Ministri i Mbrojtjes ruse, Sergei Shoigu 66 vjeç, mendohet se është në kujdesin intensiv pasi pësoi një atak kardiak i cili thuhet se nuk ka ndodhur për ‘shkaqe natyrore’, sipas Leonid Nevzlin, duke sugjeruar se aleati i vjetër i Putinit mund të ketë qenë subjekt i një atentati të urdhëruar nga shefi i tij.
Shoigu u pa për herë të fundit dje në një video-konferencë me Putinin dhe ministra të tjerë për zhvillimin e Arktikut, por nuk foli, dhe ka spekulime se Kremlini po përdor pamjet e regjistruara më parë të Shoigut që nga tërheqja e tij nga daljet publike javë më parë.
Nevzlin, një ish-manjat i medias dhe ekzekutiv i lartë i naftës, është një nga disa biznesmenë rusë të detyruar të iknin kur u vunë në shënjestër nga Kremlini në 2003, pasi Putini vendosi të kapte kompaninë e naftës Yukos. Ai u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm në vitin 2008, ndërsa Kremlini persekutoi drejtuesit më të lartë të Yukos dhe muajin e kaluar njoftoi se po hiqte dorë nga pasaporta ruse dhe deklaroi se “çdo gjë që prek Putin vdes”.
‘Shoigu është jashtë loje dhe mund të jetë me aftësi të kufizuara nëse mbijeton.’-tha Nevzlin.
Shoigu u emërua ministër i mbrojtjes i Rusisë në vitin 2012 dhe ka qenë një nga aleatët më të ngushtë të Putinit gjatë dekadës së fundit. Dyshja dihet se kanë pushuar rregullisht së bashku dhe besohet se kanë ndarë një miqësi të ngushtë personale jashtë roleve të tyre përkatëse. Por, si udhëheqës i ushtrisë ruse, Shoigu kishte të ngjarë të ishte personi i parë që do të ndjente peshën më të madhe të zemërimit të presidentit rus kur mësoi për mungesën e suksesit të ushtrisë në Ukrainë.