Zgjedhja e kreut të ri të shtetit kaloi në debat mes PD-së së përfaqësuar nga “Grupimi Basha” dhe PS-së, nëse i kanë ose jo votat e duhura për të zgjedhur presidentin e ri. Çfarë fshihet pas lojës mes palëve dhe animi nga mundësia që presidenti të zgjidhet në raundin e katërt, ku mjaftojnë edhe 71 vota, të cilat mazhoranca i ka të sigurta.
Ndërsa pritej që të dilte në dritë emri i mundshëm i kandidatit për presidnt, mazhoranca dhe opozita duket se po masin fuqinë e votës. Enkelejd Alibeaj, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, tha se është detyrim i opozitës që të mos bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri dhe shtoi se mazhoranca nuk i ka 71 votat që duhen. “Është detyrim i opozitës të mos shmangej nga procesi i zgjedhjes së Presidentit, të mos bojkotonte. Është një sfidë që duhet t’i shkojmë përballë. Mazhoranca kurrë nuk i ka 71 vota, me çfarë i ka? Me tre mandate të Tom Doshit? Me dy mandate të Aqif Rakipit? Apo me të tjerë që i ke pas qelisë? Të krijojmë një kulturë të re dhe të futemi në të me moral. Ne u ofruam me një dokument me ca rregulla të thjeshta. Sapo emrat që ishim thjesht propozime fillestare dolën, ditën tjetër PS u tërhoq, Rama u tërhoq”, tha Alibeaj. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u përgjigj se mazhoranca i ka numrat e duhur për të vendosur Kreun e ri të Shtetit. “Ne dëgjuam emrat e opozitës. Kemi rënë dakord që në dy raunde të propozojnë vetëm ata, me shpresën që PD do të ushtrojë të drejtën e saj. Ditët e mbetura të përdoren me përgjegjësi. Pjesëmarrja në proces është përgjegjësi kushtetuese, asnjë nga palët nuk po merr pjesë për respekt të palës tjetër. PS ka numrat dhe momenti i votimit të Presidentit do të doja të zgjidhej me më shumë se 84 vota, të mos shkojë dëm gjithë kjo përpjekje për konsensus, por ne do ta ushtrojmë të drejtën tonë për të propozuar dhe deputetët do ta votojnë. Shprehja me votë është shprehja më kuptimplotë e demokracisë”, tha Balla. Balla tha se PS e ka legjitimiteti dhe se Alibeaj e ka shumë gabim, ndërsa shtoi se shqiptarët meritojnë një president mbi palët. “Ne nuk do të propozojmë emër deri të dielën, me shpresën që grupi i opozitë do ta ushtrojë këtë të drejtë. Historia e propozimeve në ajër nuk ka pasur dhe nuk ka efekt. Nuk kemi marrë propozim shkresor dhe nuk kemi pasur mundësi të shprehemi. Palët po marrin pjesë në proces për shkak të përgjegjësisë”, u shpreh Alibeaj. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kur u pyet për votat e mazhornacës që nuk i kanë 71 vota ai tha se shqiptarët i besuan qeverisë 78 mandate. “Ne shqiptarët na besuan 78 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, por këto nuk u arritën të konfiguroheshin në mandate për shkak të problematikave. PS jo vetëm që ka legjitimitetit dhe numrat por do të punojmë brenda Kuvendit që të arrijmë të sigurojmë më shumë se votat që kemi të dhëna nga shqiptarët, në kuptimin që 74 ka grupi parlamentar i PS, pastaj me radhë edhe grupet e tjera. Kam komunikuar me dy grupet e tjera të opozitës me të cilët do të vijojmë në ditët në vijim që ky dialog konstruktiv të vazhdojë. Në ditët në vijmë do të vijojmë në mënyrë që ky dialog konstruktiv brenda Kuvendit të vijojë. Kësaj historisë që tjerr Alibeaj se PS nuk e ka legjitimiteti e ka shumë gabim dhe ne i kemi numrat, pra të mos shkojë dëm gjithë kjo përpjekje, por ju do të jeni dëshmitarë”, tha Balla.
Berisha: Alibeaj nuk ka tagër për të zgjedhur kandiatin për President
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Enkelejd Alibeaj nuk ka asnjë autoritet të deleguar nga PD-ja, por ka vetëm nga kryeministri Edi Rama. “Përveç autoritetit që i jep Edi Rama, Alibeaj nuk ka asnjë autoritet dhe tagër nga Partia Demokratike. Çdo veprim i tij është sintonizim i një farse të shpifur të zgjedhjes së Presidentit nga Edi Rama me kallp-opozitën”, tha Berisha nga selia e PD-së, në të cilën Alibeaj kishte thirrur për mbledhje deputetët, për të diskutuar rreth raundit të tretë për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit. Më tej, Berisha u shpreh edhe mbi votën e emigrantëve: “Dua të dënoj me ashpërsinë më të madhe pikëpamjen e Ramës të konsiderimit të diasporës, si një zonë e veçantë elektorale. E paralajmëroj që të mos luajë me liritë dhe të drejtat e miliona shqiptarëve që janë sot nëpër botë. Zona e veçantë për emigracionin është një përpjekje antidemokratike dhe antishqiptare”. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se nuk ka parë asnjëlloj veçantie në raport me ambasadorët e vendeve të BE në Shqipëri në momentin që ai është zgjedhur në krye të partisë. Ai foli gjithashtu edhe për Partinë Popullore Evropiane, për të cilën tha se ka mbajtur një qëndrim neutral. ”Asnjë lloj veçantie. Nuk mbaj mend kur jam zgjedhur herë të tjera të ketë patur ambasadorë që të më kenë uruar. Mundet, por në memorien time nuk mbaj mend një gjë të tillë. Z. Mçalister i cili ishte para pak ditësh në Tiranë deklaroi se javën që vjen PPE, do të kenë një Konferencë të rëndësishme. A keni një ftesë për të qenë pjesë e këtij takimi?”, tha Berisha. ai shtoi më tej se në PPE zëri i demokratëve do të jetë i pranishëm. “PPE siç e keni marrë vesh ju, për momentin mban një qëndrim neutral por zëri ynë në PPE do të jetë i pranishëm”, tha Berisha.