Profili i individit të stresuar kronik

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje
Nga Rudina Koromani
Disa individë jetojnë sikur nuk kanë orë të mjaftueshme në ditë… Por ajo që nuk kuptojnë është se nëse e bëjnë çdo gjë me qetësi dhe kujdes, do të mund ta bëjnë më shpejt dhe me shumë më pak stres. Padyshim që në kohërat e vështira që jetojmë është mirë që të jemi vazhdimisht të zënë me qëllim që të çlirojmë tensionet por nuk duhet harruar dhe të gëzojmë…Disa individë nuk arrijnë të gëzojnë…
Konkurues, kritikues të vetes, në urgjencë me kohën, të padurueshëm me vonesat dhe kohën joproduktive, ekstravertë, planifikojnë shumë angazhime dhe përpiqen të bëjnë më shumë se një gjë në të njëjtën kohë… Individë që nuk u zë shpirti rehat e me prirje të zemërohen shpejt me gjithkënd duke parë më të keqen tek të tjerët e duke shfaqur zemërim, zili dhe mungesë dhembshurie….Ky është pak a shumë profili i Tipit A- tipit të stresuar kronik.
Individët e tipit A në përgjithësi përjetojnë një nivel më të lartë stresi nga normalja, e urrejnë dështimin dhe e kanë të vështirë të ndalojnë së punuari, edhe kur i kanë arritur qëllimet e tyre. Përpiqen shumë drejt qëllimeve por nuk arrijnë të gëzojnë arritjet e tyre. E ndërlidhur me këtë fakt për tipin A është dhe mungesa e një jete domethënëse që karakterizohet nga një angazhim i lartë në punë. Individët e tipit A ‘lëndohen’ lehtë dhe priren të reagojnë në mënyra vigjilente me prag të ulët tolerance.
Ky tip ka rreziqet më të mëdha për sëmundjet kardiovaskulare, ato respiratore dhe për patologji e psikopatologji të tjera si diabeti tipit 2, tensioni i lartë, depresion, ankth e PTSD.
Kjo tipologii lidhet me mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj stresit duke u konceptuar si një vazhdimësi tiparesh mes dy ekstremeve të individëve të tipit A dhe të tipit B në çdo skaj.
Tipi B karakterizohet nga një natyrë e relaksuar, e duruar dhe e qetë. Punojnë në mënyrë të qëndrueshme, duke shijuar arritjet, por nuk priren të stresohen kur qëllimet nuk arrihen. Priren të jenë më tolerantë ndaj të tjerëve, janë më të relaksuar se individët e tipit A, më reflektues, përjetojnë nivele më të ulëta ankthi dhe shfaqin një nivel më të lartë imagjinate dhe kreativiteti. Nuk lidhen me rreziqe të zhvillimit të sëmundjeve fizike apo psikologjike.
Ndërkohë është dhe tipi C, që përfaqëson individët që janë të orientuar nga detajet, introvertë, pasivë dhe të durueshëm. Ata shtypin dëshirat, nevojat dhe ndjenjat e tyre negative e pozitive. Personaliteti sjellor i tipit C ka vështirësi në shprehjen e emocioneve dhe për këtë arsye brendëson tension. Sipas studimeve ky tip ka predispozita të zhvillojë çrregullime somatike e me predispozita për zhvillimin e sëmundjeve kanceroze.
Studimi Friedman dhe Rosenman (të dy kardiologë)e zbuluan sjelljen e tipit A rastësisht pasi kuptuan se karriget në dhomën e pritjes duhej të ndërroheshin më shpesh nga sa pritej.
Kur tapiceri shkoi në klinikën e tyre, ai inspektoi me kujdes karriget dhe vuri në dukje se : “ka diçka ndryshe te pacientët tuaj, nuk kam parë askund karrige si këto.” Ndryshe nga shumica e pacientëve, të cilët presin me durim, pacientët kardiak dukeshin të paaftë për t’u ulur në vendet e tyre për një kohë të gjatë dhe prireshin të vareshin në krahët e karrigeve. Ata prireshin të uleshin në buzë të sediljeve dhe kërcenin shpesh lart.
Mjekët fillimisht e hodhën poshtë këtë konstatim, dhe vetëm pesë vjet më vonë ata filluan kërkimet e tyre zyrtare. Friedman dhe Rosenman (1976) e etiketuan këtë sjellje si personalitet të tipit A. Më pas ata kryen kërkime për të treguar se njerëzit me personalitet të tipit A kanë një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës dhe presionit të lartë të gjakut sesa tipi B. Edhe pse fillimisht u quajt ‘Personaliteti i tipit A’ nga Friedman dhe Rosenman, tashmë konceptohet si një grup përgjigjesh të sjelljes të njohura kolektivisht si Modeli i sjelljes së Llojit A.
Studimi hulumtoi 3154 burra të shëndetshëm, të moshës midis tridhjetë e nëntë dhe pesëdhjetë e nëntë për tetë vjet e gjysmë.
Pjesëmarrësve iu kërkua të plotësonin një pyetësor. Shembuj të pyetjeve të bëra nga Friedman & Rosenman: A ndiheni fajtor nëse përdorni kohën e lirë për t’u çlodhur? Keni nevojë të fitoni në mënyrë që të përfitoni kënaqësi nga lojërat dhe sportet? A lëvizni në përgjithësi, ecni dhe hani me shpejtësi? A përpiqeni shpesh të bëni më shumë se një gjë në të njëjtën kohë? Nga përgjigjet e tyre dhe nga mënyra e tyre, secili pjesëmarrës u nda në një nga dy grupet: Sjellja e tipit A: konkurruese, ambicioze, e padurueshme, agresive, e folur e shpejtë. Sjellja e tipit B: e relaksuar, jo konkurruese. Sipas rezultateve të pyetësorit 1589 individë u klasifikuan si personalitete të tipit A dhe 1565 të tipit B.
Studiuesit zbuluan se më shumë se dy herë më shumë njerëz të tipit A sesa njerëz të tipit B zhvilluan sëmundje koronare të zemrës. Kur shifrat u rregulluan për duhanin, stilin e jetesës, duke i përjashtuar si faktorë, përsëri doli se njerëzit e Tipit A kishin gati dy herë më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje të zemrës sesa njerëzit e Tipit B. Për shembull, tetë vjet më vonë 257 nga pjesëmarrësit kishin zhvilluar sëmundje koronare të zemrës. Në fund të studimit, 70% e meshkujve që kishin zhvilluar sëmundje koronare të zemrës ishin të tipit A.
Njerezit që stresohen, që nevrikosen lehtë- kanë më shumë gjasa të sëmuren nga sëmundje që lidhen me stresin, sidomos sëmundjet e zemrës. Zemra që nuk gëzohet me shumë gjasa do sëmuret…kështu që, përtej çdo pune e detyrimi që bëni çdo ditë, mos harroni të argëtoheni e të merrni kënaqësi nga punët që bëni.
“Koha për t’u çlodhur është kur nuk keni kohë për të.”
– Sydney J. Harris
Përgatiti Rudina Koromani Psikologe Klinike

Të fundit

Mbyllet faza e parë e Ligë së Kampioneve, renditja dhe verdiktet përfundimtare

Liga e Kampionëve, uli siparin e fazës së grupeve, mbrëmjen e sotme, ku u luajtën edhe 18 duelet e...

Disa truke psikologjike për të përballuar më mirë problemet e përditshme

Nëse shpenzoni shumë kohë në internet, atëherë ju e dini se ka truke për çdo gjë të mundshme. Madje, disa truqe mund t’ju ndihmojnë...

Kurti nuk tregon pse ndryshoi mendje për Marrëveshjen e Uashingtonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të komentojë deklaratën e tij për marrëveshjen e Uashingtonit, dhënë në gazetën spanjolle “El Mundo”, për të...

Përmbytjet nga reshjet e shiut, shpërthejnë ujërat e zeza në burgun e Durrësit

Të burgosurit në burgun e Durrësit, kanë ngritur alarmin pas përmbytjeve që janë shënuar në qytet, pasi kanë shpërthyer ujërat e zeza në katin...

Zbuloni 5 çajrat bimorë që mund të ndërveprojnë me ilaçet tuaja

Nëse dëshironi një pije të shijshme, pa sheqer të shtuar ose me më pak kafeinë se kafeja, çaji është një zgjedhje e shkëlqyer. Krahas shijes,...

Lajme të tjera

Web TV