Universitet pa universitarë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Besnik Gjongecaj

 

Ka kohë që në qiellin e ulët të shoqërisë shqiptare është shfaqur fantazma e një universiteti bosh, të zbazët, pa universitarë. Një ekzistencë e padëgjuar në botën e sotme. Një qënie pa dimensione, pa formë, e padepërtueshme, që rri mbi këtë vend si një paralajmërim ogurzi i fatit të tij. Ky tip universiteti nuk erdhi si disk fluturues nga hapësira për t’u futur frikshëm nën këtë qiell pa horizont dhe pa dritë. Madje, nuk erdhi as nga diku jasht kufijve të Shqipërisë. Universiteti pa universitarë lindi midis nesh, në një proces të pamëshirshëm gërryerje të universiteteve publike shqiptare. Si një produkt i paskrupullt, çnjerëzor, i rrënimit të tyre. Në një proces denatyrimi të inicuar nga politika, por që tashmë rrokulliset edhe pa patur nevojë të energjizohet prej saj. Sepse politika dhe universiteti janë bërë njësh, një masë e vetme, një përbindësh. Asnjë nuk e di më se ku mbaron politika dhe ku fillon universiteti, apo anasjelltas. Asnjë nuk e di më se ku mbaron agjitacioni politik dhe ku fillojnë idetë akademike; se ku mbaron korrupsioni dhe ku fillon ndërtimi universitar; se ku mbaron shërbyesi i kryeministrit dhe ku fillon autoriteti universitar; se ku mbaron një mbledhje rrogtarësh dhe ku fillon një mbledhje senati; se ku mbaron një i ardhur nga rruga dhe ku fillon një student; se ku mbaron një servil dhe ku fillon një profesor i lirë; se ku mbaron sharlatani dhe ku fillon kërkuesi shkencor; se ku mbaron frika dhe ku fillon guximi intelektual; se ku mbaron familjari dhe ku fillon kolegu; se ku mbaron interesi privat dhe ku fillon interesi publik; se ku mbaron çnjerëzorja dhe ku fillon humanizmi, mbi të gjitha!

 

* * *

 

Procesi i denatyrimit të universiteteve publike të vendit, diku më shumë dhe diku më pak, ka vënë në pikpyetje standardet e tyre, sepse, mbi të gjitha, ka relativizuar deri në rrënim profilin e universitarit, qoftë ky student, qoftë mësimdhënës, apo kërkues shkencor. Relativizimi i profilit të universitarëve ka kohë që i ka futur ata në një krizë të thellë morale dhe universitetet publike të vendit në një krizë identiteti, më të thellën të përjetuar ndonjë herë që nga krijimi i tyre. Janë të gjitha evidencat se procesi i relativizimit të universitarëve të këtij vendi po bëhet gradualisht i pakthyeshëm, çka do të thotë që në përplasjen e tyre me standardet nuk është morali i universitarit ai që ringrihet në nivelin e standardit, por janë standardet ato që rrëzohen, bëhen copë e çikë dhe humbin moralitetin, duke i futur universitarët, kushdoqofshin, në një krizë edhe më të thellë morale. Duke i bërë ata edhe më pak universitarë, ndërsa universitetet edhe më pak universitete.

 

* * *

 

Studentët janë të parët dhe të goditurit më rëndë. Ata detyrohen të ndërtojnë marrëdhënie inferioriteti me universitetin menjëherë sapo shkelin brenda tij, ndërsa me kohë detyrohen të ndërtojnë personalitetin e gabuar: një personalitet fatal për të ardhmen e tyre dhe po kaq i tillë edhe për shoqërinë e të nesërmes.

Çdo gjë fillon me paranë. Sistemi i ndërtuar në këtë vend për financimin e studentëve është diskriminues, nuk incentivon, madje ai është një sistem barbar, sepse poshtëron dinjitetin njerëzor mbi të gjitha. Mjafton t’i hedhësh një sy kritereve, plotësimi i të cilave mund t’i japë një studenti ndihmë ekonomike, dhe e kupton menjëherë se ajo paketë kriteresh mund të përgatitet vetëm nga të sëmurë mendor dhe jo nga nëpunës shteti.

Ja pse studentët e mij vijnë në mësim me sy të nxirë, të lodhur nga puna e rëndë dhe e stërgjatur për ta mbajtur veten në shkollë. Punojnë natën, ditën dhe përballë mësimit në klasë janë dëshpërimisht të dorëzuar. Me ta është bërë gati e pamundur të ndërtohet një proces mësimor, aq më shumë, të marrësh vëmendjen e tyre për të diskutuar çështje të rëndësishme për universitetet dhe shoqërinë. Nëse gjithë kësaj do t’i shtosh edhe origjinën e arsimimit të tyre, pra, faktin se vijnë nga një sistem arsimor i mesëm me probleme të rënda formimi dhe standarde të dala mode, atëhere mund të marrësh të gjithë pamjen e mjerimit. Dhe pamja që merr, me vështrim të parë është kjo: Të rinj të lodhur nga puna e rëndë dhe jo nga leximi në orë të vona apo aktiviteti universitar, të pa arsimuar mjaftueshëm për t’u pranuar nga një universitet, të pamotivuar nga e ardhmja që i pret.

E gjitha kjo është një pamje fare e përgjithshme, pa detaje, si një skicim dore. Nëse përqëndrohesh te pamja e këtij mjerimi dhe lejon ndërgjegjen të përthithë detajet ashtu si retina e syrit ngjyrat, mjerimi del nga pamja dhe të pushton të gjithin. Qartësisht, të dërrmuar nga pesha e mbijetesës, studentët nuk mund ta kenë më në dorë rezultatin e provimit, as suksesin e një diplomimi të merituar. Ja pse, ata duhet ta manipulojnë atë. Ja pse sot, në kohën kur universitetet ndrisin në botën e civilizuar, një pjesë e madhe e studentëve të këtij vendi nuk synojnë te njohuritë, por te gjetja e rrugëve për ta siguruar diplomën pa i patur ato. Pagesat nën dorë, provimet me kopje, gjetja e rrugëve të tërthorta për të vërtetuar praninë pa qenë në universitet, riprovimet e shpeshta pa kriter si një presion i hapur se çdo student duhet të përfundojë me kalimin e klasës dhe kështu të merret edhe pagesa prej tij por edhe prej atyre që priten të vijnë, e bëjnë mjerimin migjenian të duket lule para mjerimit të studentëve të këtij vendi. Që nuk përfundon këtu, por paradoksialisht, ndoshta këtu fillon. Manipulimi i gjatë i suksesit nuk ka se si të mos ketë efekt boomerang. Ai ka çuar dhe çon përditë në deformime të rënda të karakterit të studentit dhe pas një kohe jo fort të gjatë, e shndërron atë në ashtu si një shoqëri nuk do të donte kurrë ta përgatiste rininë e saj: në kundërshtar të demkracisë.  Të cilit i mungon vullneti për të luftuar për një shoqëri të drejtë dhe akoma më shumë, manipulimi i gjatë i suksesit e shndrron përditë studentin e këtij vendi në dikë që të padrejtën e bën pjesë të personalitetit të tij. Në fund të fundit, e shndërron atë në njeri kokëulur, në një “qen të rrahur”. Ky është profili i jo pak studentëve të sotëm. Ky është, prandaj, profili i një studenti të relativizuar. I një studenti që në rastin më të mirë do të luftojë për karrotën, por nuk pritet të luftojë për demokracinë e vendit të tij. I një studenti që, prandaj, nuk është më i tillë, në kuptimin më thelbësor të fjalës.

Lexo edhe :  Gjykata që i mungon Shqipërisë!

 

* * *

 

Për shkak të kohës së gjatë si profesor universiteti, kam qenë dëshmitar i sinusoidave nga më të çuditshmet që mund të konsiderohen si përafrime psikosociale të personalitetit të profesorit universitar gjatë kohës dhe prandaj, në rrethana shoqërore nga më të ndryshmet. Profesorin e universitetit e kam parë të rrënuar ekonomikisht dhe pavarësisht nga kjo, të dedikuar në punën e tij; e kam parë tek dridhërohej kur shihte studentët e tij të përballeshin me padrejtësinë dhe nuk mundej t’i ndihmonte ata në këtë përballje; e kam parë trim kur çohej në salla të mëdha dhe thoshte një të vërtetë që edhe mund ta rrënonte karrierën e tij, ashtu siç e kam parë tek përlulej para një sekretari partie apo një rektori injorant; e kam parë kur punonte natë e ditë për të provuar diçka në hulumtimet shkencore të tij, ashtu sikundër e kam parë duke manipuluar të dhëna eksperimentale nën peshën e detyrimit për të mbrojtur një gradë shkencore; e kam parë të rrënuar moralisht kur përfshihej në korrupsion, ashtu sikundër ia kam parë bukurinë morale kur denonconte autoritete të korruptuara universitare; e kam parë të veshur me një xhube zhele-zhele njohurish të marrë sëbashku me diplomën në ndonjë universitet të huaj, ashtu sikundër e kam parë brilant të rritej mes librave në atdheun e tij.

Gjithsesi, për shkak edhe të kultivimit të detyrueshëm të inteligjencës madje edhe në kushtet e një diktature të pashpirt, deri në vitet 90 sinusoida përafruese e personalitetit të profesorit të këtij vendi njihet si një nga më “vibrantet”, ndoshta në krejt botën akademike të planetit ku jetojmë. Në të dalloje kulme të admirueshme me po atë lehtësi që dalloje edhe humnera të neveritshme. Por kurrë nuk e kam parë profesorin shqiptar, as para 90, as pas 90, as në diktaturë apo në regjimin hibrid që e pasoi atë; pra, asnjëherë në krejt jetën time universitare nuk e kam parë profesorin shqiptar t’i dorëzohet pa kushte frikës ashtu si ai i është dorëzuar sot. Nuk e kam parë kurrë ta vrasë lirinë brenda vetes dhe ta lejojë peshën e frikës të rrënojë shpatullat dhe personalitetin e tij ashtu si po ndodh sot, tashmë edhe në universitetet publike të vendit. Analiza që mund t’i bëhet kësaj gjendje, pra gjendjes ku liria është dorëzuar para frikës, madje edhe në kushtet kur nuk ka më kampe përqëndrimi si ai i Tepelenës, mendoj që mund të ishte një nga analizat më të komplikuara psikosociale të ditëve që jetojmë. Të cilën do të doja ta lija për një shkrim tjetër. Edhe pa e bërë këtë analizë, megjithatë, profili i personalitetit të një profesori apo mësimdhënësi të sotëm është dukshëm, në shumicën e rasteve, një profil i relativizuar. Është profili i një njeriu që jeton i huaj në shtëpinë e tij. Që edhe kur i jepet mundësia të marrë pjesë në nxjerrjen e përfaqësuesit të universitetit, të tillë që sipas standardit të Këshillit të Europës “ai të mos jetë thjesht dhe vetëm një zgjedhje individuale, apo edhe një zgjedhje e përbashkët e universitarëve të tjerë, por duhet të përfaqësojë personalitetin, shqetësimet, aspiratat dhe standardin më të lartë për sejcilin universitar”, profesori pa liri i universitetit publik bën ekzaktësisht të kundërtën. Ai zgjedh si përfaqësues të universitetit atë njeri që do të mbrojë interesat e vogla, amorale, dhe shpirtin e tij të shitur në beteja të fituara padrejtësisht. Votimi universitar nga zgjidhje, prandaj, është shndërruar në një nga problemet më të mëdha për universitetin. Ka ndodhur ashtu si ndodh në të gjithë vendin: demokracia është rrënuar me mjetet e saj. Kështu po rrënohen universitetet publike. Ata nuk arritën kurrë të bëhen “vendi ku rafinerohet liria e shprehjes, mendimi dhe ndërgjegja”. Kështu po rrënohen profesorët, mësimdhënësit, kërkuesit shkencor  të sotëm. Shumë prej tyre mund të jenë gjithshka tjetër, por jo banorë të universitetit. Por jo universitarë!

 

* * *

 

Në një dalje publike të para disa ditëve, kryeministri i vendit iu drejtua disa universitarëve të një universiteti publik të Tiranës të pranishëm në sallë duke iu thënë se rektori i tyre i raportoi ambasadores amerikane, e cila ishte e pranishme gjithashtu, njësoj si do t’i raportohej një sekretari partie të dikurshëm në diktaturë. Ndodhi ajo që pritej më pak: universitarët e sallës qeshën gati me lot. U mundova njëfarë kohe për të kuptuar atë që po ndodhte. E kuptova menjëherë kryeministrin në papërgjegjshmërinë e tij. Reagimin e ambasadores ndaj kryeministrit si “What is wrong with you?” e mora si një reagim femëror më shumë se politik. Por, megjithëse u mundova gjatë, nuk arrita dot të spjegoj të qeshurën e shfrenuar të universitarëve në sallë. Dhe ashtu papritur, m’u kujtua The Snows of Kilimanjaro e Hemingway, një novelë që fillon me një epigraf: Kilimanjaro është një mal i mbuluar me borë, 19700 feet i lartë, për të cilin thuhet që është mali më i lartë i Afrikës. Pranë majës së tij perëndimore ndodhej skeleti i tharë dhe i ngrirë i një leopardi. Askush nuk mund të spjegonte se ç’kërkonte leopardi në atë lartësi….”  Vërtet, ç’lidhje kishte e qeshura e këtyre universitarëve, kur në fakt ishte për të qarë?!

Të fundit

Të gjithë njëlloj/ The Economist: Po jetojmë në epokën e kirurgjisë plastike

Klientët e rinj në vendet në zhvillim kanë nxitur lulëzimin e kirurgjisë plastike. Rënia e kostove dhe përgjithësimi i...

Parashikimi i motit për sot, 26 janar 2025

Edhe të dielën vendi ynë do të mbizotërohet nga moti i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë, si pasojë e masave ajrore me origjinë Perëndimore...

Pse themi ”të flasim marrëzi”?

Shprehja shfaqet për herë të parë në vitin 1565 në një tekst të historianit fiorentin Benedetto Varchi dhe do të thotë të thuash gjëra...

Vendimet e qeverisë/ Kompensim dhe rritje për pensionet e ulëta

Qeveria po përgatit ndryshime të rëndësishme në skemën e pensioneve. Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani u shpreh se institucionet e linjës...

Homazhe për Kryepeshkopin Anastas në katedralen e Athinës, i pranishëm dhe Mitsotakis

Të dielën (26 janar), në Mitropolinë e Athinës, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore (homazhe) përpara trupit të ndjerë të ndjerit Kryepeshkop i Shqipërisë, Anastasit, siç...

Lajme të tjera

Web TV