehet se elementi i informalitetit, kulturës së dobët fiskale, evazionit dhe korrupsionit ndikuan me fuqi duke zhvlerësuar mjaft efekte që do të prodhonin politikat monetare në atë kohë. Në përputhje dhe në mbyllje të sqarimit tonë, p.sh. kur çmimi i naftës bruto po rritet ndjeshëm këto ditë kryesisht për shkak të bllokimeve të reja të lidhura me agresionin në Ukrainë, atëherë tregtarët e karburantet për makina do të duhet ti kalojnë këto çmime më të larta konsumatorëve në formën e çmimeve më të larta të pakicës, pavarësisht nga normat e interesit. Në këtë rast, Banka e Shqipërisë, përpara se të detyrohet të rrisë në mënyrë dramatike normat e interesit dhe të ulë ndjeshëm kërkesën për të ngadalësuar ritmin e inflacionit duhet të kërkojë një politikë mbështetëse edhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për të analizuar efektet që pasojnë nga vendimi i BSH. Në këtë pikë kohore, askush nuk e di se sa përqind duhet të jetë e nevojshme të rritet normat e interesit për të ulur inflacionin në rreth 2-3%. Por, financat shqiptare mundet të bëjnë detyrat e tyre duke mos lejuar spekulimin e tregut nëpërmjet rritjes së kreditimit informal dhe rritjes së tendencave për evazion. Ky quhet koordinim dhe harmonizim i detyruar midis politikës monetare dhe asaj fiskale.

 

 

Të fundit

Administrata, drejt punës hibride dhe në distancë!

Pas rritjes së pagave në administratë, qeveria parashikon një tjetër ndërhyrje në këtë aspekt. Hapi i radhës është ndryshimi i...

Upss, çfarë ishte kjo? Ledri Vula bënë veprimin e papritur ndaj Eglit

Por me veprimin e fundit Ledri ka ndez gjithë rrjetin, shkruan “Kosovarja”. Në ‘story’ Ledri ishte ai i cili ka ripostuar një video te Eglit...

Tirana, zemra ime

Nga Edi Rama Përshëndetje dhe në radhë të parë i uroj mirëseardhjen të gjithë miqve që kanë marrë avionët për të ardhur në këtë samit...

Keni bërë plane për nesër? Si fillim mësoni si do jetë moti

Ditën e enjte vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të qëndrueshme. Orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më...

Lirohet nga detyra prefekti i qarkut të Kukësit, ja kush e zëvendëson (EMRI)

Prefekti i Kukësit, Agron Geca është liruar nga detyra e tij si përfaqësues i kryeministrit në Kukës. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave...

Lajme të tjera

Web TV