Iku nga njëri dhe u bë e dashura e tjetrit, dëshmia e vajzës zbardhi vrasjen e të riut

Elton Qyno

Një shenjë e konstatuar në qafën e Martin Çeços, i cili u gjend i pajetë në ujërat e rezervuarit të Kolanecit në Maliq, ka ngritur dyshimet e grupit të hetimit se në këtë ngjarje nuk kishin të bënin me një vetëvrasje por me një vrasje.
Për të krijuar bindjen se Martin Çeço, ishte mbytur në rezervuar autorët janë kujdesur të lenë dhe shapkat e tij, buzë ujit të rezervuarit.
Por shenja e fotografuar nga mjekët, ishte karakteristikë e rasteve të mbytjes me litar ose tel, dhe për pasojë policia kriminale ka filluar të punojë në pistën e një vrasje të mundshme.
Mësohet se ka qënë një vajzë e cila rezulton se ishte e dshura e viktimës, që ka orientuar policinë në autorët e krimit dhe pistën e vrasjes së Martin Çeços.
Vajza është pyetur gjatë nga një prokuror i Korçës dhe zv/drejtori i Qarkut, Ermal Muça, ku ajo tregoi konfliktin që viktima kishte me njërin nga personat e arrestuar tashmë.
Sipas vajzës, ajo kishte ndërprerë një marëdhënie dashurie me Bleti Angjon, dhe më pas ishte lidhur me 26-vjeçarin Martin Çeço. Por kjo situatë nuk i ka pëlqyer, Bleti Angjo, i cili ka filluar të kërcënojnë vajzën dhe më pas të dashurin e saj të ri, Martinin.
Ky i fundit ka shkëmbyer fjalë në telefon, duke i pohuar se tashmë vajza i përket atij, duke e paralajmëruar që të mos e shqetësonte. Por kjo situatë, është përshkallëzuar duke nisur një konflikt mes djemve.
Ata e kanë lënë të takohen diku tjetër dhe që pas këtij takimi, prej disa ditësh nuk kishte asnjë gjurmë të Çeços, vetëm kur dy ditë më parë ai u gjend i pajetë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq.
Për këtë takim dhe këtë konflikt kishte dijeni vetëm e dashura e viktimës, dëshmia e të cilës çoi në arrestimin e dy vëllezërve Edlir dhe Valter Mollaj dhe personit tjetër Bleti Angjo, i arrestuar dhe dënuar më parë për vjedhje.
Tre personat e kanë neutralizuar dhe mbajtur me forcë 26-vjeçarin, duke e mbytur me litar. Ndërsa më pas trupin e pajetë të tij, e kanë hedhur në liqenin e Kolanecit, duke krijuar bindjen se i riu ishte mbytur vetë.
Por shenja në qafë e shkaktuar nga shtrëngimi i litarit, rrëzoi skemën e tre personave duke sjellë më pas dhe zbulimin e të vërtetës e arrestimin e tyre.
Bleti Angjo dhe dy vëllezërit Valter dhe Edlir Molla, akuzohen për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim.