Dhuna ndaj nxënësve/ Evis Kushi mbledhje urgjente, lajmëron masat e reja

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, ditën e sotme ka zhvilluar një takim me drejtuesit e njësive të shërbimit psiko-social nga të gjitha zyrat vendore arsimore dhe ekspertë nga Ministria e Arsimit, për të diskutuar masat e reja që kanë të bëjnë me përmirësimin e sjelljes së punonjësve arsimorë dhe të nxënësve.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kushi thotë se pas takimit me drejtuesit e njësive të shërbimit psiko-social nga të gjitha zyrat vendore arsimore si dhe konsultimeve me ekspertë e Ministrisë së Arsimit, është vendosur që së shpejti të nisë vlerësimi psiko-social fillestar dhe periodik për çdo mësues në sistemin arsimor.

Gjithashtu ministrja shtoi se do të ndërmerret një fushatë e rë ndërgjegjësimi ““Stop Dhunës në Shkollë” për parandalimin dhe trajtimin e çdo rasti, me fokus nxitjen e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe gjithë komunitetit shkollor për të denoncuar dhunën apo abuzimin.

Postimi i plotë i Evis Kushit:

Pas një takimi me drejtuesit e njësive të shërbimit psiko-social nga të gjitha zyrat vendore arsimore, si dhe konsultimeve me ekspertë e Ministrisë së Arsimit angazhohemi që:

– së shpejti të bëhet një vlerësim psiko-social fillestar dhe periodik për çdo mësues në sistemin arsimor;

– të ndërmarrim një fushatë të re ndërgjegjësimi “Stop Dhunës në Shkollë” për parandalimin dhe trajtimin e çdo rasti, me fokus nxitjen e nxënësve, prindërve, mësuesve dhe gjithë komunitetit shkollor për të denoncuar dhunën apo abuzimin;

– të respektohen me përpikmëri të gjitha aktet ligjore, nënligjore dhe rregulloret në shkolla ku parashikohet largim nga detyra për çdo rast dhune apo abuzimi nga punonjësit arsimor.