Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka dhënë dakordësinë për hartën e re gjyqësore të hartuar nga KLGJ.
Në letrën dërguar Ministrisë së Drejtësisë, Çela thotë se vlerëson frymën e këtij bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional në përballje me nevojat për të lehtësuar rritjen e ngarkesës dhe mbështetur veprimtarinë e prokurorëve me numër të reduktuar.
“Në këtë vështrim, sipas kushtetutës dhe ligjit përfshihet dhe sistemi i prokurorisë, me ndikim në riorganizimin e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë dhe prokurorisë pranë gjykatës së apelit me juridiksion të përgjithshëm sipas kompetencave tokësore të gjykatave, riorganizim të cilin e vlerësojmë si nevojë emergjente për përmirësimin e funksionalitetit, eficencës dhe efektivitetit në sistemin e prokurorisë”, shkruhet në letër.
Sipas Çelës, harta e re gjyqësore vjen në kuadrin e procesit të pritshëm që sjell rritjen e kapaciteteve akomoduese me ambiente pune për prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore të seksioneve, administratës dhe shërbimeve mbështetëse në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm.