Mijëra euro pasuri të fshehura/ Kush është “bosi” shqiptar i drogës që u arrestua sot

Nikolin Janina, ish-biznesmeni shqiptar që akuzohet si trafikant droge është arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimi në Spanjë. Ai akuzohet nga autoritetet spanjolle se ka qenë drejtues i një grupi kriminal me përbërje spanjollë dhe turq, të cilët trafikonin sasi të ndryshme heroine, morfinë dhe Opium në disa shtete të Europës.

“Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, të shtetasit: N. J., 56 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi”, ka njoftuar policia.

Janina ishte pronar i kompanisë “Porcelanosa’, që fillimisht iu sekuestruan pasuritë por më pas me vendim gjykate sekuestroja u tërhoq.

Në vitin 2018m, Gjykata e atëhershme e Krimeve të Rënda urdhëroi të lirojë nga sekuestroja pasuritë e biznesmenit Nikolin Janina, që administronte kompaninë e njohur “Porcelanosa”. Është konkluduar se biznesmeni justifikonte pasurinë e tij, prej disa miliona euro.

Akuza, lider i një grupi kriminal në Spanjë

Biznesmeni Nikolin Janina, dyshohet nga drejtësia spanjolle të jetë lideri i një grupi kriminal me përbërje Spanjolle dhe Turq, të cilët trafikonin sasi të ndryshme heroine, morfinë dhe opium në disa shtete të europës. Në kuadër të këtij grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga biznesmeni i pllakave dhe hidrosanitareve, policia dhe prokuroria Spanjolle, ka sekuestruar një sasi prej 53 kg e 380 gramë heroinë. Në datën 21 shkurt 2017 Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë e Tiranës, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e pasurisë së këtij biznesmeni. Përgjatë 5 muajve janë kryer dhjetëra veprime hetimore, nga të cilat janë përfituar të dhëna të dobishme për hetimin, që më pas kanë çuar prokurorinë e Krimeve të Rënda ti drejtohet me një kërkesë gjykatës, për vendosjen e masës së sekuestros ndaj pasurive të paluajtshme të biznesmenit Nikolin Janina, por që më pas iu hoqën.