Mbledhjet e qeta me diskutime pa tone të larta dhe duke iu referuar vetëm rendit të ditës duket se do të mbeten edhe për një kohë të gjatë nostalgji në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Edhe dje në mbledhjen e shkurtër të grupit të PD-së nuk munguan debatet.
Fillimisht, kreu i Grupit të Demokratëve, Enkelejd Alibeaj, nisi fjalën duke u fokusuar vetëm te debati për pjesëmarrjen në procesin e zgjedhjes së Presidentit, por kjo temë u devijua në pjesën e parë të debatit pasi deputetët Albana Vokshi dhe Edmond Spaho i kërkuan Alibeajt që t’i çonte letër Kuvendit në mënyrë që ata së bashku me Berishën të bëhen pjesë e grupit të PD-së.
Por, kjo kërkesë është refuzuar nga kryetari i Grupit të PD-së me justifikimin se ai nuk mund të bënte të njëjtat veprime për të cilat është akuzuar Basha, të merrte vendime personale. Më pas, debati është transferuar mes Berishës dhe Alibeajt në lidhje me zgjedhjen e Presidentit.
Berisha e ka akuzuar kreun e grupit të cilin thotë se nuk e njeh si të tillë dhe se sipas tij, Kuvendi i 30 prillit do e zëvendësojë, se është peng i Taulant Ballës. Por, nuk ka munduar përgjigja edhe nga Alibeaj. Ai e ka quajtur gjithashtu peng të Berishës. Por në pak i moderuar ka qenë Flamur Noka, i cili i ka thënë Alibeajt se ka qenë ushtar i Berishës që priste në radhë për t’u takuar dhe të mos guxonte të fliste ashtu.
Jemi 5 deputetë të përjashtuar. Duhet te bëni kërkesën në Kuvend që ne të jemi pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së.
Edmond Spaho: Z. Alibeaj, përse nuk i kërkoni Kuvendit që të na konsiderojë të gjithë të përjashtuarit, bashkë me Berishën, pjesë të grupit parlamentar demokrat? Si mund të ketë bashkim kur ju mbani akoma të njëjtin qëndrim?
Enkelejd Alibeaj: Nuk zhbëj dot unë me vullnet personal vendime që janë marrë nga organe të partisë. Se akuzuat Bashën që merr vendime personale për përjashtimin e Sali Berishës, tani unë nuk do marr vendim personal për futjen tuaj. Kjo çështje është sqaruar në disa mbledhje. Kjo nuk është në rendin e ditës.
Berisha – Alibeajt: Je i përzgjedhur i Taulant Ballës dhe nuk je i përzgjedhur nga Grupi Parlamentar. Edhe Rama s’të përfill. Të mbajnë peng. Nuk ke mandat, sepse je i zgjedhur i Taulant Ballës.
Alibeaj – Berishës: Peng je ti.
Noka – Alibeajt: Mëso të flasësh zotëri e mos guxo të flasësh ashtu. Ke qenë ushtari i tij e mbaje radhë për ta takuar. Njeriu që ka edukatë shef me kë flet ndaj lidhe gjuhën!
Enkelejd Alibeaj: Me fyerje personale mos të vazhdojë.
Berisha – Alibeajt: Ai që ndjehet opozitar i vërtetë, nuk mund të imagjinojë kurrë të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfeve sekrete.
Edmond Spaho: Nuk është atribut i grupit parlamentar të vendose për qëndrimin ndaj zgjedhjes se Presidentit, por e organeve drejtuese të PD-së, saktësisht e Komisionit të Rithemelimit. Grupi ka të drejtë të japë mendimin e tij, por jo të vendosë. Unë personalisht jam kundër marrjes pjesë në procesin që po organizon Rama për zgjedhjen e Presidentit. Opozita nuk mund të bëhet fasadë dhe të legjitimojë një proces farsë të PS-së për kreun e shtetit.
Dashnor Sula: Unë nuk jam për të bojkotuar proceset. Është treguar se në nuk kemi fituar asgjë nga bojkotet. Bojkotuam në 2014-n Reformën Territoriale dhe e pamë sesi e bëri Rama. Më pas bëtë çmendurinë kolektivë që dogjët mandatet dhe serish e patë se si përfunduam si opozitë.
Bëtë serish çmendurinë me zgjedhjet lokale dhe sërish u penalizuam. E pamë në 6 mars sa e vështirë është. Ne nuk përfitojmë asgjë nga bojkotet e proceseve. Çfarë na pengon ne deputetët e opozitës që më 28 firma të çojmë propozimin tonë në Kuvend. Pastaj le t’i mbesë maxhorancës turpi i zgjedhjes. Tani thoni që Presidenti është pa kompetenca dhe Rama e zgjedh vetë se i ka votat. Po ishte marrëveshja e 21 prill 2008 që e beri Presidentin pa kompetenca që unë së bashku me disa kolegë në atë kohë votuan kundër kësaj…
Ilda Dhori pyet Alibeajn: Çfarë po ndodh me faqen zyrtare të “Facebook”-ut të PD-së. Nuk publikohet asgjë, as fjalët e deputetëve në Parlament, as diskutimet në Komisione.
Enkelejd Alibeaj: Do rregullohet…
/panorama/