Protesta e thirrur nga Sali Berisha u mbajt dje për dy orë në sheshin para kryeministrisë. Numri i pjesëmarrësve ishte i lartë dhe nuk u shënua asnjë incident. Fjalimi i Berishës edhe pse disi i ashpër mbeti në kuturet e opozitarizmit duke tentuar të tërheqë jo vetëm demokratët por edhe të zhgënjyesit. Gjithsesi në fjalimin e tij Berisha në mënyrë simbolike u “betua para flamurit”: Edi Rama ne të dy jemi armiq. Ti ke për ideal pushtetin, unë kam lirinë.
Një protestë e madhe, por jo nga më të mëdhatë politike u mbajt në kryeqytet ditën e djeshme. Kjo ishte protesta e parë e Sali Berishës si kryetar i PD-së pas largimit të Lulzim Bashës. Prej ditësh kishin nisur organizimet për të matur “fuqinë” në sheshin para kryeministrisë në oerën 19.00. Pjesëmarrja ishte e lartë edhe kundrejt pritshmërime të më militantëve dhe duket se kjo ka entuziazmuar drejtuesit politik të PD-së, ku përveç Berishës në krahët e tij u shfaq edhe Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së. Po ashtu edhe deputetët e lëkundur dhe një pjesë e vogël e “Grupimit Basha” u panë pranë qytetarëve si “protestues të thjeshtë”. Mesazhet që përçoi protesta duket se ia ka rritur pikët politike brenda PD-së Sali Berishës. Kjo ishte më shumë prova e tij dhe duket se kauzat që ka ngritur prej disa kohësh bënë që pjesëmarrja të ishte relativisht e madhe. Gjithashtu nuk u shënua asnjë incident, duke shuar disi edhe perceptimin se mund të kishte përplasje me policinë apo dhunë ndaj institucioneve. Ndonëse protesta ishte mjaft korrekte mesazhet ishin të forta, ku një nga pikat ishte se Berisha në fjalën e tij e shpalli Ramën armik, duke i dhënë më pas konotacion politik dhe lidhur fort me votën e lirë.
Berisha shpall ramën armik…
Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpallur kreun e qeverisë, Edi Rama si armik, pasi sic tha kryetari i PD po punon kundër interesave të shqiptarëve. Berisha iu drejtua Ramës, duke i thënë se ka bërë gabim që është larguar për në Vlorë, madje ka bërë gabim edhe që ka blinduar zyrat. “Ne jemi armiq Edi Rama, sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarët. Kurse unë dhe këta qytetarë që janë këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për ti kthyer atyre dinjitetin. Edi Rama, ne jemi armiq. Sot ti ja ke mbathur. Gabim ke bërë, sot ke blinduar dyert, gabim ke bërë. Ne nuk veprojmë pabesi. Kur të themi mbathja, do tja mbathësh. Së dyti, mos harro o i mjerë se me forcën e idealeve tonë ne thërrmojmë cdo bunker, shkatërrojmë çdo blindë, asgjë nuk na ndal në përpjekjen tonë për liri. Edi Rama, ti je problem i madh i lirisë së shqiptarëve. Ti je problem i madh i çdo shqiptari. Ti qëndron në pushtet me votën e grabitur dhe të plaçkitur, me votën e përgjakur dhe me votën e blerë. Ti pushtetin e plotë monist e vendose duke u rrëmbyer votën e shqiptarëve. Harrove ti që me këto akte ke shkelmuar idealet e të gjallëve dhe të vdekurve. Ke shkelmuar sakrificën e shqiptarëve. Edi Rama ke shkelmuar ëndrrën e rinisë studentore”, tha ndër të tjera Berisha.
Berisha-Ramës: Do të ta presim biletën!
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje kreut të qeverisë që të largohet dhe të mos vjedhë më shqiptarët. Nga foltorja e protestës së sotme, Berisha u shpreh se kjo protestë është vetëm fillimi. Ai u shpreh se Edi Rama me politikat që ka ndjekur ka ndërmarrë në 5 vite largimin e 540 mijë shqiptarëve nga Shqipëria. “Sot pasuritë shfrytëzohen nga oligarkë të pashpirte të lidhur me qeveritë dhe rrogat tuaja nuk rriten, shkollat nuk përmirësohen, përkundrazi ju varfëroheni, sepse pasuritë tuaja i kanë grabitur qeveritarët dhe klientela e tyre Për të gjitha këtu, nga ky shesh, të bëj thirrje boll vodhe, ike, boll vodhe ike. Miqtë e mi, Shqipëria është në rrezik, sepse në rrezik është një komb që lind fëmijë për emigracion. Edi Rama me politikat që ka ndjekur ka ndërmarrë në 5 vite largimin e 540 mijë shqiptarëve nga Shqipëria. Edi Rama ka një urrejtje gjenetike ndaj shqiptarëve, sepse i përket atij soji që vriste, që ekzekutonte, që burgoste qytetarët shqiptarë dhe që e dinte se ata të shtypur i urrenin për vdekje bllokmenë hoxhistë. Për të gjitha këto qëndrime ne do ti presime tij biletën dhe ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë”, u shpreh Sali Berisha.
Kryemadhi: Rama vegël qorre e grupeve antishqiptare
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në protestën e thirrur nga Sali Berisha tha se Rama është një vegël qorre e grupeve antishqiptare. Sipas saj, Rama ashtu sic shiti Kosovën po shet edhe Shqipërinë. Kryemadhi u shpreh se Shqipëria eshte e shqiptareve dhe jo e politikaneve. “Rama eshtre një vegël qorre e grupeve antishqiptare. Rama siç shiti Kosovën ashtu po shet Shqipërinë tonë, Shqipërinë e të rinjve dhe të reja, e atyre studenteve që po ikin. Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e politikaneve. Shqipëria do të kërkojë që të qeverisën nga politikanë të mirë. Zoti e bekoftë shqiptarët. Zoti i dhëntë forcë dhe zoti e nderoftë Shqipërinë”, tha Kryemadhi.
Shehaj: “Ne nuk duam të vijmë në pushtet për të vjedhur”
Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj i është bashkuar protestës së thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha. Ai tha se qytetarëve shqiptarë duhet t’u ofrohet një alternativë që ata të binden të mos largohen nga vendi. Shehaj deklaroi se Rama sot investon miliona euro për të lobuar se në Shqipëri nuk ka njerëzit të ndershëm. “Nuk jam këtu as për veten time dhe as për Sali Berishën. Një gjë e madhe na ka mbetur. E bisedojmë çdo ditë me njerëzit që bisedojmë dhe familjarët. Ajo përmblidhet në një fjali të vetme. Në Shqipëri nuk ka në të ardhme. Kështu mendojnë shumica e shqiptarëve, por një pjesë e tyre kanë vendosur të mos na bashkohen dhe po bëjnë plane t’i bashkohen atyre që kanë ikur nga Shqipëria. Përballë korrupsionit shqiptarëve mund t’i kthejë shpresën vetëm një alternativë, oferta e zbatueshmërisë së ligjit për të gjithë. Pas skandaleve, Rama investon miliona në media dhe në lobime për të bindur shqiptarët se ne jemi të gjithë njësoj. Tani duan të na bindin se në Shqipëri nuk ka njerëz të ndershëm. Para disa ditësh Rama tha se korrupsioni nuk është problem kryesor në Shqipëria. Shqiptarët ikin nga vendi sepse qeveria është e korruptuar. Kështu bëjnë ata që nuk kanë atdhe. Ne që duam një vend normal që zhvillohet me punë ku shqiptarët ecin me ndershmëri, jemi shumica. Ky nerv është gjallë. E dëshmon prania juaj sonte këtu dhe e shumë të tjerëve që do në bashkohen vetëm nëse tregojmë se ne nuk duam të vijmë në pushtet prë të vjedhur”, tha ai.