Nga Kastriot Kotoni
Një natë nga ato monotonet, kur ti je mbyllur në shtëpi pas një dite me shi prilli. Lajmet të kujtojnë se je ende gjallesë në këtë vend plot me çudira dhe paradokse. Fatlumturit e një autobuzi që kishte marrë përpara një veturë dhe kishte shtrirë trupin e tij mes një distance nga njëra anë e armaturës së betontë të Lanës tek tjetra, me aq saktësi sa edhe vinçi më automatik, apo elektronik do të kish gabuar. Jeta e pasagjerëve të autobuzit kishte rimarrë kuptim, ca kishin bërë lutjet e fundit, e ca të tjerë kishin varur shpresat tek ndonjë mrekulli hyjnore, e të tjerë nuk kishin idenë seç po ndodhte në të qindën e sekondës.
U bëmë kaq e aq vjeç por gjëra të tilla sytë nuk na kishin parë, ishte johona e kësaj pasngjarjeje. Kineastë e regjizor vendas e të huaj, janë në kërkim të një ekranizimi të këtij momenti të artë e kaq spontan në kryeqendrën e Tiranës. Nuk ka dyshim që për nga përmasat e vëmendjes mediatike kjo ngjarje e cila mbaroj me hepiend mori vëmendje e duhur, por nëse do të kishte ndodhur ndonjë tragjedi me humbje jetë njerzish, sot do të ishim në një gjendje pezmi tejet të paparashikuar, e do kishim haruar çdo aktivitet artistik, politik e sportiv.
Ceremonitë do të ndiqnin njëra tjetrën dhe si në çdo situatë zije, ditët e çdo qytetari do të ishin gri e pa shpresë larg çdo foltoreje, kongresi dhe koncerti po se po. Mendoni për një moment një numër të përafërt viktimash e sërish do kishim ulurima nëpër media, se kush e kishte fajin, e çfarë bën policia, e kush i jep patentat e liçencat? Po ja që ndodhi që nuk pati viktima, e sot me të drejtë kemi një rast unikal në historinë e kryeqytetit i cili ka tashmë një privilegj që të shpenzojë disa sekonda kohë për një pyetësor që të fton për të dhënë një mendim, nëse duhet të qëndrojë autobuzi si një vepër artistike e ardhur nga rrethanat, apo jo? Po si në çdo kohë kur të tjera halle ka populli e të tjera halle na fal realiteti, është ndoshta e parakoshme, të hedhësh idenë e një vepre instalative sidomos në këto situata botërore, kur çdo ditë ka ndikim në ekonominë e vendit e më gjerë në çështjen kombëtare. Ku e ku instalacioni i politikës shqiptare me pozicionin e një autobuzi në buzë të bordurës së Lanës.
Politika në Shqipëri si vepër instalative është genuine, e nuk kam ndërmend të rendis gramatikën e saj qysh në krye të herës. Tash po vërtetohet përditë e më shumë se nuk ka pasur ndonjë lëvizje spontane në kërkim të demokracisë së vërtetë në Shqipëri. Partitë mbinë me bekimin e Ramiz Alisë dhe të strukturave të Sigurimit të Shtetit. Kapitalizmi me kapitalista të emëruar, dhe varfërimi i vendit sipas skenarit të armiqve shekullor të Shqipërisë. Krijuam një 1997 e 1998 për të keqen tonë, nga poltikanë që ende nuk kanë zënë mend e duan të riciklohen ende në politikë. E ngritëm respektin për njeriun nga statusi i tij pasuror, pa pyetur se me se i vuri paratë e në kurriz të kujt. Korrupsioni u bë fjalë e ditës, ndaj sot kur dëgjon për gjyqtar e prokuror të korruptuar, nuk na bën përshtypje. Mediat këto krijesa satelite të pushtetit dhe të opozitës nuk shprehin ende lirinë e shprehjes e të mendimit, janë kthyer si mbrojtëse të interesave të biznesit të bosit mediatik. Standartet e integrimit në institucionet ndërkombëtare i kemi tejet të ulta si pasojë e militantizmit e kualifikimit pa meritë, të dalë nga universitete ku gëlonte shitja e notës. Fshatra me statusin e narkotrafikut ku nuk guxonte të hynte policia ishin pionier të krimit të organizuar dhe mbështeteshin nga partitë në pushtet. Instalacion më të arirë se kaq, sa për të justifikuar pabarazin sociale në vend, nuk e gjen në asnjë vend të evropës. Na marrin për dore fuqitë aleate për të na integruar në NATO e BE, se po të jetë për politikanin shqiptar asnjë lloj integrimi nuk i intereson.
Po ku ka njeri që të pranojë t’i kontrollohen të ardhurat si në evropë? Instalacioni i politikës sonë ishte dy polar u bë tre polar e deri në fund të vitit do të shkojë pesë polar, sepse kështu i përfaqëson më mirë interesat e partive…po se çfarë elelektorati kanë e kush i ka votuar kjo është çështja? Mundet që instalacioni të na kthehet në mënyrë jetese, sepse fundja fundit pak paradokse kemi shijuar këta 30 vjet.
Njerëz që erdhën nga hiçi, të japin mend për kapitalizmin e politikën, a thua e kanë pasur të trashëguar me breza nga të parët e tyre. Kur e lexon historinë e atyre njerëzve që i kanë dhënë këtij kombi, e përfunduan në varfëri ekstreme të pavlerësuar nga sistemet, të përbuzur e të pushkatuar e kupton që instalacionin në politikë e kemi mbjellur herët qysh në vitet 1878 e këtej.