Toka “thërret” për ndihmë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Prof. Dr. Fran Gjoka

Sot, 22 Prill 2022, është Dita Ndërkombëtare e Tokës. Ky është përvjetori i 52-të i Ditës së Tokës, dhe njëhërësh i lindjes së lëvizjes moderne mjedisore që bota feston nën moton “Investoni në Planetin Tonë”. Pas kësaj motoje qëndon ideja gjithë përfshirëse e inkurajimit të qeverive, kompanive dhe individëve që të marrin një rol më aktiv dhe të përgjegjshëm në ruajtjen dhe mbrojtjen e planetit në respekt të paradigmës së re sipas së cilës planeti i shëndetshëm është parakusht për njerëz të shëndetshëm.

1. Pak histori. Zanafilla e Ditës së Tokës lidhet me emrin e Rachel Louise Carson (1907- 1964), biologe Amerikane e njohur për shkrimet e saj mbi organizmat e gjallë, mjedisin dhe lidhjet e pazgjidhshme midis shëndetit të njeriut dhe ndotjes. Ato ishin shkëndijat që ndezën lëvizjen mjedisore globale që do të çonte në themelimin e Ditës së Tokës. Por, kryevepra e saj “Pranvera e Heshtur”, një bestseller i publikuar në New York Times në 1962 dhe i shitur në më shumë se gjysëm milioni kopje në rreth 24 shtete të botës, shënoi një moment vendimtar për suksesin e kësaj levizje. Megjithë kundërshtitë nga palët në konflikt interesi, ajo shpalli botërisht ndikimet negative të pesticideve në mjedis dhe parashikoi pasojat që shkakton përdorimi i zgjatur i tyre në organizmat e gallë. Dhe si asnjë bashkëkohës i saj, ajo kuptoi që zhvillimi social ekonomik duhet te bazohet në modelin që kombinon shëndetin e njerëzve dhe të planetit”. Bota do ta kujtojë gjithmonë me mirënjohje këtë shkencëtare dhe intelektuale publike që e jetoi shkurt kohën e saj, por që, falë punës, talentit dhe guximit shembullor, bëri aq shumë që të tjerët ta jetojnë më gjatë dhe më të sigurtë kohën e tyre. Katastrofa mjedisore e 28 Janarit 1969, e shkaktuar nga derdhja masive e naftës në Santa Barbara (Kaliforni), parapriu ngjarjet inaguruese të Ditës së Tokës që ndodhën më 22 Prill 1970, kur mbi 20 milionë njerëz në mbarë Amerikën ishin pjesëmarrës, duke përfshirë shkollat, universitetet dhe qendrat komunitare. Dhe jo rastësisht, Gaylord Nelson, senatori i ri nga Wiscons, promovoi Ditën e Tokës që erdhi si për ti dhëne zë ndërgjegjes mjedisore në zhvillim, duke u bërë thirrje studentëve që ashtu siç kundërshtuan luftën e Vietnamit të luftojnë për kauzat mjedisore dhe të kundërshtojnë degradimin e mjedisit. Kështu, shqetësimet mjedisore u vendosen në rënd të parë. Që nga ajo kohë, pjesëmarrja e njerëzve në festimet e Ditës së Tokës kudo në botë ka njohur vetëm rritje. Presioni në rritje i publikut amerikan për një mjedis më të pastër (tokë, ujë, ajër), bënë që administrata e presidentit Richard Nikson të krijonte në Korrik 1970 Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit (e njohur si EPA), misioni i së cilës ishte dhe mbetet mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit publik, dhe të plotësonte legjislacionin mjedisor nacional me aktet e Ajrit të Pastër (Dhjetor 1970) dhe Ujit të Pastër (1972), ndërsa më vonë administrata e presidentit Bill Klinton nxori rregulloret për motorët dizel dhe karburantin më të pastër (2000). Këto janë disa nga gurët-kilometrik mjedisor të ekonomisë më të madhe të Botës, SHBA, që sipas indeksit të performancës mjedisore (EPI-2020) renditet në vendin e 24. Legjislacioni mjedisor dhe institucionet përgjegjëse janë zhvilluar me sukses edhe në vënde të tjera, ku Danimarka renditet e para në botë për performancën mjedisore. Në Shqipëri, Dita e Tokës është celebruar për herë të parë në 22 Prill 2002 me iniciativën e Ministrisë së Bujqësisë dhe ish-Institutit të Studimit të Tokave dhe me pjesëmarrjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe insituteve të ndryshme kërkimore të bujqësisë. Ndonëse konventa e parë mbi mjedisin u ratifikua në 1991 (Konventa mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis në Kontekstin Ndërkufitar, 4 Tetor 1991), legjislacioni mjedisor modern Shqiptar filloi të hartohej në 1992, menjëherë pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Kështu, në Janar 1993 u miratua ligji për “Mbrojtjen e Mjedisit”. Legjislacioni mjedisor ka ndryshuar në kohë sipas detyrimeve që burojnë nga direktivat e BE-së (Kapitulli 27, Mjedisi dhe ndryshimet Klimatike). Sfidat, sidomos, në zbatimin e legjislacionit mjedisor dhe funksionimin e insitucioneve përgjegjëse për zbatimin e tij, ishin të mëdha, kjo edhe për shkak se legjislacioni ekzistues për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri ishte tepër i varfër. Sidoqoftë, Dekreti Nr. 5105, datë 30 Tetor 1973, përbën aktin e parë ligjor për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri. Me gjithë përpjekjet e bëra për mbrotjen e mjedisit, indeksi global i performancës mjedisore e rendit Shqipërinë në vëndin e 62 me tëndencë përmirësimi nga 2014. Interpretimi i indeksit EPI kërkon një analizë të thelluar dhe komplekse, duke e vendosur atë në raport me prodhimin e brendshëm bruto (PBB). Kjo pasi zbatimi i mirë i politikave për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut kërkojnë burime të qëndrueshme financiare.
Dita e Tokës sot. Këtë vit, bota feston Ditën e Tokës, ndërkohë që agresioni Rus në Ukrainë, me pasoja të tmerrshme me humbje jetësh njerëzore të pafajshme, është në rend të ditës, duke “mbytur” klithmën e planetit për ndihmë. Kjo klithmë bëhet më ulëritëse kur komuniteti shkencor ka përcaktuar vitin 2030 si kohën limit në kufijtë e së cilës duhen parandaluar dëmet e pakthyeshme në ekosistem nga ndryshimet klimatike. A nuk është ky një paralajmërim ekzistencial? Pavarësisht se çfarë është bërë deri tani, degradimit i tokës dhe mjedisit vazhdon të zgjerohet dhe thellohet, duke u kthyer në një problem të mprehtë ekonomik dhe social. Mjafton të themi se humbjet ekonomike vjetore nga erozioni i tokës bujqësore në Shqipëri, sipas vlerësimeve tona të një dekade më parë, ishin 98 milion USD, dhe së bashku me ngjeshjen e tokës arrijnë në rreth 138 milionë USD ose rreth 5.5% e PBB-së së bujqësisë. Në Europë kjo shifër është 35 miliard USD në 2007, dhe në shkallë globale 4.6 trilion USD. Prandaj, ruajtja dhe mbrojtja e tokës është vlerësuar si ekonomikisht e qendrueshme. Nga ana tjëter, Pandemia e Coronavirusit tregoi se të brishtë e të paqëndrueshëm janë sistemet aktuale ekonomike dhe sociale, dhe se logjika e rritjes ekonomike si ideologji nuk është pa të meta. Shpresoj që ky 52-vjetor i Ditës së Tokës, të jetë një moment reflektimi për të gjithë qeverinë, biznesin, median dhe qytetarët për të investuar për tokën – themelin e themeleve të ekzistencës tonë. Toka po humbet nga erozioni, po varfërohet në ushqyes , po pakësohet nga abrazioni detar dhe po “vdes” ngadalë prej ndotjes gjithçfarëse. Ajo “thërret” për ndihmë.

Të fundit

Dua Lipa përjeton tmerrin, i shpëton zjarrit masiv në Los Angeles: Ishte e frikshme!

Dua Lipa është një nga personazhet e famshëm që është larguar nga Los Angeles për shkak të zjarreve masive...

“Ndjenjat njohin moshë?” Debat i ashpër mes Xumit dhe Eglit

Situata filloi pas një mendimi të Xumit mbi ushqimin që kishin konsumuar, ku ai komentoi për fileton që kishin ngrënë, duke sugjeruar se nuk...

Përmbytjet e Vlorës/ Qeveria dëmshpërblen 375 familje të prekura me mbi 61 mln lekë

Qeveria Shqiptare mbështet banorët e prekur nga përmbytjet e datës 4 tetor 2024 në Vlorë. 61 milionë lekë shkojnë për 375 familje të prekura nga përmbytjet...

Komentet homofobe të Papës sjellin revolucion në Kishën Katolike

Kisha Katolike në Itali ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm sa i përket seminareve të priftërinjve. Siç bëjnë me dije mediat italiane, në to do të lejohen...

Kalifornia përballë katastrofës, tërmete dhe zjarre shkaktojnë viktima e dëme

Kalifornia u godit nga dy tërmete të njëpasnjëshme të premten ndërsa shteti perëndimor i SHBA-ve lufton me zjarret vdekjeprurëse. Një tërmet me magnitudë 3.7 u...

Lajme të tjera

Web TV