Rama gati të “shkrijë” disa kryebashkiakë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kryetarët e bashkive se nëse nuk menaxhojnë financat do të merren në administrim nga qeverisja qëndrore. Kryeministri u la ultimatumin e fundit disa kryebashkiakëve për të mirëadministruar situatën, ku problematikë është borxhi në ujësjellës dhe pastrim.

Autonomia vendore ishte një ndër parimet kryesore të deklaruara gjatë hartimit të reformës territoriale, ku 308 komuna dhe 65 bashki, u shkrinë në vetëm 61 bashki. Ideja ishte që shërbimet për qytetarët të ofroheshin nga pushteti vendor, për shkak të njohjes më të mirë të nevojave që ka secili komunitet. Sot, diku prej peshës së këtyre borxheve, diku prej paaftësisë së pushtetit vendor për të mbledhur të ardhura shtesë, ky parim i autonomisë vendore po cënohet, me qeverinë të gatshme të marrë përsipër sërish administrimin e shoqërive të ujësjellësve, ndarjen e bregdetit, dhe së fundmi sipas deklaratës së kryeministrit edhe kompetencën për hartimin e buxheteve vendore, ku prefektët e qarqeve nuk do të miratojnë buxhetet që nuk garantojnë stabilitetin financiar të bashkive. Bashkë me pushtetin e ri që i dha reforma e vitit 2014, bashkive iu shtuan funksione si menaxhimi i ujësjellës-kanalizimeve, mirëmbajtja e rrugëve, shërbimi zjarrfikës, strehimi social, etj. Bashkitë trashëguan edhe shumë borxhe të komunave, të cilat që në fillim penalizuan aftësitë e tyre paguese. Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim të gjithë kryetarët e bashkive. Rama paralajmëroi se qeveria do të marrë në administrim të gjitha ato bashki, që po shkojnë drejt kolapsit financiar. Në takimin në Pallatin e Kongreseve, Rama iu vuri tre detyra të prera kryetarëve të bashkive, “është mundësi financiare, përgjegjshmëri më e lartë, burime të reja financiare”. “Gjithsesi, një gjë që ministrja nuk e tha, mbase donte të ma linte mua, se lajmin e keq ma lënë mua gjithmonë, është që ne do të marrim masa, në rast të mos përmbushjes së detyrimeve financiare, në raport me disiplinën financiare. Siç bën gjithë bota. Duke marrë bashkinë në administrim, kur ato shkojnë në kolaps dhe kur situata financiare bëhet një gropë që nuk mbushet dot më, duke bërë sikur nuk e sheh. Nga ana tjetër, siç bëmë me pastrimin, do të bëjmë edhe me disiplinën buxhetore, njësoj. Nuk do të kalojnë buxhete në këshillat bashkiak. Kjo pamje nuk është vepra juaj vetëm, pasi është një situatë e trashëguar, por në ato zonën jeshile shumë nga bashkitë janë sot, për shkak të kryetarëve që janë sot këtu, të cilët e kanë trashëguar situatën me keq dhe sot e kanë bërë më mirë, me lidership dhe përgjegjshmëri. Këto tregojnë se kjo bëhet. Nuk po kërkojmë një gjë që nuk bëhet, apo që do krijojë dhimbje të papërballueshme”, është shprehur Rama.

Taksa e Pasurisë

Të fundit që ka thënë Rama, jo nga rëndësia ishte papërgjegjshmëria e bashkive për shlyerjen e detyrimeve. “E fundit që kam është kjo, nuk është e mundur të justifikohet një sjellje papërgjegjshmërie me detyrën dhe me detyrimet që ka bashkia, duke mbyllur sytë dhe mosmbledhur detyrimet që kanë njerëzit si konsumatorë të ujit dhe të çdo shërbimi. Taksa e pasurisë është taksa më e rëndësishme bashkiake në të gjithë globin. Te ne është taksa më e shpërfillur dhe pastaj natyrisht që nuk ka mjaftueshmërisht fonde për gjërat që ju doni. Nga diku ato fonde dalin. Nuk mund të taksohet njësoj pasuria e një familjeje që jeton me të ardhura mesatare me shtëpinë e dytë e të tretë të një familjeje tjetër. Dhe jo vetëm kaq, por këto nuk mblidhen. Pra mesazhi i këtij takimi është mundësi financiare, përgjegjshmëri më e lartë, burime të reja financiare”, tha Rama.

Lexo edhe :  "PD duhet të ketë kujdes kur thërret FBI-në"

Uji i pijshëm

Kryeministri Edi Rama u tha kryebashkiakëve se problemet me ujin janë kthyer në gangrenë. “Për të ardhur te një tjetër gangrenë uji. Pse duhet të vazhdojmë të ballafaqohemi si qeveri me mangësira deri serioze për ujin në kushtet kur bashkitë në një pjesë të konsiderueshme të tyren nuk bëjnë detyrën por bashkëjetojnë me thellimin borxheve me abuzimin me këtë bashki. Kjo pasuri nuk shkon aty ku duhet ët shkojë dhe nuk prodhon asgjë tjetër përveçse borxhe”, tha Rama.

Sistemi online

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar kryebashkiakët për shërbimet online. Rama tha se ka ardhur koha që këto shërbime duhet të kthehen online. “Pastrimi, transporti që janë shërbime jo të lehta për tu organizuar. Në të gjitha këto kemi mundësi të shikojmë që nuk po flasim për gjëra që janë të pabëshme që askush nuk i ka bërë. Përkundrazi pse duhet të jetë qeveri kampin në digjitalizim, pse të mos jenë bashkitë. Në të gjithë botën ndodh e kundërta, sektori privat, pushteti vendor dhe pastaj qeveria qendrore. Këtu qeveria qendrore i ka bërë revolucion me shërbimet. Ka kuptim që shërbimet bashkiake të jepen me letra dhe të mos jenë online. Të jenë të prapambetur ndërkohë që jeni ju të parët që duhet ët jeni personat më interesuar. Pse duhet që qeveria ta ketë nivelin e përgjigjeve ndaj ankesave të qytetarët mbi 90% qeveria, bashkitë ta kenë nën 30% mesataren”, tha Rama.

Ministrja e Financës

Ministrja e Financave ka bërë bilancin e bashkive me probleme financiare. Ajo tha se 10 prej tyre paraqiten me probleme, 14 në vështirësi, ndërsa 2 janë me probleme serioze. Ibrahimaj tha se bashkitë me probleme financiare deri më datë 15 korrik kanë kohë për të dorëzuar në ministri një plan të detajuar për përmirësimin e financave. “Transferta e pakushtëzuar ka pasur rritje me 40% këtë vit. Performanca fiskale, nëse do ishim detyrime prapambetura në 2015 ishte 12.1 mld lekë, tanë është 6.5 mln lekë. Në raport i ndajmë bashkitë në 5 kategori, pa probleme financiare, me probleme financiare, në vështirësi financiare, probleme serioze dhe bashkitë me paaftësi paguese. Asnjë bashki nuk ndodhet në stadin e fundit. Ky raport lind dhe nxjerr detyrime qoftë për bashkitë dhe ministrinë e ekonomisë. Secili prej jush duhet që brenda datës 15 korrik një plan të detajuar për masat që do marrë bashkia në kuadër të dalës së vështirësisë financiare. Për seriozet ky plan do miratohet nga ministria dhe do miratohet nga këshilli bashkiak dhe do kushtëzohet në buxhet. Këlcyrë, Vlorë, Poliçan, Korçë, Tepelenë Kurbin, me 10% performancën e tyre financiare, duke dalë në situatë pa probleme financiare. Vlora dhe Poliçan ,mbeten ne zonën me probleme financiare ndonëse kanë përmirësim. Durrës, Pogradec, Himarë kanë pasur përmirësim me 5-10%. Cërrik në 2020 ka pasur % e detyrimeve të prapambetura 17.52% në 2021 e ka mbi 40%. Belsh 30% në 61%. Malësi e Madhe në 2020 pa probleme ka kaluar në 51.83% te detyrimeve të prapambetura. Ka bashki ekselente në menaxhimine financave publike Gjirokastër, Patos, Këlcyrë, Shkodër dhe Korçë që kanë nën 1% të detyrimeve të prapambetura. Elbasan dhe Tiranë, ndonëse janë shumë të mëdha e kanë stokun e detyrimeve të prapambetura nën 5%”, tha Ibrahimaj.