Nga Ben Andoni
Përkthyesi armeno-shqiptar Berzh Piranjani për ta bërë të njohur Jeghishe Zarenc, poetin e njohur të vendit të tij Amë, nuk përdorte mbiemra apo personifikime, por një element që përqaste këtë shkrimtar me kulturën shqiptare. “Jam munduar të sjell në shqip, shkrimtarin më të ndritur të Armenisë,- shprehej Piranjani, – bash Naimin e vendit tim”. Kaq mjaftonte që përqasje e goditur të trasonte udhën për poetin me një jetë të jashtëzakonshme Zarenc. Veçse Zarenc në kohët tona nuk është se ka aq nevojë për njohje dhe as më shumë për tërheqje, pasi ai ka kohë që i ka kaluar kufijtë e vendit të tij. Kurse poezia e tij ka qenë jo thjesht një fllad poetik por një element krenarie e Armenëve kudo në botë. Fati i tij tragjik do të ishte edhe një sintezë e kombit armen që është përballur me sfida të pafund përgjatë historisë së vet. Ashtu si vetë Zarenc do të përballej me sfida të jashtëzakonshme nga ato personale identitare e deri në ato ku ai donte të identifikohej me vendin e tij. Mbart në vetvete një periudhë nderimi për kohërat por kur komunistët e kanë të gjithë pushtetin më 1922, atëherë Zarenc si idealist beson se i duhet të përmbyllë arsimimin e tij në Moskë për t’u përfshirë më vonë në punë letrare dhe kulturore në formë më të ngritur. Madje, në vitin 1924, ai udhëtoi jashtë vendit për të vizituar Turqinë, Francën, Italinë dhe Gjermaninë për të plotësuar njohjet. Por kjo periudhë do marrë fund shpejt. BRSS pas vdekjes së Leninit është një vend krejt tjetër dhe gjurmët e spastrimeve tashmë shfaqen përmes gjuhës së urrejtjes dhe reprezaljeve. Vjen epoka staliniane. 10 vite më vonë, dorëshkrimet e tij do të ruhen diku me fanatizëm, pasi vetë poeti nga frika e spastrimit të madh të vitit 1937 në Bashkimin Sovjetik, fshehu shumë nga poezitë e veta për të cilat “meriton ndëshkim”. Një referim është se ai u vra nga autoritetet e Sovjetëve. Vite më vonë, një miku i tij edhe ai poet, Gevorg Emin, do t’i japë një autori amerikan një pjesë të krijimtarisë së tij, që do të përkthehet por edhe do përshfaqet si risi. Kjo do të shënojë ngritjen e tij kudo në botën letrare. Përveç anës shumë patriotike nën të kishte edhe shumë sfida të tjera, për të cilat letërsia e kohës po kërkonte përgjigje në shtigje të tjera. Njohja në SHBA do t’i jepte shumë përmasë të gjithë kontributit të tij: “Mënyra e tij e jetesës – entuziazmi i tij mistik fetar, magjepsja e tij me Budën dhe Frojdin, impulset e tij homoseksuale të pafalshme, marrja e drogës, tërbimi i tij ulëritës kundër shtypjeve të shumëfishta të kohës së tij – të gjitha janë një parashikim i lëvizjes kulturore që do të shfaqet në Amerikë në vitet 1950 me brezin e njohur Beat”, shkruan kritiku James R. Russell te “Zarenc, profeti”.
Në historinë e përmbledhur që bën me kujdes përkthyesi ynë Piranjani tregohet i gjithë ky kalvar po theksi mbetet më së shumti tek pjesa patriotike dhe lirike, ashtu si shpjegohet edhe ajo që i pret shumë pjesëtarë të komunitetit artistik armen në vitet e jetës së poetit më të madh të shekullit XX. Madje, “’Kapedan Shavarshi’-1928, ishte një arritje krijuese, fillimi i një estetike të re, e cila u shfaq në formën e saj të përkryer në përmbledhjen ‘Agim epik’ (1930)”, shkruan Piranjani.
Te “Legjendë Danteske” kemi një shprehje të kësaj hullie:
Për rrugë u nisëm që herët në agim
Qielli blu i thellë na mrekullonte.
I freskët, i leht’shpirti yn’ n’at’ udhëtim,
Të qeshur ishim ne, zemra na gufonte.
Thërriste, thërriste kjo rrugë pa pushim
Që përpara syve tanë gjarpëronte.
…
Por ky idil nuk shkon aq shumë sepse Armenia është nën Ish-Bashkimin Sovjetik. Ka mbaruar një sfidë me shumë jetë të lëna nën pogromin e Turqisë, teksa tashmë e pret një sfidë më e madhe ajo që lidhet me përballjen me një regjim të ri represiv. Dhe, poetit i takon të paraprijë dhe te lerë mënjanë çdo paragjykim sepse zëri i poetit duhet atëherë kur zëri i atdheut mungon apo është bjerrë. Aman, duke e njohur mirë mjedisin, që e ka idealizuar, Zarenc, e di mirë se zëri i lirë dhe veprat letrare që nuk shkojnë me hullinë e Sovjetëve, të përcjellin në ferr. Shumë para tij e kanë provuar sistemin sovjetik të dënimit, ashtu si një pjesë më e madhe do ta provoj këtej e tutje. Si zë i spikatur nuk mund t’i shpëtojë dot persekutimit, që e kap me fushatë dhe Armeninë, rreth vitit 1937. Merr fund idealizimi që i ka bërë jetës së re, por edhe komunizmit. Trishtimi i tij do të ndihet kudo dhe në librin e tij të fundit këtë e përshkruan krejt pa doreza…
S’arrinim të ndienim për askënd mëshir’,
Në shpirtrat tanë ishte futur llahtari.
Ndienim, që-një armik i zi, i pështir’,
Kurth na kish ngritur i fshehur aty pari.
Prisnim një kundërshtar të keq të na dilte,
Që veç plagë shkaktonte dhe vdekje sillte.
…
Dhe çdo gur tashmë për ne ishte një armik,
She çdo zhurmë e tij një kurth ish, një intrig’
Dhe ecnim ne madhërisht, pa pik’ nxitimi
Rrugës ë shkretë me gjurmë shkatërrimi
Ku qenie të gjall’ tashmë syri nuk gjen,
Ku dhimbja, mëshira, për njeriun nuk vlen…(Përktheu Piranjani)
Duket një njeri që ndihet totalisht i zhgënjyer dhe i hidhëruar, kurse në librin e tij të fundit, duket se e braktisi plotësisht internacionalizmin. Ai botoi gjashtë vëllime me poezi dhe një roman: Legjenda Dantiane (1916), Turmat e mbledhura (1918), Përmbledhje poezish (1923), “Toka e Nairit” (1923), një roman etj…
Po im anush Hayastani arevaham barn em sirum. Më pëlqen shija…. Ky është epigrami i famshëm për armenët që Piranjani e ka përkthyer këndshëm si: Fjalën e ngrohtë si rreze-diell të Atdheut tim të ëmbël e dua. Ky varg, i cili shërben edhe si titulli i poezisë Atdheut tim, Armenisë, e që Zarenc e shkroi në fillim të viteve 1920, recitohet nga armenët në mbarë botën. Padyshim, ajo është poezia më e njohur e shkrimtarit dhe kritika e konsideron si një kambanë zgjimi për ndërgjegjen kombëtare, veçanërisht gjatë regjimit shtypës të Stalinit dhe në kohë të tjera telashesh pafund që i fal historia këtij vendi. Sot, vargjet e kësaj poezie gati të shenjtë për Armenët zbukurojnë Harkun e Zarenc pranë Garnit me pamje nga mali Ararat; epigrami shërben si epigram te kartëmonedha një mijë dramë e monedhës armene teksa statujat e shumta të poetit anembanë Armenisë mbajnë këtë epigram në piedestal.
Atdheut tim Armenisë
Fjalën e ngrohtë si rreze-diell të Atdheut tim të ëmbël e dua,
Tingullin vajtues të lirës së vjetër, telin me lot lagur e dua,
Aromën e pemëve dhe luleve që përhapet si dielli kur lind,
Dhe vallen e vajzave shtathedhura Nairiane, unë e dua
E dua qiellin tonë gri, ujët e kristalt’, liqenin e ndriçuar,
Diellin gjatë verës dhe dimrit stuhin ‘ e borës, që gjëmon madhërisht,
Muret e zinj aspak mikpritëse të kasolleve zhytur në errësirë
Dhe gurët mijëravjeçarë të qyteteve tona të lashta i dua.
Kudo që të jem-kurr’ nuk do i harroj unë këngët tona vajtimtare,
Kurrë s’do harroj lutjen e shkruar me germa metali në librat tanë,
Sado fort që të ma dërmojnë shpirtin tim plagët tona që kullojnë gjak
Përsëri un’ Atdheun tim të dashur, jetim dhe të përgjakur e dua. (Përktheu Piranjani)
Po pse ia vlen për Shqipërinë? Kjo, pasi të tillë autorë emancipojnë në çdo kohë duke nderuar kulturën dhe mbi të gjitha një shpirt jo të zakonshëm. Dhe, vërtetë, pas vdekjes së Stalinit, kur kudo në Ish-Bashkimin Sovjetik do nisë një fushatë rehabilitimi për figurat kulturore, atëherë do të ketë rreze drite edhe për kujtimin e poetit. Vepra e tij e kalon Armeninë e vogël dhe përkthehen nga Valeri Bryusov, Anna Akhmatova, Boris Pasternak, Arseny Tarkovsky, Louis Aragon, Marzbed Margossian, Diana Der Hovanessian dhe të tjerë. William Sarojan i kushton një histori të shkurtër Zarencit në librin e tij të vitit 1971, “Letra nga 74 rue Taitbout…”. Kurse studiuesi James R. Russell në studimin e tij e bën të përhapur në qarqet kulturë-dashëse në SHBA, duke evidentuar dhe një dimension të panjohur: pjesën e orientimit të tij seksual por edhe natyrën e vargjeve të tij homoerotike që shfaqen nga fundi i jetës së tij, kur edhe ai po e sillte pa turp, të shkuarën dhe fenë. Rehabilitimi zyrtar i Zarenc ndodh më 9 mars 1955, bashkë me disa politikanë armenë. Por për nderimin e poetit ka vend më shumë pasi Shtëpia ku ka jetuar Zarenc në Rrugën “Mashtots” në Jerevan kthehet në Shtëpi-Muze, kurse një qyteti i jepet emri i tij.
Se çfarë peshe kanë poetët e kupton kur autoritetet sovjetike në kuadër të rehabilimit emëtojnë një pullë përkujtimore prej 40 kopekë për nder të Zarenc në vitin 1958. Kurse, monedha armene prej 1000 dramas, në njërën anë ka Zarenc dhe në tjetrën vargun e famshëm në armenisht të njërës prej poezive të tij: (Armenisht) “Ես իմ անուշ Հայաստանի արեւահամ բարն եմ սիրում” (Unë e dua shijen e ëmbël të diellit të Armenisë). Vetë papa Françesku në udhëtimin e tij në Armeni në vitin 2016 recitoi një fragment nga ajo poezi e Zarenc. Kurse në Shqipëri ai mund të shijohet falë punës dhe kujdesit në përkthim të një njeriu të përkushtuar të letrave shqipe, Berzh Piranjanit, që është munduar të rrijë modest edhe pas kësaj pune shumë të jashtëzakonshme, por edhe me përgjegjësi për përcjelljen e një kolosi të tillë në shqip. Dhe, të kuptosh misionin e Piranjanit duhet të kuptosh epigramin, që na ka mbetur nga vetë poeti për gjuhën e vendit të tij: “Gjuha jonë është bukurisht aq e ndryshueshme por edhe po aq barbare, burrnore dhe po aq e vrazhdë”.