Xhevdet Bajraj, poeti që u shua por nuk u largua

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ai nuk ishte thjesht një njeri që dinte të thurte vargje dhe pastaj t’i botonte në një libër me kopertinë të bukur.

Ai nuk ishte poet sepse njihte në mënyrë mekanike e të keqpërdorur metrikën, vargun e thyer apo atë të lirë e të shpenguar nga detyrimet.

Ai ishte poet sepse…, ishte i tillë. Dhe nuk mund të zhbëhej dot.

Por tanimë Xhevdet Bajraj nuk është më mes poetësh të gjallë. Dhe unë thjesht dua të qaj… bashkë me të. Por në një pamundësi ekstreme… më duhet veç të shkruaj ca rreshta të brishtë.

Tanimë ai është mes poetësh pa jetë. Dhe kolegëve të tij më të hershëm, – a homologëve nëse duhen quajtur kështu, – do t’u recitojë poezi të freskëta. Sepse, padyshim, është më i riu mes tyre.

Mes datës së lindjes dhe datës së vdekjes

viza që duket në mes nuk është gjë tjetër

veçse poezi

Ishte një poet i rrallë. Nuk kishte të dytë si ai. Ose më dukej mua. Ose nuk ishte fare e vërtetë dhe unë isha i çartur përkohësisht. Ose ishte vërtet kështu dhe imagjinata ime surealiste në fakt përbënte një realitet të pagabueshëm.

Ai thjesht ishte poet. Lundronte në vargjet e tij. Si kapiten. Sepse në varkën e përbashkët ku ca rremëtarë çanin të sforcuar, të tjerë, të gozhduar si mbi kryqe varresh, dëgjonin vargjet e tij.

Ushtarët e armikut në Kosovë

Kishin meny të pasur shqiptare

Në mëngjes

Qumësht nga gji të shqyer nënash

Dhe foshnje të palindura, të ziera në zjarr shtëpish

-Ej… a ishte në vete ky poet. Ishte një haluçinacion. E si mund të ma bënte këtë…. këtë gjëmë. Sepse kështu e kisha njohur Xhevdet Bajrajn. Në këto kushte. Me këtë poezi. Por ai e kishte shkruar, e ndërkohë e recitonte për ne, një tufë njerëzish që ishin rrekur mbi letra e mbi rrema, por që ishin mbledhur për ta dëgjuar…

Në drekë

Zemra të plasura të të gjitha moshave

Të ziera në lëng eshtrash në njërën anë

Dhe mish kurrizi të pjekur në gacë

Përcjellë me tru të fërguar fëmijësh

E sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri

Dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara…

Mund të na e kishte kursyer këtë dhimbje. Por ai nuk mundej ta linte në mes. Dhe ne nuk kishim mundësi ta ndërprisnim. As tentonim. Për më tepër nuk donim kurrsesi ta linte në mes. Veç donim ta dëgjonim…

Lexo edhe :  Një odise e seksit dhe vdekjes. Kryevepra e Millet që elektrizoi artin modern

Në darkë

Mushkëri të zeza e të bardha

Aty-këtu ndonjë veshkë

Mish fëmije të përzier me gjakun e nënave

Ca tul plake a plaku pjekur në hell

Kur e kam njohur Xhevdet Bajrajn jam mahnitur. Sepse nuk e dija që në shqipen e sotme, pas një Lasgushi plot thellësi e një Migjeni të madhërishëm, mund të ishte dhe dikush tjetër që sfidonte haptazi, e që të kishte po të njëjtën fuqi shprehëse.

Nga rrënojat e shtëpisë së djegur

fluturon një tufë e hijeve të pëllumbave

Në oborrin e saj

një lis i vdekur më pret në këmbë

e fantazma e qenit e lëviz bishtin

aty ku dikur ishte dera

Kështu që

mos më pyet nëse kam ku të kthehem

Asokohe shkrova një dedikim me titullin: “I thjeshti Xhevdet Bajraj, poeti pa superpozim”. As sot nuk di të them se përse e vendosa një titull të tillë. Ishte tepër instinktiv. Ndoshta sepse me aq thjeshtësi, por me aq madhështi njëkohësisht ai recitonte vargjet e tij. Dhe ato merrnin më shumë kuptim.

Dhe unë vazhdova të shkruaja: Ai recitonte e unë nuk arrija ta besoja. Nuk e mbaja mend që kur nuk kisha shijuar një ritëm të tillë poetik. Nuk ishin vargje dekadente, as poezi për dashurinë e tradhtinë të marra bashkë. Por thuhej gjithçka.

– Na recito dhe një poezi tjetër o Xhevdet!

Dhe ai nis nga fillimi:

Për shëndetin e nënës sime

nganjëherë pi raki

të fortë si loti…

Xhevdet Bajraj nuk është më mes nesh. Shkoi në amëshim. Shkoi pranë Zotit… Ose ndoshta nuk e ka marrë fare atë rrugë dhe ka ndjekur një tjetër itinerar. Atë që e di vetëm ai. Nuk mund ta kuptoj se pse duhej të ikte në fakt, edhe nëse kishte 100 arsye të marra bashkë. Sepse bota shqiptare e letrave kishte ende shumë nevojë për vargjet e tij.

Por ai iku. Dhe është veç një zgjedhje.

Asgjë nuk lëviz

me përjashtim të vetmisë

e cila vazhdon të rritet

dhe lisit që do të shërbejë për arkivol.

E gjitha kjo nuk ishte një shaka rrjetesh sociale. Aty ku lajmërimet e vdekjeve të faniten para syve si hologramë objektesh antikë, për ta kthyer gjithçka virtuale në një realitet të dëshpërues. Sepse me vdekjen nuk mund të bëhet kurrë shaka… qoftë dhe të trishtë. Dhe ai vetë ka shkruar për vdekjen, pa e përbuzur fuqinë e saj, pavarësisht se ka ngadhnjyer fortherë mbi të. Përveç 22 qershorit të vitit 2022.

Të fundit

Veliaj refuzon Tiranën, merret i pandehur në Durrës

Refuzimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t’u paraqitur në SPAK në orën 11:00 të së mërkurës, për...

Trump nuk ndryshon mendje, SHBA tërhiqet sërish nga UNESCO

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do të largohen përsëri nga UNESCO , agjencia arsimore, shkencore dhe kulturore e OKB-së, vetëm dy vjet pas...

Cilat janë dy zonat më të shtrenjta në Shqipëri?

Me çmimet e reja të referencës, ‘Zona 13’ në Durrës dhe ishulli i Sazanit në Vlorë do të jenë zonat më të shtrenjta në...

80 mln euro, e treta e vërteta! Ylli i Premier League po ndryshon destinacion

Pas 67,5 mln eurove të refuzuara nga Liverpool, Bayern po bëhet gati për ofertën e tretë për Luis Diaz. Sipas gazetarit Ben Jacobs, kampionët...

Nën akuzë për fshehje pasurie, GJKKO kalon për gjykim dosjen e Dogjanit

Gjykata e posaçme ka pranuar kërkesën e spak dhe ka kaluar per gjykim te dosjes ne ngarkim te deputetit demokrat Asllan Dogjani me akuzen...

Lajme të tjera

Web TV