Vjedhja e karburantit në burgun e Reçit, del “Nul” arrestimi i drejtorit të burgut

Nga Elton Qyno

Është liruar plotësisht nga akuzat penale dhe masa e sigurisë, Drejtori i Burgut të Rreçit, Ervis Zika, i cili në muajin prill, u arrestua me shumë bujë nga policia dhe prokuroria e Shkodrës. Që prej datës 19 Maj, e gjithë procedura e ndalimit të zyrtarit të burgut, ka dalë “nul”, pasi Gjykata e Apelit Shkodër, ka vendosur të prishë arestimin e tij, duke e lënë të lirë dhe pa masë sigurimi, Ervis Zikën. Tashmë çështja penale ndaj tij, që fillimisht nisi për vjedhjen e 150 litrave naftë dhe dyshimeve se fuste sende të paligjshme në ambjentet e brendshme të burgut, pritet të pushohet nga prokuroria e Shkodrës. Zika në asnjë moment, nuk ka pranuar akuzat dhe arrestimin e tij nga policia, duke pohuar se ai kishte qënë vetë personi që kishte denoncuar vjedhjen e karburantit në burgun e Reçit.

Në kallëzimin që Zika kishte paraqitur në prokurori, denonconte një dëm financiar që lidhet me mungesën e 40 mijë litra naftë në burgun e Reçit. Kjo sasi nafte është konsumuar në rrethana të mistershme, pasi burgu i Reçit nuk ka kryer aq shumë shërbime, sa të konsumohej sasia prej 40 mijë litra naftë. Dyshimet janë se karburanti është vjedhur dhe më pas shitur, nga paraardhësit e Ervis Zikës dhe individë të administratës së burgut të Reçit. Sipas dosjes hetimore, Zika është denoncuesi i kësaj afere, duke vënë në pikëpyetje pozicionin ligjor të ish-drejtorit dhe administratës së burgut të Reçit. Por paralelisht me këtë çështje penale, prokuroria e Shkodrës hapi dhe një dosje të dytë, ku këtë herë objekt të hetimit kishte pikërisht Ervis Zikan, kallëzuesin e skandalit të mungesës së 40 mijë litra naftë. Denoncimi për Ervis Zikën, u krye nga një punonjës i Policisë së Burgjeve, i cili pretendon se Zika në cilësinë e Drejtorit të Burgut Reç ka urdhëruar shoferin e tij të marrë 150 litra naftë dhe ja t’ia hedhë në 3 raste makinës së tij private. Ky fakt ka shërbyer për arrestimin e menjëhershëm të Drejtorit të komanduar Ervis Zika, që kishte vetëm 1 muaj e gjysëm në detyrë. Por prej 19 Majit, Gjykata e Apelit Shkodër, vendosi të nxjerë “nul” arrestin e Zikës, duke e lënë këtë të fundit plotësisht të lirë.