Të “Miturit në Konflikt me Ligjin” në bashkitë e Tiranës dhe Kamzës
Nga Klara Yzo
Të mitur në konflikt me ligjin ka thuajse kudo nëpër Shqipëri, në këtë rast Tirana dhe Kamza janë thjesht dy bashki ku po pilotohet një monitorim i situatës së tyre në kushtet kur po e vuajnë dënimin jo me burgim, por në liri me kusht, si qytetarë përballë pushtetit vendor.
Përfshirja e të miturve të moshës 14-18 vjeç në akte kriminale është shndërruar në një fenomen shqetësues për shoqërinë tonë. Sjellja delinkuente e të miturve gjenerohet nga ndërveprimi i disa faktorëve në planin individual, familjar dhe social, të konsideruar si faktorë risku.
E vetmja arritje për t’u evidentuar është përmirësimi i legjislacionit penal për të miturit me futjen në fuqi që nga 1 janari 2018 i Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur ku sanksionohet fryma e një “drejtësie miqësore”, një “drejtësie restauruese” për të miturit në konflikt me ligjin e cila materializohet në dhënien e dënimeve alternative, jo me burgim por në kushte lirie. Po a është plotësuar i gjithë kuadri ligjor që ta bëjë efektiv, në dobi të të miturve, vuajtjen e dënimit në liri? Me se është “zëvendësuar” institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale i cili ka për detyrë rehabilitimin social të të burgosuve të mitur? Apo gjithçka për trajtimin në liri të këtyre të miturve i është lënë në ngarkim familjeve të tyre dhe pushtetit vendor? Përveç Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, janë edhe një sërë ligjesh si “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror”, “Për Strehimin Social”, “Për Nxitjen e Punësimit” ku sanksionohet detyrimi që pushteti vendor të përfshijë në mënyrë eksplicite “të miturit dhe të rinjtë në konflikt me ligjin, pas lirimit ose gjatë kryerjes së programeve rehabilituese” si qytetarë që gëzojnë të drejtën të marrin shërbime vendore. Po a i marrin?
Këta qytetarë të lirë “me kusht” banojnë në lagjen, pallatin, fshatin tonë; pra qoftë edhe për këtë fakt nuk janë kaq “larg” nesh. E megjithatë për ta nuk flet kush. Madje, po të pyesë veten secili prej jush që po lexon këtë shkrim: a ka ndonjë të mitur këtu në pallatin tim? E sigurt është që nuk do dijë të përgjigjet.
Po media? – Për fat të keq, për këta të mitur në media “flitet” vetëm kur ndonjë prej tyre kryen krimin e radhës! A është e lirë media të merret me trajtimin e problematikave me të cilat ndeshen këta të mitur dhe familjet e tyre? – E lirë media jonë sigurisht që është. Kjo është madje fitorja më e madhe demokratike, që pas 1990-ës. Por interesat e grupeve mediatike sigurisht që priren të merren me Politikë/politikën, e ditës; ndërsa problematikat sociale, ndonëse zënë vend në ekrane dhe në shkrime, janë thjesht raportuese; trajtojnë lajmin/ngjarjen e ditës, pa thellime dhe jo shterruese përsa i përket fenomeneve sociale dhe impaktit që kanë në shoqëri.
Për shembull, këta të mitur në konflikt me ligjin bëhen pjesë vetëm e kronikës së zezë!
Pse?
Sipas raportimeve të ekspertëve të Qendrës për Formim dhe Zhvillim, të cilët po monitorojnë situatën e këtyre të miturve në dy bashkitë-pilot, Kamëz dhe Tiranë; vërehet se pavarësisht nivelit dhe cilësisë së ofrimit e marrjes së shërbimeve vendore nga këta të mitur dhe familjarët e tyre; pavarësisht sesa i respekton pushteti vendor detyrimet ligjore ndaj tyre; jeta dhe përditshmëria e këtij kontigjenti të miturish mbetet peng i të njëjtave rreziqe: varfërisë, mungesës së programeve riintegruese, përdorimit dhe akaparimit nga elementë të krimit të organizuar. Situata e përditëshme e këtyre të miturve, e mbyllur si qerthulli vicioz i pyetjes ekzistenciale: “Çfarë të bëj me lirinë time?” – është një fatalitet që duhet të ndryshojë!
Dhe këtë duhet ta bëjnë të gjithë aktorët publikë dhe civilë: pushteti qendror dhe ai vendor, media dhe shoqëria civile e cila ofron sot për sot një sërë shërbimesh ndaj këtij kontigjenti të miturish, si shërbime të specializuara psikoterapeutike, shërbime formimi në zeje e profesione, etj.
Si gazetare e re, i bashkohem përmes këtij shkrimi fushatës mediatizuese për të folur për situatën, nevojat për zgjidhje dhe problematikat me të cilat ndeshen të miturit në konflikt me ligjin; për të folur për realitetin që “mat” apo “peshon” nivelin e marrëdhënies që kanë ata si qytetarë dhe banorë me administratën dhe pushtetin vendor; një aksion i ndërmarrë prej 7 muajsh tanimë nga Qendra për Formim dhe Zhvillim nën moton “RIINTEGRIM vs PËRJASHTIM – Riintegrimi social i të Miturve “në konflikt me ligjin” dhe “ish të dënuar” në Bashkitë e Tiranës dhe Kamzës”.
Të flasësh për ta kur gjithçka duket se i ka harruar, me rriskun se edhe heshtja është stigmatizim; T’i vësh të miturit në konflikt me ligjin në qendër të vëmendjes të pushtetit vendor por edhe medias, është një përpjekje e shoqërisë civile i cila nuk do të mund të realizohej pa mbështetjen e LevizAlbania projektit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.