Presidenti i ri/ Alibeaj gati për negociatat me PS-së, pa “ndikimin e non gratave”

Kreu i Grupit Palametar në Partinë Demokratike Enkelejd Alibeaj foli dje për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke konfirmuar se do të marrë pjesë në negociatat me mazhorancën për të gjetur një emër konsensual. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së theksoi se kreu i shtetit “duhet të jetë një profil politik që të mos ketë influencën e non gratave”-një qëndrim që në mënyrë të drejtëpërdrejtë shkon për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Partia Demokratike nuk do t’i shmanget përgjegjësisë për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, duke shprehur qartë qëndrimin e tij se duhet një profil politik i pandikuar nga vota e non gratave. Sipas tij, mazhoranca nuk e ka legjitimitetin për ta zgjedhur e vetme, pavarësisht se kushtetuta ia ka dhënë. “Qëndrimi i grupit PD është i qartë në konsultim me të gjithë deputetët duke marrë peshën e përfaqësimit të gjysmës së shqiptarëve, së paku do jetë pjesë e diskutimit të grupit duke mos i ikur përgjegjësisë. Një profil politik që të jetë për shqiptarët. Është detyrimi ynë moral ta marrim këtë përgjegjësi dhe ta çojmë përpara. Është një test politik për të gjitha palët politike. Procesi i përzgjedhjes kalon nëpër konsultime mes nesh, ku zëri i të gjithë deputetëve do të tejçohet”, tha Alibeaj. Ai e ka cilësuar mazhorancën qeverisëse si jo legjitime për ta zgjedhur vet Presidentin e ri. “Kjo mazhorancë fiktive nuk e ka legjitimin për ta zgjedhur e vetme, pavarësisht se kushtetuta fatkeqësisht ia ka dhënë. Edhe formalisht në numra, kjo mazhorancë nuk e ka legjitimimin për ta zgjedhur e vetme edhe pse do të donte. Presidenti duhet të jetë një profil politik që të mos ketë influencën e non gratave. Nuk duhet të jetë një president i afektuar prej votës së non gratave. Të zgjidhet një profil politik. Procesi të jetë serioz. Presidenti të jetë i të gjithëve dhe jo i palëve politike”, tha Alibeaj. Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike deklaroi gjithashtu se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit Kombëtar që do të organizojë Komisioni i Rithemelimit më 30 prill. Ai u shpreh se nuk ka dyzim të PD-së, por është në pritje të vendimit të Gjykatës për statutin. “Grupi parlamentar ka zgjedhur një platformë bashkimi që synon jo interesin individual. Interesin e demokratëve dhe interesi i demokratëve e kërkon bashkimin në disa vlera si vota, zgjerimi i anëtarësisë, proces votimi transparent. Kjo përcakton bashkimin e demokratëve. Janë 32, ndoshta dhe më tepër. Këto janë procedura që nuk kanë fare lidhje. Është e qartë për këdo sot, që ka një PD, ka një statut të saj, ka organe të PD-së, ka Këshill Kombëtar ato që janë sot dhe do vazhdojnë të jenë rregullat dhe institucionet e PD-së. Nuk ka dyzim. Çështja është në gjykatë, të presim gjykatën. Kur gjykata flet, të gjithë heshtin”, tha Alibeaj. Kreu i Grupit Parlamentar në Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur dje për zgjedhjen e Presidentit ndërsa u ka bërë thirrje miqësore opozitës të bashkëpunojnë, duke u shprehur se ftesa për ta zgjedhur presidenti së bashku është e hapur. “Ftesa për ta zgjedhur së bashku presidenti e Republikës është një ftesë e sinqertë, gatishmëria jonë për një president mbi palët është shumë e lartë”, tha Balla.