Nga Sebi Alla
Tre fëmijë jetim, 30 vjeçe ishte, 13 thika ja ngulën në trup, tre minuta për t’ia marrë shpirtin dhe 30 vite demokraci dhe “liri” për të vrarë gratë. Ky ishte fundi i jetës së trazuar së 30-vjeçares Merushe Azizi, nga fshati Roskovec i Fierit. Faji mbeti me të, turpi po ashtu, bashkë me grushtet e dheut që ja hodhën edhe ata që i hodhën baltë në jetë. Fëmijët e Merushes ishin në varrim, pa e ditur se po përcillnin nënën andej nga ku nuk mund të kthehet më. Janë aq të mitur sa i gëzonin vetëm ngjyrave të luleve që mbanin në duar. Vjehrri e vrau këtë “grua të përdalë”, që ia prishi mendjen djalit të shtëpisë, i cili sot jeton dhe nuk dihet me apo pa brengë, sepse gruan që e mbante në krevat natën dhe e mbyllte me çelës ditën, ia vrau babai i tij. Hiret e Merushes dheu do i tresë, ndërsa hirin në sytë tanë, turpëdhenjtë nga opinioni dhe mentaliteti i rritur ndër breza, vështirë se do e heqë kush, ligji jo e jo, frika as për fare, shteti e komuniteti hiç, po as deti se lan gjakun e një gruaje. Vdiq sepse e vranë. Kush e vrau? Krimineli gjakftohtë? Jo, Xhevahir Hoxha nuk ishte i tillë. Një vrasës i sprovuar, pa ndërgjegje, nuk vret veten. Po edhe Xhavahirin e “vranë”. E vrau opinioni i fshatit ku jetuan kandidatja për nuse dhe kandidati për vjehrr. I vranë idealistët e një “familje të kulluar”, që duhet të marrim një virgjerëshë për grua, e në mos qoftë e tillë, të paktën fshati të mos e dijë, fqinji të mos e ketë përfolur, e shoqnia e bardhakut mos ja përgojojë “pikën e gjakut të dalë” dikur në himenin e saj. Disa qajnë e thonë “sa gjynah”, të tjerë justifikojnë njërin apo tjetrin, që do japin llogari në botën e përtejme. Ne të jetueshmit do rrojmë e do shohim, do presim ditën kur një tjetër grua do të vritet, për “nder”, për “turp” apo për xhelozi, e pas xhelozisë do të vijë ndonjë vaki.
Pasioni i krimit
Drama kishte kohë që shkruhej, pa u venë ende në skenë. Mirushe Azizi për hir të dashurisë çedoi jo pak kur la tre fëmijët që kishte me burrin e parë dhe shkoi të bashkëjetonte me Fatjon Hoxhën, edhe ky la gruan me djalin dhe nisën një dashuri mbase me shumë pasion. Ai la, ajo la dhe të dy për muaj të tërë grindeshin e shfrynin me familjarët e tyre. Xhevahiri nuk po duronte më, disa herë kishte shkuar policia në Roskovec për të shuar sherrnajën babë-bir dhe në mes ishte Merushja. Fatjoni ia gjeti zgjidhjen, duke e kyçur me çelës brenda në dhomë gjatë ditës dhe pasi kthehej nga puna i jepte “lirinë”, kësaj “konkubine moderne”. Dita e fundit e lirisë për të mos u mbyllur me çelës, por e mbyllur në arkivol, erdhi më datë 12 të këtij viti. Ulërimat e Merushes dëgjoheshin në të gjithë fshatin teksa vjehrri e qëllonte me thikë. Shumë panë pragun e shtëpisë së tyre dhe nuk ndërhynë, derisa ajo dha shpirt. Edhe autorin e krimit Xhevahirin nuk e ndalën ndërsa rrethoi qafën me litar duke i dhënë vetes vdekjen e mundimshme. Sa për mort, dimë të qajmë, dimë edhe të dukemi mirë nëpër kamera televizionesh për të treguar si ishte puna. Vjehrra e Merushes, që kurrë se prenoi për nuse djali dha një alamet interviste, teksa mbante në duar leckën e dyshemesë me gjakun e 30-vjeçares. Rëndësi ka që kur të vijnë njerëzia për ngushëllim shtëpia të jetë akull. Turp i madh me ta gjetur rrëmujë, kushedi ç’thonë bota, një vjen për të qarë, 100 për të parë… “Ajo u bë sebep që ja prishi mendjen Fatjonit” – thonë disa. Ajo-ajo… As emrin nuk ja përmendin së resë, nga përbuzja, turpi, mllefi e mentaliteti. Të vërtetën Merushja dhe Xhevahiri e morën në arkivol.
Pse linde vajzë
Eh ky “danoç” djalë, “qejfli i madh”- thuhet për të, “bën qejf qerratai me shumë femra, ka xhepin plot pare e makinën sa një bina”. Po gruaja pse nuk quhet danoçe, por “kurvë”? Të dy lindën nga një mitër, njëri me organ mashkulli e tjetra femre. Të dy qanë sapo erdhën, dikush u ngushëllua: “he se edhe vajzat të mira janë”, por e mira e të mirave do të qe të ishte mashkull për dyfek, e në mos për dyfek, sa për riprodhim njerëzor, paçka se rri tërë ditën kot në klubin më të afërt, e nuk prodhon asgjë, por sërish Ai është mashkull. Kur fëmijët që lind dalin vajza, derisa të “qëllosh” në djalë, nuk ndalen. Në vijoftë seria e vajzave, ka një “zgjidhje”. Plakat e motshme thonin se po t’i vije vajzës emrin Sose (fund), tjetri do ishte mashkull… E në mos daltë, burri ndonjëherë urrente gruan, ajo e kishte fajin, pa e kuptuar kurrë se kromozoni i gjinisë vjen pikërisht nga Ai, mashkulli. Merushes ja sosën ditët, por do të jetonte po të ishte e jashme… Imagjinoni Fatjonin që jeton emigrant diku. Nga interesi, apo edhe dashuria, ai mund të ishte lidhur në bashkejetesë më një të huaj, me tre apo më shumë fëmijë. Që mund ta kishte martesën e disatë. Së pari askush nuk do e merrte vesh se çpo bënte andej nga “bota e qytetëruar”, po edhe nëse dikush do pëshpëriste, faj sdo i vihej. “Kushedi sa lekë ka ajo, ndaj e ka marrë, fundja mirë ka bërë”… Tek leku po, ai e çon ujin përpjetë. Nuk është çudi që nëse Mirushja do ishte e “jashme” mund të pritej me nderim nga prindërit e Fatjonit në vizitën pak ditore. “A është në rregull çuni”,- “a i ka letrat”- lekët po e po, a po e sheh jetën andej”, kaq mjaftojnë. Për më shumë fshati nuk e di që ajo ka disa fëmijë, që ka bërë në jetë atë që dëshira e ka yshtur. Të gjithë “të lumtur” nga ky mort. Fshati e shpëtoi “nderin”, shoqëria jonë, si një fshat i madh e rifitoi të drejtën për të komentuar kudo që i jepet mundësia. Në të shumtën e rasteve përgjegjëse bëhet viktima, më pak autori dhe disi bashkëjetuesi i Merushes. Ajo iku, bashkë me atë që i mori jetën. Të paktën kur fëmijët e saj të mitur të rriten të jetë fshirë mentaliteti se gruaja që fut “sherrin” duhet vrarë. Tani është koha që të gjithë të hedhin ledh mbi arkivolë. Sa “Mirushe” ka ky vend. Përse u linde vajzë!