“SPAK të marrë në pyetje Berishën”, Balla i prerë: Harroje se do kërcënosh kryetaren e Kuvendit dhe s’të nxjerrim …përjashta!

Kryetari i Gurpit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas lajmit se SPAK ka marrë në pyetje biznesmenin e kompanisë “DIA”, Kastriot Ismailaj i dënuar me 11 vite burg për aferën me borxhet e CEZ-it.

Balla tha se nuk mund të ketë besim te drejtësia e re, te SPAK, nëse në pyetje për këtë aferë nuk merret Sali Berisha, të cilin komisioni hetimor e ka gjetur fajtor për aferën CEZ-DIA.

Në fund të fjalës së tij, Balla tha se nuk do të lejojë që Berisha të kërcënojë socialistët, siç bëri sot gjatë seancës plenare, ku i tha kryetares së kuvendit se “do të merrte përgjigjen e merituar”.
“Harroje se do kërcënosh kryetaren e Kuvendit dhe ne nuk të nxjerrim…përjashta! Se s’po e them atë fjalën”, u shpreh Balla.

Pjesë nga fjala e Ballës në Parlament:

Më në fund kanë vendosur rihapjen e dosjes CEZ thonë mediat, qoftë e vërtetë që SPAK të hetojë edhe këtë çështje. Ai që është këtu ka një kallëzim penal, komisioni hetimor ka gjetur fajtor Sali Berishën për as më shumë e as më pak por 408 milionë euro. Vepra është aty, Kastriot Ismailaj është marrë në pyetje nga prokurorët. Është Sali Berisha i pari, është Nuel Kalaj që u paraqit në një bankë të shkallës së parë në Tiranë, mori një thes prej 6.8 milionë euro dhe e ngarkoi në makinë. Nuel Kalaj i cili në e-mailet që shkëmbente me partnerët çekë thoshte se ka pengesa nga qeveria, Bode, Rusmajli nuk është dakord por Berisha do i thyejë këto pengesa, kemi folur me Berishën. Është hera e parë në këtë vend që është shitur pa i ditur vlerën por është dhe ai i ARMO dhe nuk dihet nëse shteti shqiptar i ka marrë lekët, u dhanë? U paguan ato 80 milionë euro?

Lexo edhe :  Gazetari zbulon "tradhtinë" brenda PD: Bën plazh me Vullnet Sinajn

Në këtë vend, ku unë nuk do pushoj kurrë së thirruri drejtësinë, ta marrin në pyetje Sali Berishën. Nëse drejtësia nuk e thërret Sali Berishën, për çfarë duhet ta besoj unë më SPAK?

Lëri Sali këto historirat që vjen e bën këtu. Megjithëse guxove dhe kërcënove dhe kryetaren e Kuvendit, që ke të drejtë se ne nuk të tregojmë rregulloren si duhet. Harroje se mund të kërcënosh ndonjë socialist apo kryetaren e Kuvendit, se ç’bën me të tutë është tjetër gjë. Harroje se mund të kërcënosh kryetaren e Kuvendit dhe ne nuk të nxjerrim…përjashta. Se s’po e them atë fjalën.